Johanes Han për vizitë në Sarajevë

  • 04 December 2017 - 15:07
Johanes Han për vizitë në Sarajevë

Komisari evropian për zgjerim dhe politikë fqinjsëore Johanes Han do të udhëtojë për në Sarajevë, ku me liderët boshnjakë do të bisedojë për reformat dhe procesin e eurointegrimit të Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas vlerësimit të gazetës sarajevase “Dnevni avaz”, Han praktikisht vjen në “inspektim” me qëllim që të bindet deri ku ka arritur BeH-ja në rrugën e plotësimit të detyrimeve që dalin nga e ashtuquajtura agjenda reformuese.

Një nga temat kryesore në takimet e Hanit me nikoqirët e tij do të jetë Pyetësori Komisionit Evropian, plotësimi i të cilit është një nga kushtet kyçe që vendi të marrë status të kandidatit për anëtarësim në BE. Afati përfundimtar për përgjigjen e Pyetësorit është 15 dhjetori.

Krahas kësaj, Hani dhe nikoqirët e tij do të bisedojnë edhe për ligjin për akciza dhe për buxhetin shtetëror të BeH-së për vitin 2018.

Pritet që eurokomisari, liderëve boshnjakë t’ua transmetojë edhe mesazhin e Brukselit se aktvendimet e Gjykatës së Hagës duhet të respektohen dhe ato nuk guxojnë të ndikojnë në raportin drejt reformave dhe rrugës evropiane të BeH-së.

Në fund të vizitës Han nesër do ta përurojë ndërtesën e re të Prokurorisë themelore të BeH-së, për ndërtimin e të cilit BE-ja ka siguruar mjete në vlerë prej rreth 1,4 milionë euro.

(Kosova Sot)