Skandalet dhe aferat korruptive të Shpend Jahtit&Co hapin "Kutinë e Pandorës" në VV

  • 11 December 2017 - 07:37
Skandalet dhe aferat korruptive të Shpend Jahtit&Co hapin

Duke parë zhvillimet e fundit në Lëvizjen "Vetëvendosje", përplasjet që ndodhën pas publikimit të mesazheve fyese në një komunikim mes anëtarëve të VV-së, epitetin e ulët të Aida Dërgutit ndaj themeluesit të Lëvizjes, Albin Kurtit, analistët politikë theksojnë se ky zhvillim i papritur tregon mjaftueshëm se sa u inkriminua thellë në krimin e organizuar partia e Lëvizjes "Vetëvendosje" për këto pak vite të shijimit të pushtetit, në atë lokal. Sipas tyre, tanimë këtë subjekt politik po e përçajnë pikërisht interesat dhe aferat me jahte e aeroplanë privatë të kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe njerëzve të lidhur me atë në Komunën e Prishtinës, për përfitime nga krimi dhe për dominim brenda VV-së. Madje një sinjal konkret të zgjidhjes së lëmshit e pati paralajmëruar edhe Albin Kurti në një seancë të Kuvendit, kur tërthorazi e pati sulmuar Shpend Ahmetin për qumështin e Devollëve. Analistët theksojnë se sidomos tani mesazhi i Aida Dërgutit flet për Albin Kurtin, për ndarje të thellë, e që burimi i pakënaqësive të mëdha që mbretërojnë në këtë lëvizje lidhet me aferat e skandaleve dhe korrupsionit në komunën e Prishtinës, sepse këtë të mbrapshtë sipas tyre ia dhanë aferat e vazhdueshme në Prishtinë dhe ky mund të jetë vetëm fillimi i asaj që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Analistët nuk e fshehin tani dyshimin që në këtë lojë mund të jetë i përfshirë edhe vetë Blerim Devolli bashkë me klanin e jahtit, në krye me Dardan Sejdiun, Shpend Ahmetin, Dardan Molliqajn dhe klikën e tyre që po synojnë rrëzimin dhe eliminimin e Kurtit nga ndikimi e vendimmarrja. Sepse, sipas tyre, me këtë qarje të tashme vetëm sa u zbardh paksa, por se do të zbardhet edhe më tutje fytyra e vërtetë, tanimë kriminale, e VV-së,me marrjen e qeverisjes kriminale të kryeqytetit. Publikimi i mesazheve inkriminuese në mediet kosovare, ku deputetja Aida Dërguti shprehet në mënyrë tepër fyese ndaj liderit faktik të VV-së, Albin Kurti, duke e quajtur m.. e ka hapur 'Kutinë e Pandorës' edhe për këtë subjekt, që si të gjitha partitë e tjera tanimë të inkriminuara ka filluar të bëjë gjithfarë pazaresh të pista e kriminale vetëm e vetëm që të qëndrojë e të përfitojë kriminalisht në pushtet. Në pamundësi teknike për të marrë prononcimin e Albin Kurtit, gazeta ka kontaktuar me kreun e komunës së Prishtinës,Shpend Ahmeti, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur si gjithmonë. Përgjigje nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli si gjithmonë.

