Tregu, monopol i mafio-oligarkëve dhe nëntokës

  • 04 December 2017 - 08:00
Tregu, monopol i mafio-oligarkëve dhe nëntokës

EKONOMIA NUK ZHVILLOHET ME LAGFYTËSIT NDAJ PUSHTETIT QENDROR DHE ATIJ LOKAL

Sipas raportit të Bankës Botërore, të publikuar ditë më parë në Vjenë të Austrisë, dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën, në mes tjerash thuhet se Kosovës do t'i duhen deri në gjashtë dekada, në mënyrë që nivelet e të ardhurave të kapin ato të Bashkimit Evropian, nëse trendi i rritjes ekonomike vazhdon me shpejtësinë mesatare të arritur ndërmjet viteve 1995 dhe 2015. Kjo nënkupton se normat e rritjes që kanë dominuar në vitet e fundit, prej 3-4 për qind, duhet të dyfishohen në mënyrë që Kosova të përshpejtojë hapin me nivelin e Bashkimit Evropian. Por, analistët pyesin se si mund të rritet zhvillimi ekonomik, kur tregu vazhdon të mbetet monopol dhe peng i mafio-oligarkëve dhe nëntokës, të cilët po dyshohet se po ua lagin fytin politikanëve kosovarë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, duke i shpërblyer edhe me shëtitje me jahte. Ata pyesin se përse të gjitha qeveritë, përfshirë edhe këtë të tanishmen, nuk denjuan të luftojnë monopolet antikushtetutese dhe antiligjore dhe përveç tjerash shprehin shqetësimin se si asnjë prokuror nuk hapi rastet e krimit të organizuar ndaj monopoleve kriminale të vëllezërve "Devolli" që vazhdojnë të kenë monopolin e pastër në homologimin e veturave dhe shumëçka tjetër. 

Shahini: Nevojitet trajtimi i barabartë i bizneseve

Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i OEKut, dr. Namzi Mustafa, në një përgjigje për gazetën "Kosova Sot", është shprehur se raportet e BB-së dhe FMN-së nganjëherë janë stereotipa duke iu referuar vetëm të dhënave statistikore, pa hyrë në rrethana konkrete dhe specifitetet që fshihen brendapërbrenda tyre. Ai pastaj shpjegon periudhat e ndryshme, duke thënë se periudha 1995 për Kosovën ka qene tragjike, sepse ka qenë formë kolonializmi nga Serbia."Periudha 1999-2008 ka qenë një periudhë e administruar dhe e menaxhuar nën administratën e UNMIK-ut. Duke pasur parasysh dëmet, të cilat i ka shkaktuar pushtimi serb, dëmet nga lufta e '99 dhe përpjekjet e UNMIK-ut që së pari të bëhen aftësime infrastrukturore e me karakter social, mund të thuhet se edhe kjo periudhë ka qenë krejtësisht "shterpë". Sipas Mustafës, problemi kryesor i kësaj periudhe ka qenë, mospranimi i pronësisë shoqërore (ose shtetërore) i ndërmarrjeve dhe mosdhënia e mundësisë të regjistrimit të bizneseve të tyre që të vazhdojnë me veprimtarinë e tyre dhe paralelisht të hapet procesi i privatizimit sipas parimeve të aftësimit konkurrues. "Periudha 2008 - 2015 dhe më tutje, mund të karakterizohet si vazhdimësi e strategjisë së periudhës së administrimit të pasuksesshëm të UNMIK-ut dhe karakterizohet pa përpilim dhe implementim të një strategjie të re të ekonomisë së Kosovës, prandaj jemi ku jemi. Në bazë të shqyrtimit të tillë dhe aprovimit të një strategjie të mirëfilltë mund të jepen përgjigje sa do të mundet ekonomia e Kosovës të ndjekë ecuritë e ekonomisë së BE-së", është shprehur Mustafa, duke shtuar se është iluzore të thuhet e të shkruhet se Kosovës i nevojiten 6 dekada që ta arrijë shpejtësinë mesatare të arritur ndërmjet viteve 1995 dhe 2015. Kreu i AKB-së, Agim Shahini, theksoi për "Kosova Sot" se sa herë që raportohet për gjendjen ekonomike nga një organizatë ndërkombëtare alarmohemi duke u dhënë besueshmëri më të madhe raporteve të të huajve se atyre të vendorëve."Ne si AKB, që nga viti 2015, kemi thënë se një i ri i shkolluar që kreu shkollën në Kosovë në këtë vit do të duhet të presë 20 vjet për një vend pune. Kjo është një humbje e perspektivës për të gjetur një vend pune. Kurse raportet e ndërkombëtarëve këtë e çojnë shumë më larg deri në 6 dekada për të bërë një vend pune me këtë trend zhvillimi ekonomik që është në Kosovë", është shprehur ai. Shahini tutje ka shtuar: Ne kemi potenciale të zhvillimit të vendit dhe ka gatishmëri të bizneseve në Kosovë, por ajo që duam dhe kërkojmë është trajtimi i barabartë nga institucionet shtetërore. Sepse kemi biznese që për fatin e keq nuk e dinë as vetë se ku e kanë kapitalin dhe sa është kapitali i tyre dhe që nuk e dinë se si kanë ardhur deri tek kapitali. Pra, kemi biznese shumë të fuqishme saqë lënë përshtypjen se është një kapital i dyshimtë ose se këtu është duke u bërë një biznes i dyshimtë", është shprehur ai.

