Politika e korruptuar bllokon VETTING-un

  • 05 December 2017 - 07:41
Politika e korruptuar bllokon VETTING-un

KOSOVA NË UDHËKRYQIN E KORRUPSIONIT DHE KAPJES SË SHTETIT

Shteti në duart e zyrtarëve të kompromentuar

Pavarësisht që tema e VETTING-ut është debatuar shumë që nga inicimi i të njëjtës në Shqipëri, është diskutuar nga analistët dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe është raportuar dhe aktualizuar gati në baza ditore nga gazeta "Kosova Sot", e cila me vite të tëra është e vetmja që e kërkon këtë vetë pastrim nga krimi i organizuar në institucione të shtetit, politika kosovare sikur është barrikaduar në mos përkrahje të një ligji mbi VETTING-un. Analistët dhe njohësit e sundimit të ligjit konsiderojnë se bërja e një ligji të tillë që do ta pastron politikën kosovare dhe institucionet është detyrim i pashmangshëm dhe tani është vetëm momenti në pritje se kur do të drejtohen edhe presionet ndërkombëtare karshi politikës për t'u futur në një proces të tillë. Rezistenca e deritanishme ndaj një ligji të tillë, sipas analistëve vjen, sepse atij i druhen politikanët e inkriminuar, të cilët detyrimisht edhe ata do t'i nënshtroheshin kontrollit dhe verifikimeve të pasurive të pajustifikueshme dhe të fshehjes së tyre tek familjarët e tyre; të rekordeve kriminale dhe të lidhjeve të tyre me krimin politik, ekonomik dhe ordiner kriminal që po shkatërron e gllabëron shtetin dhe qytetarët e vendit. Analisti politik Skënder Kapiti, në bisedë me gazetën, ka thënë se edhe Kosovës i duhet tani më shumë se kurrë një VETTING gjithë- institucional, për të gjithë sistemin, sepse vetëm ashtu do pastrohet edhe skena politike, por edh vetë institucionet e shtetit."Kriminalizimi dhe korrupsioni, këto fenomene shumë të dëmshme e kanë infektuar shumë rëndë jo vetëm sistemin institucional shtetëror, por edhe i politikën, pushtetin qendror dhe lokal, administratën, gjyqësorin, shoqatat e shoqërisë civile si dhe mediet, por edhe shoqërinë në tërësi", u shpreh ai për "Kosova Sot". 

Nevojitet reagim më i fortë medial e shoqëror

Sipas Kapitit, miratimi i një ligji për VETTING-un në Kosovë është një domosdoshmëri dhe një urgjencë kombëtare me rëndësi jetike për shtetin dhe për shoqërinë kosovare. "Fatkeqësisht sot në Kosovë ka shumë pak zëra edhe nga media dhe shoqëria civile, të cilët proklamojnë dhe promovojnë domosdoshmërinë e një ligji VETTING apo reforme në drejtësi, e cila do të bënte të mundur çmontimin e korrupsionit të montuar në sistem, për pastrimin e politikës, të drejtësisë dhe të administratës, dhe do të vinte në funksion ligjin, shtetin dhe demokracinë. Politika kosovare deri më sot as që e përmend fare domosdoshmërinë e miratimit të një VETTING-u. Kjo tregon se ajo është e kapur nga krimi dhe korrupsioni dhe ka frikë për një VETTING vetëndëshkimor, pasi VETTINGu do ta pastronte së pari politikën", potencoi ai. "Është i pakuptimtë që edhe pushteti i katërt në demokraci që është forca, presioni, detyrimi dhe misioni opozitar që duhet të ketë media e lirë dhe e pavarur, kjo medie në Kosovë, me përjashtim të gazetës "KOSOVA SOT" hesht dhe e anashkalon duke mos promovuar publikisht domosdoshmërinë e një ligji VETTING", tha Skënder Kapiti. Ai madje këtë heshtje të shumicës së medieve e sheh me dyshimin se mbase edhe pjesa dërmuese e tyre mund të jenë të korruptuar."Kjo mos vallë do të thotë se edhe mediet janë kapur nga krimi, korrupsioni, janë joshur dhe janë bërë mercenare të tyre?! Mirë mediet, por nuk e di se përse edhe shoqëria kosovare nuk reagon dhe nuk proteston kundër politikes, për ta detyruar atë për miratimin e VETTINGut. Kjo që po ndodh me politikën, me mediet dhe me shoqërinë në Kosovë është po ai indiferentizëm dhe paralizë si e politikës, medieve dhe e shoqërisë në Shqipëri, të cilat edhe e kundërshtonin dhe e sabotonin, por shoqëria ishte apatike dhe joaktive në miratimin e VETTING-ut, dhe merita tërësore e miratimit të Ligjit të VETTING-ut në Shqipëri ishte vetëm këmbëngulja e SHBA-së", theksoi analisti Kapiti. 

Politikanët e shantazhuar me dosje

Analisti Gani Qarri i tha gazetës "Kosova Sot" se sa i takon Vetting-ut në vendin tonë, që në fillim duhet të bëhet e qartë se para emërimit të njerëzve në pozicione me rëndësi, sidomos në prokurori dhe gjyqësi, si dhe ministra e qeveritarë, paraprakisht do duhej të shikohej CV-ja e secilit prej tyre, të dihej saktësisht mbi të shkuarën dhe konfliktet e mundshme me ligjin, që ata mund të kenë pasur në të kaluarën e afërt a të largët. Sipas tij, ndryshe nuk mund të kemi as në VETTING. "Madje, të gjithë jemi dëshmitarë se përveç politikanëve të shantazhuar vendorë me dosje të shumëfishta, por të pasqaruara deri në fund asnjëherë nga Vetting-u, me arsye druajnë edhe zyrtarët ndërkombëtarë, madje pikë së pari EULEX-i vetë dhe përfaqësues të tjerë të huaj, të cilët dyshohet me të drejtë se jo vetëm kanë bashkëpunuar pareshtur, por dëshmitë e herëpashershme flasin hapur se një pjesë jo e vogël e tyre edhe janë të lidhur drejtpërsë- drejti dhe koketojnë në vijimësi me krimin e organizuar në vend", vijoi më tutje ai."Kështu që përkundër problemeve që ndër vite përcjellin prokurorinë dhe drejtësinë e shtetit tonë të ri është evidente se me gjithë efektet pozitive që ka sjell miratimi i ligjit për reformat në gjyqësorin e Shqipërisë, fatkeqë- sisht VETTING-u, në Kosovë sot e kësaj dite ende nuk po gjen mbështetje, jo vetëm nga partitë në pozitë e ato në opozitë, si dhe e gjithë kasta e inkriminuar politike në vend, por nuk përkrahet as nga ndërkombëtarët. Kjo ndoshta edhe për faktin se shtetin tonë të ri nuk e përdorin vetëm politikanët vendorë për t'u pasuruar paligjshëm, por edhe zyrtarët e huaj ndërkombëtarë e shfrytëzojnë Kosovën tonë të vogël dhe me drejtësi të pareformuar, për shpëlarje pasurish marramendëse dhe pastrime të mëdha parash", potencoi Qarri.  

Nuk ka pastrim, pa vullnet politik

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, i tha gazetës "Kosova Sot" se Vetting-u si mjet juridik i spastrimit të sistemit institucional, juridik, atij prokurorial dhe gjyqësor, madje edhe në politikë dhe në polici, realizohet vetëm me mjete juridike nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por gjithsesi për këtë duhet vullneti politik në nivelin nacional, pa dallim në pozitë e opozitë."Në fakt ky është proces që në vazhdimësi duhet edhe kërkohet të zbatohet. Në sistemin prokurorial është kompetent për këtë detyrë Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në gjykata është kompetent Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Edhe organet e policisë e kanë një mekanizëm kontrollues. Ndërsa, politika e ka KQZ-në e Kosovës", u shpreh ai. Sipas Kelmendit janë disa hapa që duhet të ndërmerren: "1. Spastrimin e KPK dhe të KGJK nga elementët e papastër, të korruptuarit dhe shërbë- torët e ndryshëm, deri edhe të ish-spiunëve të UDB-së. Me këtë hapet rruga për përzgjedhjen e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. 2. Spastrimin e policisë dhe të organeve të policisë nga elementët e dyshimtë dhe të ish-regjimit. Nëse nuk ka mundësi tjetër duke nxjerr ligjin mbi pensionim nga mosha 55- vjeçare. Ky ligj do të spastronte policinë nga të gjithë elementët e dyshimtë nga ky mekanizëm i shtetit. 3. Spastrimin e politikës nga elementët e dyshimtë dhe kriminalë, nga familjet e ish-regjimit dhe të ashtuquajtur komunistët e Jugosllavisë. Me këta elementë është i mbushur pushteti shtetëror i Republikës së Kosovës dhe 4. Me nxjerrjen e ligjeve adekuate", vijoi më tutje analisti Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Nuk ka shtet të së drejtës pa dekriminalizim