Image

Grapci: Prishtina shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

 Sipas Mustafë Kadrijajt, Lëvizja 'Vetëvendosje' me në krye liderin dhe udhërrëfyesin në fillim ka qenë shpresë për qytetarët, por ndryshimet në kupolën e këtij subjekti politik kanë filluar rrënimin dhe degradimin e skajshëm që prodhoi edhe klanin "Pronto 2". "Me ardhjen në shprehje të Visar Imerit si lider juridik, por asnjëherë faktik, po ashtu edhe me aderimin e partisë FER me në krye Shpend Ahmetin (tezak i Visar Imerit), Lëvizja 'Vetëvendosje', përkundër rritjes, filloi të degradohet në parimet që i kishte në fillim. Me marrjen e Prishtinës nga 'Vetëvendosje' filloi degradimi, duke u involvuar në afera korruptive dhe me një qeverisje aspak investive, ku qytetari, përveç aparatit për procedim të certifikatave të lindjes dhe kunjave në Prishtinë, nuk e mban mënd diçka tjetër më të mirë dhe të gjitha këto duke iu faturuar në llogari të Albin Kurtit. Vitet e fundit, e sidomos në zgjedhat lokale, u vërejt që Albin Kurti ishte në krah të kandidatit për Prizren, pra sikur nuk ishte me rëndësi për të Prishtina", është shprehur Kadrijaj për gazetën "Kosova Sot". Një opinion kritik, por me pritje për ndryshime të thella në VV, pas këtyre përplasjeve, ka edhe njohësi i afërt i zhvillimeve politike në skenën kosovare, Ali Hertica. "Ajo që tani po reflekton si problem real në VV, që vjen pas sharjes se Aida Dërgutit për liderin e tyre, Kurtin, është fytyra e vërtetë e lakenjve brenda subjektit të tij politik, ku nuk është e lehtë të kontrollohet i tërë ai arsenal i jahteve të atij subjekti politik. Tani, kur kemi një gjendje si stuhinë para shiut, kur mbizotëron frika nga supremacia e 'Vetëvendosjes' dhe nga drejtësia, kjo po i tremb të lagurit si pafytyrësia politike e Aida Dërgutit ndaj bashkëpartiakut dhe liderit shpirtëror të VV-së, Alibin Kurti, e këtu po del që brenda subjektit politik të VV-së duhet të ketë ndryshime substanciale, sosh që me të vërtetë i duhen shoqërisë së Kosovës", u shpreh analisti Hertica për gazetën "Kosova Sot". Ai mendon se ndryshimet në këtë subjekt politik përfundimisht duhet të sjellin frymë të re dhe të pastruar nga hipoteka e së kaluarës së afërt kriminale. Analisti Dardan Grapci thotë se lëvizja 'Vetëvendosje', si lëvizje, por edhe si parti politike, është ditur më përpara që do të fillojë përçarjet në mesin e anëtareve të saj, sidomos nga strukturat e brendshme. Madje ai dyshon që këto përplasje mund të sjellin tërmet edhe në komunën e Prishtinës."Pushtetin lokal në njëfarë mënyre e kanë fituar dhe do ta shijojnë edhe për 4 vjet, por duke e parë situatën se si po fyhen në mes vete anëtarët dhe ish- anëtarët e VV-së, mendoj që Prishtina shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, për ta zgjedhur kryetarin e ri të Prishtinës", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Dardan Grapci.

ZEQA: "KORPORATA KRIMINALE 'DEVOLLI', E LIDHUR ME PUSHTETIN KOMUNAL NË KRYEQYTET, MË E RREZIKSHME SESA KËTA TË DERITASHMIT TË KLANIT "PRONTO"NË PUSHTETIN QENDROR"

Analisti politik Florim Zeqa konstaton se çarjet në VV e kanë zanafillën bukur herët. Këtë gjendje të krijuar në VV e analizon me një fjalë të urtë popullore nga Rrafshi i Dukagjinit, e cila thotë: "Mazraku në thes nuk hyn"! "Sado që krerët e VV-së për vite u munduan t'i mbajnë të mbyllura përçarjet dhe ndasitë brenda këtij subjekti politik, shpërthyen siç është më së keqi në mediet elektronike! Publikimi i mesazheve fyese dhe denigruese ndaj liderit faktik të VV-së, Albin Kurti, shënon hapjen e 'Kutisë së Pandorës' edhe për këtë subjekt, sikurse në të gjitha partitë e tjera, tanimë të inkriminuara", është shprehur Zeqa për gazetën "Kosova Sot". Ai tutje ka shtuar: "Korporata kriminale 'Devolli', e lidhur me pushtetin komunal në kryeqytet, mund të jetë më e fuqishme dhe më e rrezikshme sesa këta të deritashmit të klanit "Pronto" dhe "Gorenje" në pushtetin qendror! Tërheqja "taktike" e Albin Kurtit nga kreu i VV-së nuk doli të jetë ide shumë e qëlluar! Vakumin e krijuar e shfrytëzuan për mrekulli grupet e interesit brenda VV-së për qëllime personale. Lidhja dhe bashkërendimi i grupeve të caktuara me bizneset dhe kompanitë e inkriminuara e shndërruan VV-në nga një organizatë të pastër kombëtare në një korporatë fitimprurëse të njerëzve të inkriminuar brenda këtij subjekti politik që i dhanë të mbrapshtën këtij subjekti me aferat e vazhdueshme korruptive në qeverisjen e Prishtinës"

