Drejtësia mbron mafio-oligarkët, shtyp qytetarët

  • 05 December 2017 - 07:52
Drejtësia mbron mafio-oligarkët, shtyp qytetarët

ZBATIMI I LIGJIT, DETYRIM I PAPËRMBUSHUR NGA INSTITUCIONET KOSOVARE

Gjykatat dhe prokuroritë duhet të depolitizohen dhe të dekriminalizohen

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se qytetari ka humbur tërë besimin në organet e drejtësisë teksa shantazhet, korrupsionin, e shohin si gjë dhe vepër normale pa të cilin nuk mund t'i shtyjnë para lëndët e tyre që rrinë me dekada nëpër sirtarë, të mbyllura ose edhe të humbura qëllimisht nga zyrtarët e drejtësisë, për ta mbrojtur dikë nën hije, dikë i cili ka lidhje politike ose është i pasur, e që këta njerëz të fuqishëm ligji vetëm i përkëdhel. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se pse prokuroria nuk vepron ex-officio, edhe pse mbase janë në dijeni për rastet konkrete të krimit të organizuar, e të cilat presin me vite të tëra pa marrë as edhe një hap konkret drejt hapjes së aktakuzave. Për atë se a është bërë shantazhi mjet i punës si në drejtësi ashtu edhe në politike, e gjithandej në institucionet e kapura nga krimi i organizuar, flet shkrimi në vijim. Analisti Naim Miftari, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se prokuroria, prokurorët, hetuesit e Kosovës edhe para se të punësohen kontaktohen nga parasistemet politike dhe u vihen kushte dhe tek pasi t'i pranojnë kushtet e paracaktuara atëherë pranohen në punë duke u udhëzuar. "Kjo do të thotë se akoma pa ia filluar punës një prokuror ose gjyqtar është përfaqë- sues i dikujt dhe jo përfaqësues i ligjit, por i politikës, e cila këmbët dhe duart i ka së bashku me krimin e organizuar. Por, edhe kur një prokuror tenton dhe do që të punojë ndershëm janë mekanizmat nga brenda që e ndrydhin, e etiketojnë dhe normal frika për punë, frika për jetë të vet bën që ai të tërhiqet nga akuza përkatëse e që ka pasur raste të tilla", ka theksuar Miftari. Sipas tij, problemi është tani më i madh kur qytetari ka humbur tërë besimin në organet e drejtësisë dhe shantazhet, korrupsionin e shohin si gjë dhe vepër normale pa të cilin nuk mund t'i shtyjnë para lëndët e tyre që rrinë me dekada nëpër sirtarë, të mbyllura ose edhe të humbura qëllimisht nga zyrtarët e drejtësisë, për ta mbrojtur dikë nën hije, dikë i cili ka lidhje politike ose është i pasur, pra këta njerëz të fuqishëm ligji vetëm i përkëdhel. 

Drejtësi shantazhesh

Analisti Naim Kelmendi thotë se prokuroria nuk vepron 'ex officio', ani pse siç tha mbase janë në dijeni për rastet konkrete të krimit të organizuar të nivelit të lartë, e që mbase shumë prej tyre i kanë edhe në tavolinat e tyre si padi penale nga qytetarët dhe të cilat presin me vite të tëra pa marrë as edhe një hap konkret drejt hapjes së aktakuzave. Së këndejmi, sipas tij të njëjtat raste mbase po i përdorin nëntoka dhe politikanët e inkriminuar, pra dosjet që po flenë në prokuroritë e Kosovës, për rivalet, për shantazhe pushteti, e jo për ta zbardhur drejtësinë, ku për rrjedhojë thuajse shantazhi është bërë mjet i punës si në drejtësi ashtu edhe në politikë e gjithandej në institucionet e kapura nga krimi i organizuar. "Pra, mbetet pak për të besuar se do të mund të arrihet një efikasitet i duhur i gjykimit dhe ndjekjes së kryesve të veprave penale krejt pandikueshëm dhe në pavarësi të plotë nga ndikimet e politikës", u shpreh ai. "Në anën tjetër pikërisht pavarësia e Prokurorisë dhe Gjyqësorit përgjithësisht është një standard i përcaktuar nga BE- ja që duhet përmbushur në mënyrë që Kosova të ecën drejt integrimeve evropiane, andaj edhe është koha e fundit që këtë, gjyqësia dhe Prokuroria jonë duhet ta kuptojnë dhe ta marrin më se seriozisht, ngase në të kundërtën ngecjet në këtë drejtim do të jenë me pasoja të njëjta sikurse deri më tani", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. 

