Mulliqi: Krimi dhe korrupsioni depërtuan edhe në institucionet qendrore dhe ato lokale të vendit

  • 04 December 2017 - 13:07
Mulliqi: Krimi dhe korrupsioni depërtuan edhe në institucionet qendrore dhe ato lokale të vendit

Analisti politik Skënder Mulliqi pohon se që nga përfundimi i luftës krimi i organizuar dhe korrupsioni na janë bërë temat qendrore në jetën politike, ashtu edhe në jetën publicistike. "Dhe, kjo natyrisht me shumë arsye së kurrë këto dy fenomene negative shkatërrimtare për Kosovën nuk u luftuan sa duhet. Nuk u luftuan se krimi dhe korrupsioni depërtuan edhe në institucionet qendrore dhe ato lokale të vendit. Në anën tjetër, organet e rendit dhe organet e drejtë- sisë pikërisht për arsyen e cekur nuk patën mundësi t'u shpallin luftë të hapur këtyre dukurive negative. Në Kosovë krimi dhe korrupsioni u manifestuan në format më të vrazhda. Pastaj, krimi u manifestua edhe në llojet e veprave penale si trafikimet më drogë, trafikim të qenieve njerëzore, kontrabanda të tjera të ndryshme, shpëlarje parash etj. Vetë fakti së këto lloje të kriminaliteteve kanë arritur të depërtojnë dhe të lidhen me qarqet e pushtetit qendror dhe atij lokal kanë ndikuar me arsye te qytetarët se këto fenomene janë të pamposhtura", është shprehur analisti Mulliqi për "Kosova Sot". Sipas tij, qarqet kriminale të ndryshme bashkëpunojnë mirë me njëra-tjetrën edhe në pozitat rajonale."Këto lidhje apo implikime të njerëzve të politikës dhe të biznesit në veprimtari të ndryshme kriminale po e pengojnë edhe luftimin e tyre. Deri më tash pak kush dha përgjigje para organeve tona të drejtësisë, të profilit të lartë, ose edhe nëse kemi pasur raste të tilla dënimet kanë qenë të vogla. Zhvendosja e ndikimit të nëntokës në pushtet, apo ndikimi i saj në politikëbërje po e pamundëson edhe zhvillimin normal të sistemeve të jetës dhe të punës. Të gjithë këtë stagnim të ecurive ekonomike pikërisht duhet kërkuar në mosluftimin e duhur te të gjitha dukurive negative në shoqërinë tonë të re. Gjithnjë e më shumë për fatin tonë të keq po bëhemi shoqëri e kriminalizuar dhe e korruptuar dhe ky është treguesi më i keq i së ardhmes tonë. Pa u zhbërë klanet dhe tarafet e kriminalizuara dhe të korruptuara nuk do të kemi funksionim normal të shtetit ligjor", është shprehur ai. Mulliqi shton se numri i madh i lëndëve të pazgjedhura në gjykatat e Kosovës është një fakt që tregon mosluftimin e nivelit të dëshiruar të krimit dhe të korrupsionit.  

(Kosova Sot)