Rrjete të fuqishme kriminale të lidhura me politikën

  • 04 December 2017 - 07:32
Rrjete të fuqishme kriminale të lidhura me politikën

PARAJA E PISTË, E INVESTUAR NË PARAJSA FISKALE

Në mungesë të shtetit të mirë- filltë ligjor, të funksionimit joefikas të institucioneve të drejtësisë, analistët politikë vlerësojnë se Kosova si shtet i ri ka ardhur në atë situatë të kapjes nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, saqë edhe strukturat më primitive dhe të dhunshme kriminale u kthyen në organizata të komplikuara, të cilat investojnë në biznese të "ligjshme" të mafio-oligarkëve, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave, si në Kosovë po ashtu edhe në PARAJSA FISKALE, si dhe po ashtu bëjnë në promovimin e njerëzve pranë tyre në politikë. Sipas analistëve, duke funksionuar në këtë mënyrë janë forcuar, apo më mirë të themi janë bërë një lidhjet e politikës me organizatat kriminale të nëntokës në Kosovë dhe jashtë Kosovës dhe mbi këtë bazë realisht është bërë NËNTOKA MAFIOZE me mafio-oligarkët në "një limbo" mes aktiviteteve të paligjshme që i kanë pasuruar dhe i pasurojnë, si dhe atyre gjoja të ligjshme në të parë, përmes së cilave qarkullojnë dhe pastrojnë paratë. Është një dyshim dhe konstatim i njohësve të këtyre zhvillimeve negative që theksojnë se madje në këtë paligjshmëri janë lidhur në rreth kriminalë edhe personazhe nga gjykatat dhe prokuroritë, duke mos u marrë fare me mafio-oligarkët, politikanët e lidhur me ta, si dhe nëntokën, por edhe në rast se ndonjë rast i vogël dhe jo i rëndësishëm hapet, atëherë flitet për dënime qesharake.

Mulliqi: Krimi dhe korrupsioni depërtuan edhe në institucionet qendrore dhe ato lokale të vendit

Analisti politik Skënder Mulliqi pohon se që nga përfundimi i luftës krimi i organizuar dhe korrupsioni na janë bërë temat qendrore në jetën politike, ashtu edhe në jetën publicistike. "Dhe, kjo natyrisht me shumë arsye së kurrë këto dy fenomene negative shkatërrimtare për Kosovën nuk u luftuan sa duhet. Nuk u luftuan se krimi dhe korrupsioni depërtuan edhe në institucionet qendrore dhe ato lokale të vendit. Në anën tjetër, organet e rendit dhe organet e drejtë- sisë pikërisht për arsyen e cekur nuk patën mundësi t'u shpallin luftë të hapur këtyre dukurive negative. Në Kosovë krimi dhe korrupsioni u manifestuan në format më të vrazhda. Pastaj, krimi u manifestua edhe në llojet e veprave penale si trafikimet më drogë, trafikim të qenieve njerëzore, kontrabanda të tjera të ndryshme, shpëlarje parash etj. Vetë fakti së këto lloje të kriminaliteteve kanë arritur të depërtojnë dhe të lidhen me qarqet e pushtetit qendror dhe atij lokal kanë ndikuar me arsye te qytetarët se këto fenomene janë të pamposhtura", është shprehur analisti Mulliqi për "Kosova Sot". Sipas tij, qarqet kriminale të ndryshme bashkëpunojnë mirë me njëra-tjetrën edhe në pozitat rajonale."Këto lidhje apo implikime të njerëzve të politikës dhe të biznesit në veprimtari të ndryshme kriminale po e pengojnë edhe luftimin e tyre. Deri më tash pak kush dha përgjigje para organeve tona të drejtësisë, të profilit të lartë, ose edhe nëse kemi pasur raste të tilla dënimet kanë qenë të vogla. Zhvendosja e ndikimit të nëntokës në pushtet, apo ndikimi i saj në politikëbërje po e pamundëson edhe zhvillimin normal të sistemeve të jetës dhe të punës. Të gjithë këtë stagnim të ecurive ekonomike pikërisht duhet kërkuar në mosluftimin e duhur te të gjitha dukurive negative në shoqërinë tonë të re. Gjithnjë e më shumë për fatin tonë të keq po bëhemi shoqëri e kriminalizuar dhe e korruptuar dhe ky është treguesi më i keq i së ardhmes tonë. Pa u zhbërë klanet dhe tarafet e kriminalizuara dhe të korruptuara nuk do të kemi funksionim normal të shtetit ligjor", është shprehur ai. Mulliqi shton se numri i madh i lëndëve të pazgjedhura në gjykatat e Kosovës është një fakt që tregon mosluftimin e nivelit të dëshiruar të krimit dhe të korrupsionit. 

KRIMI DHE KORRUPSIONI I KANË NË DORË SI POLITIKËN ASHTU EDHE SISTEMIN E DREJTËSISË

Reformat dhe Veting-u janë të pashmangshme nëse dëshirojmë të kemi shtet funksional, demokratik dhe shtet ligjor. Krimi dhe korrupsioni janë thellë të ngulitur në rrjedhat e shtetit të ri të Kosovës, edhe sipas njohësit tjetër të fushë së politikës, Skënder Kapitit. "Krimi i organizuar, korrupsioni dhe kleptokracia politike dhe ajo e drejtësisë janë ngritur në sistem. Dhe kur ndodh kjo që ka ndodhur në Kosovë dhe në Shqipëri, në këtë sistem demokratik, por i një demokracie pa moral dhe pa sundim të ligjit, ky sistem funksionon si një normalitet, por normalitet kundër atij normaliteti dhe moraliteti që duhet të promovojë demokracia e vërtetë. Krimi dhe korrupsioni i kanë në dorë si politikën ashtu edhe sistemin e drejtësisë, sepse ato, pra krimi, korrupsioni dhe gjithçka tjetër e paligjshme dhe abuzive janë njësh me politikën dhe gjyqësorin. Një gjendje e tillë ka bërë të mundur që edhe shoqëria, pjesë të saj dhe të shoqërisë civile që edhe ato të involvohen në këtë zhargon korrupsioni", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Skënder Kapiti.