Image

KAPITI: PROVA E PUSHTETIT DHE E PARASË UA NXJERRI VV-SË NË DRITË TË DIELLIT POSHTËRSINË, KORRUPSIONIN, VJEDHJET DHE ABUZIMET

 Sipas analistit Skënder Kapiti, rasti i degradimit nga korrupsioni i "Vetëvendosjes" nuk përbën diçka rastësore për të, pasi është traditë e partive politike shqiptare, ku prova e pushtetit dhe e parasë ua zbulon dhe ua nxjerrë atyre në dritë të diellit poshtërsinë, korrupsionin, vjedhjet dhe abuzimet me gjithfarë shansesh që ua mundëson atyre profesioni i pandershëm i politikës. "Përvoja dhe realiteti i politikës, i politikanëve shqiptarë, i pushtetarëve dhe i zullumqarëve të tjerë ka treguar se po deshe ta zbulosh se cili është karakteri dhe morali i tyre shikoje se çfarë ata bëjnë me pushtetin dhe me paranë e fituar prej tij. Por ajo që u vu re për "Vetëvendosjen"' është fakti se shiko se çfarë përfaqësuesit e saj bënë vetëm me pushtetin lokal, duke keqqeverisur Prishtinën Shpend Ahmeti me kompani. Dhe, pyesim po sikur këtyre t'u jepej shansi për ta qeverisur Kosovën, ku mund të ndalen korrupsioni, hajdutëria dhe abuzimi i tyre. Krisja dhe shpërthimi i ngatërresave brenda "Vetëvendosjes" nuk besoj se bëhet për motive morali, ndershmërie, kundër korrupsionit dhe abuzimeve të atyre të cilët janë përfshirë dhe akuzohen për to, por e vërteta e krisjeve dhe "pakënaqësive" brenda partive politike shqiptare vjen prej konkurrencës dhe egoizmit, sa për t'i larguar ata dhe për t'ua zënë vendin dhe për ta vazhduar të njëjtin avaz korrupsioni, por me individë të tjerë të rinj", është shprehur analisti Kapiti për gazetën "Kosova Sot".

QARRI:GRUPI I SHPEND AHMETIT, DARDAN SEJDIUT E DARDAN MOLLIQAJT, JANË LIDHUR PASHKËPUTSHËM ME MAFIO-OLIGARKËT MË TË MËDHENJ