Pa Vetting nuk mund të ketë shtet ligjor dhe drejtësi, edhe sipas analistit Faton Mehmeti. "Vetting-u është proces i domosdoshëm për Kosovën, si i vetmi proces që e dekriminalizon sistemin e drejtësisë dhe politikës. Verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bazament për të ndërtuar një shtet të së drejtës. Kosova nëse synon të ecë tutje duhet të çlirohet nga bandat që e kanë kapluar sistemin e drejtësisë dhe që s'po munden të lejojnë shtetin të zhvillohet. Vetting-u i drejtësisë dhe politikës duhet të bashkërendojë veprimet në proces të shkapjes së shtetit", u shpreh ai. "Pa vetting s' ka as zhvillim ekonomik, pasi askush nuk investon në një shtet të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Gjithashtu as Kosova s'mund të inkuadrohet në proceset euroatlantike dhe as s'do të ketë liberalizim të vizave. Prandaj, duhet me çdo kusht që Vetting-u të bëhet sa më parë, ndryshe rrezikojmë të tretemi në errësirën e fundosjes", tha Mehmeti për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Ali Hertica thotë se nëse edhe kjo legjislaturë e re e Kuvendit dhe e Qeverisë, me këta liderë politikë në pozitë dhe në opozitë, nuk dakordohen për VETTING-un, ata nuk e meritojnë më besimin qytetar në zgjedhjet që vijnë. "Nëse s'ka vetting edhe në këtë mandat, asnjë nga këto parti politike dhe liderë në Kosovë nuk e meritojnë më besimin dhe votën e qytetarit. Ndryshe është një çështje tepër urgjente dhe domosdoshmëri që edhe në Kosovë të iniciohet, të miratohet e të zbatohet me prioritet të veçantë Ligji për VETTINGun", vijoi më tej ai. "VETTING-u duhet të përfshijë politikanët në Qeveri - në institucionet qendrore të shtetit, gjegjë- sisht në administratat e inkriminuara të të dyja niveleve të qeverisjes, komunale dhe qendrore, dhe do t'i detyronte t'i nënshtroheshin verifikimeve të pasurive të pajustifikueshme e të paligjshme", tha Hertica për "Kosova Sot".

Analisti Skënder Mulliqi ka thënë se reformat janë bërë domosdoshmëri e kohës në të gjitha sistemet, jo vetëm në drejtësi. "Miratimi i projektligjit të Veting-ut do të shpejtonte zbatimin e reformave. Sikurse është kërkuar në Shqipëri nga BEja dhe Amerika, e njëjta gjë ishte dashur të kërkohet edhe për Kosovën, duke miratuar ligje si mbështetëse të këtij projektligji... Me ligjin e Veting-ut dhe zbatimin e tij në praktikë shumëkush nga njerëzit e politikës, parapolitikës dhe të biznesit do të mbeteshin pa pasurinë e tyre të paligjshme", tha Mulliqi për "Kosova Sot".

Bandat në rrezik nga zbatimi i ligjit

Analisti Reshat Badallaj thotë se miratimi i një ligji të tillë do të ishte shkatërrim dhe vdekje për bandat që e kanë kapur shtetin, prandaj tani për tani bandat nuk janë të gatshme ta luftojnë vetveten. Këtë epitet Badallaj ua jep partive politike, si pozitës edhe opozitës."Natyrisht se klasa politike, që unë mos e bëj Zot se e quaj klasë, po kjo është bandë politike dhe mjerisht ashtu doli që e quaj me vite të tera, nuk e përkrah ligjin mbi VETTING-un, sepse tej mase janë të zhytur në hajni dhe krim të organizuar. Ju garantoj me bindje të plotë se në asnjë vend të botës demokratike, përjashto bandat dhe banditët në Ballkan, që banditët dhe bandat politike të jenë me afera dhe skandale korruptive dhe lërë që nuk i burgosën, por këta banditë dhe kryebanditë zhvillojnë aktivitetin e tyre pa fije turpi, sepse janë të pafytyrë, të pakarakter dhe matrapazë", u shpreh ai. "Nuk ka rëndësi te ne a janë në pozitë apo në opozitë, janë të njëjtit hajna, matrapazë, dilenxhinj që shumë sosh janë të zhytur në krim deri në grykë dhe me kohë deshën apo s´deshën kryebanditët, banditët e bandave politike, ata të majave të shtetit dhe sistemi i kalbur gjyqësor të pranojnë se e vetmja gazetë lidere në Ballkan në gjuhën shqipe, që quhet "KOSOVA SOT", raportoi për krimin e organizuar kundër shtetit në çdo dikaster dhe kërkonte pastrimin e egjrës nga gruri, sepse ka parë me kohë dhe me fakte se është duke u zhvilluar ky krim i organizuar kundër shtetit dhe qytetarëve të saj", tha Badallaj për "Kosova Sot". Edhe Ragip Guraziu i ka thënë gazetës se është koha që të thyhet kjo rezistencë politike ndaj VETTING-ut si mjet i vetëm i pastrimit nga krimi dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e institucioneve dhe të politikës."Tani edhe detyrimisht duhet të ketë një vetting edhe për politikanët në Parlament, edhe në Qeveri dhe në institucionet qendrore të shtetit, në të gjitha komunat kosovare dhe në administratat e tej inkriminuara dhe jo vetëm për njerëzit e drejtësisë, por një VETTING i madh e gjithëpërfshirës, atij mbi politikanët e inkriminuar", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot". Sipas tij, këta politikanë detyrimisht edhe do t'i nënshtroheshin kontrollit dhe verifikimeve të pasurive të pajustifikueshme dhe të fshehjes tek familjarët e tyre; të rekordeve të tyre kriminale dhe të lidhjeve të tyre me krimin politik, ekonomik dhe ordinerë kriminalë që po shkatërrojnë e gllabërojnë shtetin dhe qytetarët e vendit. 

(Kosova Sot)