"Në Kosovë shteti dhe ligji janë për qytetarin e thjeshtë, ndërsa për njerëzit e fortë dhe që janë të lidhur me politikën dhe njëherësh edhe me organet e rendit dhe të drejtësisë, ligji është i pafuqishëm. Mund të kujtojmë rastin e shpalljes si të pafajshëm të liderit të Nismës, z. Lima, dhe unë do të ndihesha krenar si qytetar i Kosovës nëse liderët tanë dalin të pafajshëm, sepse në njëfarë mënyre do t'i shkurtohet mandati i misionit EULEX-it, por kur e kujton rritjen marramendëse të pasurisë së z. Lima, logjika ekonomike nuk mund të pranojë që me shpejtësi me u rrit pasuria në krahasim me të hyrat", theksoi për "Kosova Sot", analisti Mustafë Kadrijaj

Pabarazi sipas ligjit

Njohësi i të gjitha zhvillimeve politike dhe ekonomike të pasluftës, ekspert i ekonomisë dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, thotë për gazetën "Kosova Sot" se asnjëherë dhe asnjë prej nesh nuk kemi pritur që sidomos pas Pavarësisë ne të jetojmë në varfëri, në një vend ku lulëzojnë bizneset monopoliste, ku kemi dëmtim të demokracisë, ngufatje dhe degradim të ekonomisë, si dhe pabarazi para ligjit. "Qytetari i Republikës së Kosovës edhe pse jeton në një vend të pasur me xehe dhe minerale është i papunë. Jemi vendi më i izoluar dhe më i varfër në botë. Nga shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare Republika e Kosovës shihet si vend i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe i qeverisjes së keqe, me një administratë joprofesioniste, gjyqësor të paaftë dhe të korruptuar. Në Kosovë pothuajse ka shumë pak investime të huaja për shkak se nuk ka klimë të volitshme për biznes dhe për shkak të monopoleve në Ekonomi në lëmi të caktuara. Shpresoj që tani Qeveria e z. Haradinaj do të ketë prioritet një luftë të pa kompromis në krimin e organizuar dhe luftë të ashpër kundër monopolit dhe evazionit fiskal. Prandaj, presim që kjo Qeveri shumë shpejt të dalë me rezultate pozitive në luftë kundër korrupsionit, për një gjyqësi të pa anshëm dhe në goditjen e krimit të organizuar në të gjitha lëmit e shoqërisë. Ne shpresojmë dhe besojmë se askush nuk do të jetë mbi ligjin", theksoi Neziraj. Analisti politik Ali Hertica megjithatë dyshon që edhe nëse ndodh që në të ardhmen e afërt të forcohet sundimi i ligjit, siç po zotohet kryeministri Haradinaj, një numër i madh i rrjeteve kriminale të lidhura me politikën mund t'i shpëtojnë kapjes nga ligji, sepse me kohë kanë bërë zgjidhje për fshehjen e gjahut të plaçkitur në vend."Skandali i shpërthyer së fundi në mediet ndërkombëtare ka nxjerrë në dritë mijëra llogari të fshehura të politikanëve, biznesmenëve të fuqishëm dhe të nëntokës, të cilët fshehin llogaritë e tyre në vendet përkatëse dhe i transferojnë ato në "Parajsa Fiskale", për t'iu shmangur kështu taksave në vendin e tyre apo shmangies së sekuestrimit në raste kur janë vënë në mënyrë të paligjshme, të një biznesi të pa lejuar ligjërisht nga oligarkët e nëntokës si në Kosovë ashtu edhe në parajsën fiskale", theksoi analisti Ali Hertica.

Sipas Ragip Guraziut, lidhjet e politikës me krimin e organizuar, tashmë janë ''kupola'' makabre që ka mbuluar shtetin e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve që po lëmë pas."Jemi dëshmitarë të afërt se sa ka evoluar krimi i organizuar në Kosovë dhe si e sa kanë arritur strukturat primitive dhe të dhunshme kriminale që të kthehen në organizata gati krejt legale, të cilat investuan gati dy dekada edhe gjatë këtij viti, në biznese të "ligjshme" të mafio-oligarkëve, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave, si në Kosovë po ashtu edhe në Parajsa Fiskale. Ato po ashtu bëjnë edhe promovimin e njerëzve pranë tyre në politikë, sepse janë forcuar tej mase, apo më mirë të themi janë bërë NJË dhe të pandarë në lidhjet e politikës me organizatat kriminale të nëntokës në Kosovë dhe jashtë Kosovës", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ragip Guraziu. "Kur politika dhe kapitalizmi ligjor korporohen dhe pajtohen me bizneset dhe me paranë e pistë, pra kur të parat i shmangen detyrimeve fiskale dhe bashkohen me paratë e krimit, të drogës dhe të hajnisë, atëherë sistemi demokratikoligjor ka falimentuar, biznesi i vogël dhe i mesëm gjithashtu falimentojnë, dallimet sociale midis një pakice oligako-mafioze dhe shumicës së popullsisë rriten e thellohen dhe për pasojë shoqëria dhe funksionimi i saj paralizohet", theksoi analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)