Kryeministri Haradinaj nuk flet për gjetjet e Bulliqit, e gjuan topin në Kuvend

  • 04 December 2017 - 12:33
Kryeministri Haradinaj nuk flet për gjetjet e Bulliqit, e gjuan topin në Kuvend

Qeveria Haradinaj ka proceduar në Kuvend të Kosovës marrëveshjen për demarkacion më Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e komisionit të Shpejtim Bulliqit, që pretendohet se faktojnë gabimet e ish-komisionit të Murat Mehës në shënjimin e vijës kufitare. Në fund të mbledhjes, Kryeministri Ramush Haradinaj, që kur ishte pjesë e opozitës kundërshtonte fuqishëm këtë marrëveshje, bëri të ditur se tash fjalën përfundimtarë për Demarkacion e kanë deputetët. Por, ai nuk ka thënë asnjë fjalë më shumë rreth qëndrimit të tij. Derisa, zëvendësi i tij Enver Hoxhaj ka konfirmuar edhe një herë qëndrimet që PDK i ka rreth kësaj teme, duke ua kontestuar gjetjet Komisionit Bulliqi. 

Shpejtim Bulliqi dukej i relaksur dhe i kënaqur me të gjeturat që ai dhe anëtarët tjerë të komisionit për Demarkacion po prezantonin në mbledhjen e Qeverisë. Sipas tij dhe anëtarëve të Komisionit që ai ka drejtuar, gjetjet që i ka cuar sot në mbledhje të Qeverisë Haradinaj, ka faktuar se kufiri që është konfirmuar me marrëveshje me palën malazeze nuk përputhet me kufijtë krahinor të Kosovës. Pra, Kosova, sipas Komisionit Bulliqi vendi ka humbur territor.

Por, kjo është relativizuar nga  zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili, pasi i dëgjoi ata, u tha se nuk kanë sjellë asgjë të re, që duhet marrë për bazë për të mos u proceduar më tej marrëveshja e Kosovës me Malin e Zi, e vitit 2015, që tash e dy vjet po mbanë peng kosovarët pa liberalizim të vizave. 

“Ne jemi të vendosur që ta shtyjmë këtë çështje përpara në Kuvendin e Kosovës. Unë dëgjova vlerësime shumë të rëndësishme por jo ndonjë prove materiale apo ndonjë fakt konkret. Iu dëgjova me vëmendje, nuk ishit konkret, nuk kishte ndonjë gjë të re”, i tha Hoxha komisionit, në mbledhjen e Qeverisë. 

Kjo pasoi me votim të kabinetit të Kryeministrit Haradinaj, pasi ky i fundit u kërkoi ministrave të tij që të japin me votë mendimin e tyre. 

Marrëveshja për Demarkacion kaloi në Qeveri. Ajo u procedua për shqyrtim dhe votim në Kuvend të Kosovës, bashkë me të gjeturat e komisionit që shefi i ekzekutivit e krijoi që në ditën e parë të punës së tij në Kryeministri. 

Në mbledhjen e së hënës, Shpejtim Bulliqi i tha kabinetit qeveritar se puna e ish-Komisionit ishte drejtuar me të meta thelbësore duke tejkaluar kompetencat e tij, shkruan Gazeta Express. 

Sipas tij, ish-komisioni i Murat Mehës ka lejuar vetes t’i futet përcaktimit të vijës së re mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake, ndonëse ishte i thirrur vetëm për shënjimin dhe mirëmbajtjen e saj. 

Pas kryetarit të Komisionit për shënjimin e vijës kufitare, vërejtjet e tij për ish-komision i prezantuar edhe profesori universitar i të drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda.

Edhe sipas tij ish-komisioni nuk e ka pasur të qartë mandatin e tij, pasi ka negociuar shenjim të ri të vijës kufitare. 

“Pala kosovare duke hyrë në bisedime ka pranuar në mënyrë implicite se gjoja midis Kosovës dhe Malit të Zi nuk ka ekzistuar kufiri ose vija administrative që ndante territorin e Kosovës me të Malit të Zi që nga viti 1945-46”, ka thënë Gruda.

Ai ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Vjenë, në gusht të vitit 2015, është marrëveshje për delimitacion, e jo demarkacion, duke sqaruar tutje dallimet e tyre.

 “Komisioni ynë ka shkuar për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, ndërsa Mali i Zi për të bërë përcaktimin e vijës kufitare – delimitacionin”, ka thënë Gruda. 

“Mali i Zi ka shkuar për të vënë kufi, është delimitacion–jo demarkacion”, ka insistuar ai. 

Ndërkaq, Florim Isufi, është ndalur tek një kontratë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Pejë-Kullë-Rozhajë, e vitit 1976, që sipas tij tregon se një pjesë e territorit që sipas marrëveshjes së Vjenës i takon Malit të Zi, ishte e administruar nga Kosova. 

Ai prezantoi edhe disa harta të Malit të Zi, të viteve 70-80, ku vija kufitare është e përcaktuar pa pjesën e territorit që pretendohet Kosova e ka humbur me marrëveshjen e fundit.

E profesori Martin Berishaj, para anëtarëve të kabinetit qeveritarë ka thënë se sipas të drejtës ndërkombëtare askush nuk guxon t’i bëjë presion një shteti ta ratifikojë ose mos ta ratifikojë një marrëveshje.

I njëjti ka thënë se shteti e ka të drejtën e plotë ta ratifikojë ose të mos e ratifikojë marrëveshjen.

Në fund të mbledhjes, Shpejtim Bulliqi ka dhuruar pak minuta spektakël, duke kërkuar që zyrtarisht kryeministrit Ramush Haradianj t’ia dorëzojë edhe fizikisht një atllas dhe pjesën tjetër të të gjeturave të tij, ndonëse gjatë mbledhjes i ka prezantuar. E Haradinaj duke dashur që mbledhja të kryhet më shpejtë, kur ka parë sasinë e materialeve që i janë dhuruar disa herë ka bërë “ku, ku, ku”.

(Kosova Sot)