Analisti Gani Qarri thotë se,përkundër faktit se në të gjitha prononcimet e veta Lëvizja "Vetëvendosje",gjatë gjithë kohës, betohej se kinse prioritet i saj kryesor mbetej 'sundimi i rendit dhe ligjit' në Kosovë,fatkeqësisht po kjo lëvizje dhe vetë udhëheqësit kryesorë të saj japin shembullin më të keq të mundshëm,për lidhjet dykahëshe tejet inkriminuese dhe thellësisht korruptive në vendin tonë."Po kjo parti kontroverse,siç edhe u dëshmua kohët e fundit,jo vetëm se kishte kohë që brenda saj kishin shpërthyer përplasje më të mëdha klanore,por ajo edhe ishte ndarë në dy grupe të mëdha.Njërit grup,siç dihet deri më tani,i printe Albin Kurti,i cili jo vetëm se hoqi dorë krejtësisht nga platforma kombëtare dhe u lidh tepër fort me ekstremizmin islamik,por papritur u bë edhe zëdhënës i projekteve ekstremiste, duke marrë në dorë flamurin për imponimin e mbulesave turko-arabe,femrave shqiptare,që nga mosha 16-vjeçare,siç shprehej ai,për përfitime të majme monetare nga njerëz dhe organizata të dyshimta të lindjes së afërt e të largët. Kurse,grupi i Shpend Ahmetit,Dardan Sejdiut e Dardan Molliqajt,në anën tjetër, ishin lidhur pashkëputshëm me mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend,si udhëheqësit e kompanisë më të inkriminuar të vëllezërve Devolli,mënyra kontroverse veprimi nga të dy grupet,që degraduan dhe inkriminuan thellë në krimin e organizuar VV-në,apo partinë siç konsiderohej "të shpresave" për këto pak vite të shijimit të pushtetit,qoftë ai edhe vetëm lokal apo më gjerë.Kështu dhe në këtë formë këtë subjekt politik po e përçajnë interesat e ndryshme grupore,qoftë aferat korruptive me jahte e aeroplanë të Shpend Ahmetit & Co,aq më tepër lidhjet e panatyrshme të Albini Kurtit me ekstremizmin islamik.Për aq më keq,përveç përfshirjes së hapur në paligjësi të njohura nga kjo parti,edhe mosrespektimi i drejtësisë,ligjeve dhe institucioneve shtetërore,si dhe kundërvënies agresive e konfrontimeve të ashpra,kohët e fundit me policinë dhe organet e rendit të Republikës sonë çuan në prodhimin e shprehjeve fyese nga Aida Dërguti,si bie fjala m..për Albin Kurtin",theksoi analisti Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot".Ai madje konstaton se mesazhi i saj për Albin Kurtin,jo vetëm se flet hapur për ndarje të thellë brendapërbrenda vetë partisë,por paraqet edhe reagimin e fuqishëm dhe mospajtimin më të fortë deri më tani të një anëtareje të hershme të VV-së dhe luftëtareje të devotshme e të respektuar të UÇK-së,e cila assesi nuk mundi ta përpinte hedhjen e idesë me aq përçmim për bashkim kombëtar nga Albin Kurti dhe marrjen e flamurit për çuarjen përpara të projekteve islamike nga vetë kryetari faktik i VV-së.Qarri thekson se për herë të parë po konfirmohet edhe publikisht se lufta kryesore është përqendruar pikërisht ndërmjet këtyre dy grupeve,që pikënisjen e ka moti dhe nuk është vetëm aktuale apo që ka filluar vetëm tani. "Shihet katërçipërisht se si klani i Shpend Jahtit,Dardan Sejdiut,Dardan Molliqajt etj.,të mbështetur nga Blerim Devolli,dhe ai i Albin Kurtit dhe anëtarëve me orientim ekstremist fetar,si Hysamedin Feraj,Korenica etj.,po luftojnë me të gjitha forcat dhe mundësitë,me ndihmat që u vijnë edhe nga mbështetësit e jashtëm kontroversë,për mënjanimin e njëri-tjetrit nga udhëheqja dhe kryesia e partisë.Kjo luftë dhe publikimi i mesazheve inkriminuese në mediet kosovare,me ç`rast Aida Dërguti shprehet në mënyrën më fyese ndaj liderit faktik të VV-së,Albin Kurti,jo vetëm se zbardhi përplasjet e kamotshme brenda VV-së,por zbuloi edhe fytyrën e vërtetë kriminale të disa prej anëtarëve kryesorë të kësaj partie,përfshirë edhe qeverisjen e inkriminuar në kryeqytetit",është shprehur Qarri.Ai shton se madje disa nga njerëzit më të pushtetshëm në VV jo vetëm se po dëshmojnë që mund të jenë edhe më të këqij se ata të deritashmit të klanit 'Pronto',por se Albin Kurti me shokë vërtet mund të jenë shndërruar në dorë të zgjatur të ekstremizmit islamik në vend,përderisa grupi i Shpend Ahmetit me shokë,një filial i fshehur i vëllezërve Devolli në VV,në Kuvend dhe në komunën e Prishtinës,gjë që mund të çojë në qarje të partisë dhe ndarjen përfundimtare të saj në dy pjesë.

Image

 

(Kosova Sot)