1 vit e 9 muaj burg për kontraktuesin e kontratës koncesionare me Komunën e Ferizajt

  • 31 July 2015 - 10:37
1 vit e 9 muaj burg për kontraktuesin e kontratës koncesionare me Komunën e Ferizajt

Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, të enjten 30.07.2015, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit A.Z, i cili është shpallur fajtor për veprën penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 2 si dhe veprës penale mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve, nga neni 289 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për këtë u gjykua me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 1 (një) viti) e 9 (nëntë) muaj dhe dënim me gjobë në vlerë prej 3.000 euro.

I pandehuri A.Z  në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes NNP.”Liridoni”, ka qenë fitues i kontratës me koncesion, me komunën e Ferizajt  për finalizimin e objektit banesor dhe afarist P+5 në rr.”Ahmet Kaqiku” – Ferizaj.

"I pandehuri është shpallur fajtor dhe dënuar me dënim burgimi për veprat penale të sipër papërmendura për shkak se:

më 05.08.2001, në Ferizaj me anë të paraqitjes së rreme si pronar i banesave që gjenden ne objektin P+5 në rr.”Ahmet Kaqiku”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore duke ju shkaktuar dëme materiale personave tjerë e ka mashtruar të dëmtuarin V.M për shitjen e banesës së katit të parë në vlerë prej 40.470.00 euro dhe ka marr para nga i dëmtuari V.M edhe pse e ka ditur se banesat nuk janë pronë e tij por anë pronë e Komunës së Ferizajt.

Më dt. 14.07.2011 me anë të paraqitjes së rreme si pronarë i po të njëjtës ndërtesë, e ka mashtruar të dëmtuarin D.O dhe ka marr para nga i dëmtuari në vlerë prej 44.940.00 euro edhe pse e ka ditur se banesat nuk janë pronë e tij por e Komunës së Ferizajt.

Më dt.06.02.2012 me anë të paraqitjes së rreme si pronarë i po të njëjtës ndërtesë, e ka mashtruar të dëmtuarin F.U dhe ka marr para në vlerë prej 31.290.00 euro edhe pse e ka ditur se banesat nuk janë pronë e tij por e Komunës së Ferizajt.

Më d.t 26.02.2012  me anë të paraqitjes së rreme si pronarë i po të njëjtës ndërtesë, e ka mashtruar të dëmtuarin M.R të cilit i ka marr para në vlerë prej 26.000.00 euro edhe pse e ka ditur se banesat nuk janë pronë e tij por e Komunës së Ferizajt.

Më dt. 01.10.2013 i pandehuri A.Z  me anë të paraqitjes së rreme si pronarë i po të njëjtës ndërtesë, e ka mashtruar të dëmtuarin G.N të cilit i ka marr para në vlerë prej 35.040.00 euro edhe pse e ka ditur se banesat nuk janë pronë e tij por e Komunës së Ferizajt, me çka ka kryer veprën penale në vazhdim mashtrimi nga neni 335 par.2 të KPRK-së..

Gjithashtu i pandehuri duke mashtruar të dëmtuarit, i ka shkaktuar dëme kreditorit – buxhetit të Komunës së Ferizajt i cili ka lidhur kontrata të rrejshme me të dëmtuarit F.U, D.O, V.M, G.N dhe L.M, me çka ka kryer veprën penale mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve nga neni 289 par.2 të KPRK-së

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt", thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

(Kosova Sot)