Kosova, buzë falimentimit

  • 05 December 2017 - 07:34
Kosova, buzë falimentimit

PAS 18 VJETËSH, POLITIKA E SOLLI EKONOMINË NË KOLAPS

Partitë që qeverisën, fajtore për situatën e rëndë

Ndonëse kanë kaluar 18 vjet që nga lufta, ndërsa miliarda euro janë dhënë donacione për zhvillimin e Kosovës, vendi është buzë kolapsit ekonomikosocial. Analistët dhe specialistët e kësaj fushe janë të mendimit se e tëra kjo po ndodh me fajin e politikanëve dhe të mafio-oligarkëve, që synojnë futjen nën kontrollin e plotë të tyre të ekonomisë përmes kompanive fantome e tenderomanisë. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri ka thënë për "Kosova Sot", se mund të konstatojmë lirshëm se Kosova është buzë falimentimit si pasojë e mospërgjegjësisë institucionale. "Edhe pas 18 vjet të mbarimit të luftës, kemi ende probleme të mëdha ekonomike, sociale e politike, shumica e kompanive publike janë në prag të falimentimit, një pjesë e madhe e tyre kanë shuar aktivitetin e tyre si pasojë e keqpërdorimeve nga ana e bordeve drejtuese", potencoi ai. "Kosova tash po importon shumicën e produkteve që i konsumon, nuk ka klimë të favorshme për prodhuesit vendorë, një treg tejet i pasigurt dhe me tendenca monopoliste të kompanive të udhëhequra nga politikanë, të cilët kanë regjistruar bizneset në emër tjetër, por ndikimi i tyre po vështirë- son punën e bizneseve aktuale, ndaj për pasojë e kemi edhe një import kaq të madh dhe kryesisht nga Serbia", u shpreh analisti Beqiri. 

Ekonomia, në tkurrje

Sipas Lulzim Beqirit, Kosova duhet që ta formojë një taskë forcë, e cila do të luftonte krimet ekonomike, ndikimin e politikës në tregun kosovar, monopolin dhe kërcënimet që vijnë nga ky lloj politikanësh të fshehur prapa perdeve. "Mospublikimi i të hyrave nga partitë politike është vepër e rëndë dhe lë vend për të dyshuar se nga i marrin financat. Jemi dëshmitarë se po qe se dikush vendos që të futet në ueb faqe të partive politike nuk gjen të publikuara pasqyrat financiare vjetore, përveç njërës parti opozitare, që ka kohë që i publikon pasqyrat financiare", theksoi ai. Lidhur me çështjen për gazetën " Kosova Sot" ka folur edhe Agim Shahini, lider i AKB-së."Kjo është një e vërtetë e hidhur se për arsye të politikave të deritashme të të gjitha qeverive tona, për të cilat koha e tregoi se ato kanë qenë politika ekonomike joadekuate për zhvillim të vendit, ekonomia e vendit është tkurrur vazhdimisht", tha ai. "Qasja e qeverive të deritashme duhet që të ndryshojë urgjentisht nga ana e Qeverisë 'Haradinaj', sepse fundja situatën nuk mund ta ndryshojnë njerëzit që e sollën këtë situatë politike dhe ekonomike, por këto ndryshime pozitive mund t'i bëjnë politikanët dhe njerëzit që kanë qasje të re, por edhe një guxim për eliminimin e këtyre pengesave", theksoi Shahini.

Pa mbështetje politike, mezi mbijeton kompania

Afaristi Ramadan Maloku, që është edhe anëtarë i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën"Kosova Sot" tha se akoma Kosova nuk është ekonomikisht shtet i falimentuar, por ndodhet gjithsesi në prag të falimentimit. "Nëse Qeveria e Ramush Haradinajt, por edhe klasa aktuale e politikanëve më të lartë të shtetit, qofshin pozitë apo edhe opozitë, nuk fillojnë urgjentisht me zbatimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, arrestimin e mafio-oligarkëve, Kosova brenda një periudhe shumë të shkurtër mundet edhe të falimentojë", vlerëson ai. Sipas tij, po deshe që të mbijetosh si biznes, është më se e obligueshme se duhesh që të kesh si dorë tuajën të djathtë dikë që është pjesë e politikës apo mafio-bizneseve, se ndryshe falimenton si biznes i ndershëm. Ndërsa, analisti i ekonomisë, Dardan Grapci ka thënë për " Kosova Sot" se në Kosovë mbi 60 për qind e të rinjve janë pa punë, kurse 20 për qind kanë marrë rrugën ilegale te shtetet e Bashkimit Evropian. "Nëse mirë i mendojmë këto statistika, do të kuptojmë që ky vend po udhëhiqet nga mafia dhe pushtetarët e korruptuar, bizneset e mëdha janë pjesë të klaneve mafioze, me fjalë tjera, Kosovën po e udhëheqin 4 biznesmenë dhe 6 politikanë. Prandaj, në Kosovë po të kishim një person që di të udhëheqë dhe të mendojë për këtë vend, nuk do të kishte fare problem, sepse shumë qytetarë do të kishin qenë të punësuar etj.", potencoi ai. Grapci thotë se këtu e luajnë rolin kryesor mafia - kriminale dhe politikanët, të cilët janë në pushtet. "Mos të ishte përzier politika në biznes, në ekonomi, jam i bindur që sot Kosova do të ishte 5 vjet më përpara se shtetet e rajonit", ka theksuar ai. Ndërsa, analisti Florim Rudhani tha për gazetën "Kosova Sot" se Kosova ka falimentuar në rrafshin ekonomik si shtet dhe privatizimi i ndërmarrjeve publike ishte pa asnjë vizion të qartë. "Papunësia është rritur, kanë përfituar politikanë dhe oligarkë të caktuar dhe mafia politike e nëntokës. Ndaj, përgjigjja se përse Kosova ka falimentuar ekonomikisht duhet që të pyeten seriozisht PDK-LDK", u shpreh ai. Sipas Rudhanit, janë këto dy subjekte politike që e kanë përgjegjësinë përse e kanë mashtruar popullin dhe kanë vepruar kundër interesit të përgjithshëm të qytetarëve.

(Kosova Sot)