Miftari: Shtet me politikanë të korruptuar

  • 04 December 2017 - 13:51
Miftari: Shtet me politikanë të korruptuar

Analisti Naim Miftari, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se nga Vetting-u, përveç politikanëve tanë, frikë kanë edhe disa zyrtarë ndërkombëtarë dhe punonjës zyrtarë ambasadash të huaja, të cilët në mënyrë direkte dhe indirekte dyshohet se janë të lidhur me krimin e organizuar vendor dhe ndërkombëtar dhe Kosovën tonë të vogël, siç tha e shohin si parajsë për pasurim dhe për pastrim parash, ku me pak para bëhesh pronar i ndonjë ish-pronësie shoqërore, e cila kap shifra milionëshe."Në mbledhjen e shtatë vjetore të gjyqësorit ishin pikërisht shumë njerëz politikanë tanë, zyrtarë të gjyqësorit e shumë zyrtarë ndërkombëtarë, pikërisht ata që e kanë dështuar shtetin dhe sidomos gjyqësinë, ku sot në Kosovë kemi 100% drejtësi selektive, ku ligji funksionon vetëm për qytetarët e varfër dhe ku ligji nuk vlen për njerëz të pushtetit ose njerëzit ndërkombëtar ose njerëzit e pasur. Shumë lehtë është për të bërë drejtësi të mirëfilltë, vetëm se duhet të jesh vetë i drejtë dhe i pastër. Por me kësi lloj politikanësh të shitur, me këta zyrtarë të korruptuar deri në fyt, me disa nga këta ndërkombë- tarët e korruptuar edhe vetë nga mafia ndërkombëtare çdo shtet do ta ulnin në gjunjë dhe do ta bankrotonin materialisht, politikisht dhe do ta bankrotonin edhe territorialisht", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. Sipas tij, Kosova si shtet i ri është shtet i izoluar, i rrethuar me fqinj armiqësorë, shtet me politikanë të korruptuar, ku edhe misionet ndërkombëtare janë korruptuar dhe kanë dështuar (UNMIK- EULEX )."Kosova nuk ka asnjë shans të vetëm që të bëhet shtet serioz, por do të funksionojë edhe shumë kohë si shtet karikaturë, kur e vjedhim dhe e shkelim shtetin tonë ne vetë e pse mos ta shkelin edhe të tjerët, edhe të huajt edhe miqtë, por edhe armiqtë tanë", u shpreh analisti Naim Miftari. 

(Kosova Sot)