Të varur nga partitë

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka nënvizuar se problemi këtu është se nuk kanë guxim që të merren me rastet e tilla dhe siç tha ne nuk kemi traditë që prokurori ose gjykatësi të sakrifikojë dhe të rrezikojë jetën për t'i shërbyer atdheut, prandaj sipas tij nuk merren me raste të rënda dhe merren vetëm me raste të lehta, me ata që i ka dënuar njëherë partia e pastaj lehtë është që vetëm tua shqiptojnë dënimin."Faktikisht gjykatësit dhe prokurorët tanë d.m.th. nuk e kuptojnë rolin që e kanë në tërësinë e tij dhe e kuptojnë vetëm ashtu si ka qenë në kohën e komunizmit, ku në atë kohë tjetërkush i ka dënuar, ndërsa këta vetëm kanë shqiptuar dënimin, pra kanë qenë në një mënyrë zëdhënës teknikë të masave që ia ka marrë partia, në qoftë se kjo e fundit ka dhënë se duhet të dënohet 10 vite burg gjykatësi vetëm ka shkruar vendimin në bazë të këtij apo atij neni dhe prokuroi e ka përgatit aktakuzën ashtu siç faktikisht e ka bërë gati partia", potencoi ai. "Por, tani në sistem demokratik është tjetër gjë, ku prokurori e gjykatësi duhet të veprojnë në bazë të ligjit, në bazë të parimeve, të motivuar nga ndjenja thjesht patriotike, e cila zakonisht dhe profesionalisht u mungon. Ka qenë e natyrshme që në kohën e pushtimit patriotët mos të shkojnë të bëhen gjykatës, prokurorë etj., sepse kanë qenë në shërbim të armikut faktikisht, por tash ne kemi krijuar shtetin, por s' kemi krijuar vetëdijen se tash njerëzit më patriotë dhe ata më të sakrificës duhet të bëhen pikërisht prokurorë e gjykatës, sepse ata janë shtylla kryesore e shtetit", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Nexhmedin Spahiu. 

Korrupsioni i lartë, brengosës

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka veçuar se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy problemet kryesore më të përhapura dhe më perceptuese e më brengosëse në Kosovë, derisa, sipas tij, problemi bëhet edhe më i rëndë dhe më brengosës e dëshpërues kur perceptimet, analizat e sondazhet që janë bërë qoftë nga 'Trasparency Internacional' dhe nga vrojtuesit tjetër e nga institutet e ndryshme që përcjellin veprimtarinë e drejtësisë kur korrupsioni dhe krimi i organizuar faktikisht kanë marrë përmasa edhe institucionale dhe në qarqe apo në nivele të larta."Pra, kjo është më se brengosëse, prandaj ne krahas domosdosë që e kemi si institucione që për çdo ditë duke kryer punën e përditshme gjyqtarët dhe prokurorët dhe institucionet e tjera të drejtësisë ta bëjnë detyrën e tyre sa më me efikasitet dhe përkushtim e përgjegjësi në luftimin e këtyre dy fenomeneve, por kjo fatkeqësisht po ndodh me shumë ngadalësi dhe me mosefikasitet dhe po ka ndikim politik nga jashtë e nga brenda në mënyrë që thjesht të mos mund të ushtrohen këto detyra dhe të luftohet ky fenomen kaq brengosës dhe kaq i dëmshëm e me pasoja për ardhmërinë e vendit në institucionet e drejtësisë", u shpreh ai."Të punohet me shpejtësi dhe thellësi në mënyrë që të bëhet reformimi i sistemit dhe të ndryshohen e shtohen ligjet e duhura, të shkruhen ligje të reja edhe një vetting sa më shpejt dhe gjithëpërfshirës në gjerësi e thellësi në mënyrë që të ndryshohet gjendja, të avancohet sistemi dhe të lirohemi një herë e mirë nga këto fenomene kaq negative", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)