Prokuroria ngrit aktakuzë kundër Enver Hasanit

  • 31 July 2015 - 15:39
Prokuroria ngrit aktakuzë kundër Enver Hasanit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  për veprën penale "Mashtrimi në detyrë", kundër të pandehurve Enver Hasani, ish rektor i Universitetit të Prishtinës Hakif Veliu, ish shef i zyrës së prokurimit në UP dhe Albert Ragipi drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

Sipas aktakuzës të pandehurit: Enver Hasani, Hakif Veliu dhe Albert  Ragipi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale "Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës". Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë kanë shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere. Në këtë mënyrë të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70.426,90€.

Kontratën e falsifikuar, më datën 13 dhjetor 2008, i pandehuri Enver Hasani, e ka dërguar në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi, i cili e ka nënshkruar dhe vulosur atë në emër të Institutit. Duke e shfrytëzuar kontratën e falsifikuar i pandehuri Albert Rakipi, më datën 13.07.2009, e ka dërguar në Universitetin e Prishtinës, faturën për përkthimin e librave të llogaritur sipas njësisë matëse "karaktere" në shumë të përgjithshme prej 87,541,80 euro, të cilën pagesë e ka lejuar i pandehuri Hakif Veliu.  Gjithashtu, më datën 02.12.2009, i pandehuri Albert Rakipi ka dorëzuar në Universitetin e Prishtinës edhe një faturë për përkthimin e njëmbëdhjetë librave, të llogaritur sipas njësisë matëse "karaktere", në shumë prej 299.488,75€, e cila faturë nuk është paguar, dhe për të cilën  ISN-ja pretendon se UP-ja i ka borxh. 

Me çka të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: "Mashtrimi në detyrë", nga neni 341 par. 3 lidhur me par. 1, lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendëse e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën e kryer penale dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka kërkuar që Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Tirana t'ia kompensojë Universitetit të Prishtinës dëmin në shumën prej 70.426,90€.

(Kosova Sot)