Beqiri: Me këtë garniturë politikanësh nuk pritet zhvillim i mirëfilltë ekonomik

Ndërsa, deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) theksoi për "Kosova Sot" se raporti BB-së duhet përshëndetur, sepse e paraqet gjendjen reale në Ballkan dhe në Kosovë dhe me gjasë kjo gjendje do të vazhdojë edhe shumë vjet."Arsyeja është e thjeshtë, se në Ballkan, e posaçërisht në Shqipëri dhe Kosovë, njerëzit vitalë dhe kuadrot e shkolluara po ikin nga vendet e tyre në mungesë të perspektivës. Jam i bezdisur se vendet evropiane po ua imponojnë një gjendje të tillë vendeve ballkanike dhe po i keqpërdorin për kuadro këto vende, duke ua imponuar një gjendje të tillë duke i mbajtur të ngulfatura e të izoluara dhe pa u dhënë mundësinë e perspektivës", është shprehur Hoti. Tutje ka shtuar: "Vërtet këtu gjendja është e rëndë dhe ka monopole në ekonomi. Ndaj jashtë funksionimit të sistemit të drejtësisë nuk po shoh një zgjedhje tjetër që mund të luftojnë dukuritë negative në vendin tonë, që tashmë nga paslufta janë të shtresuara dhe që janë të mbështetura nga grupet formale dhe joformale që qëndrojnë brenda dhe jashtë politikës". Hoti shpreson se me këto kapacitete të shtuara buxhetore për Mistrinë e Drejtësisë dhe Gjyqësinë e Prokurorinë ato do të arrijnë që t'i parandalojë këto dukuri që janë pengesa të mëdha dhe kryesore në bërje biznesi. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, theksoi për "Kosova Sot" se rritja ekonomike në vendin tonë asnjëherë nuk ka shkuar më shumë se 5 për qind, e këtë, sipas tij, e vërteton edhe raporti i Bankës Botërore se me këtë garniturë politikanësh nuk pritet zhvillim i mirëfilltë ekonomik. "Një rritje ekonomike prej 4 për qind nuk garanton kurrfarë zhvillimi. Jemi dëshmitarë të uljes së interesimit të investitorëve vendorë dhe të huaj të investojnë në Kosovë, gjuha e ashpër politike mes pozitës dhe opozitës, protestat e vazhdueshme, fenomeni haraç, mosfunksionimi i gjykatave bëjnë që mos të kemi investime të huaja. Gjithashtu edhe buxheti i vitit 2018 nuk parasheh zhvillim ekonomik. Pjesa më e madhe e buxhetit është orientuar në infrastrukturë rrugore, paga dhe mëditje, e shpenzime tjera, pa ndonjë plan konkret të zhvillimit ekonomik", është shprehur ai. Tutje ka shtuar se në Kosovë nuk mund të kesh sukses në biznes nëse nuk je në "lidhje" me politikën, ose nëse nuk e jep përqindjen e kërkuar.  

Badallaj: Qeveria kukull është e nënshtruar nga mafio-oligarkët

Analisti Reshat Badallaj theksoi për "Kosova Sot" se vendi ynë është i kapur nga dora e bandave të mafio-oligarkëve të kanaleve të nëntokës kriminale."Zhvillimi ekonomik ka ngecur dhe nuk ka shenja të rritjes. Është e kotë propaganda e tyre se ka rritje në zhvillimin ekonomik, siç e bënte këtë propagandë Isa Mustafa. Edhe kjo qeveri kukull po ashtu është nënshtruar nga mafio-oligarkët. Ku janë shenjat e rritjes së zhvillimit ekonomik në Kosovë, kur shihet ashiqare se tregut iu është zënë fryma nga monopolet që drejtohen nga banditët dhe mafio-oligarkëve të nivelit qendror dhe lokal me epiqendrën te niveli qendror", është shprehur Badallaj. "Nëse dikush mendon se vërtet në Kosove ka sistem gjyqësor dhe ka prokurori, mashtrohen keq. Ka prokurori kundër atyre që presin dru në mal, ose ndonjë hajduti që vjedh ndonjë gomar, por ku është prokuroria kundër bandës mafioze 'Devolli', që dëmtoi miliona euro buxhetin e Kosovës. Shikoni bandën 'Devolli', e cila që 9 vjet dhe sot vazhdon të ketë monopol për homologimin e veturave dhe prokuroria nuk reagon kurrë. Po pse nuk reagoi? Sepse shteti është i kapur, në duart e matrapazëve, mashtruesve dhe bandave që nuk punojnë për interesa të qytetarëve dhe për të mbrojtur shtetin për të cilin e kanë dhënë betimin", thotë analisti Badallaj. Ndërsa Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') theksoi për "Kosova Sot" se BB-ja ishte mirë e informuar edhe nga organizata jonë dhe ishte në rrjedha dhe i kishte mekanizmat e duhur brenda dhe jashtë Kosovës për t'i "ndjekur e korrigjuar" rrjedhat e gabuara socio-ekonomike. 

(Kosova Sot)