Sherr mes familjes shqiptare dhe italiane, plagoset i riu shqiptar

  • 31 July 2015 - 16:53
Sherr mes familjes shqiptare dhe italiane, plagoset i riu shqiptar

Një 33-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë me thikë mbrëmjen e djeshme nga një shtetas italian dhe shkak është bërë një zënkë mes dy fëmijëve të mitur të dy familjeve.

Një sherr mes dy të miturve 17-vjeçarë ka bërë një familje shqiptare dhe një italiane të përleshen mes tyre në Avezzano, në provincën e Aquila-s.

Nga ky sherr ka mbetur i plagosur shtetasi shqiptar me inicialet N.A., i cili është goditur me thikë në shpinë. Ai është dërguar në spital në gjendje kritike për jetën.

Policia ka arrestuar të gjithë personat e përfshirë në konflikt, nën akuzën e “trazirave dhe dëmtimi i rëndë trupor”.

Në mbrëmjen e së enjtes, dy të rinj, shqiptar dhe italian, janë grindur mes tyre për motive banale dhe gjithçka ka ndodhur ua kanë treguar familjarëve të tyre. Dy persona nga familja e shqiptarit kanë dalë të kërkojnë italianin të marrë hak, por janë përballur me familjen e italianit që gjithashtu kishte dalë të merrte hak.

Në diskutim e sipër, një prej italianëve ka nxjerrë thikën dhe ka goditur shqiptarin, ndërsa personat e tjerë kanë pësuar lëndime trupore, përcjell Shekulli.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka arrestuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje.