Fikja e kamerave në Dogana urdhërohet nga mafio-oligarkët dhe nëntoka

  • 11 December 2017 - 07:53
Fikja e kamerave në Dogana urdhërohet nga mafio-oligarkët dhe nëntoka

Dëmet që po i bëhen buxhetit të qytetarëve tanë me evazionin fiskal janë marramendëse dhe kohëve të fundit vetëm u rikonfirmua ajo që ka shkruar disa herë rresht gazeta "Kosova Sot" për fikjen e kamerave në Dogana edhe nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. Pikërisht përmes kësaj skeme mafioze futen mallra kontrabandë në vlera qindra- milionëshe nëpër të gjitha pikëkalimet kufitare edhe ditën, edhe natën. Analistët e ekonomisë, përfaqësues të bizneseve dhe deputetë të tashëm e të mëhershëm të Kuvendit të Kosovës, janë të bindur se prapa këtyre punëve të pista qëndrojnë të porositur e të paguar vetë mafio-oligarkët e pushtetit, që janë të lidhur në bashkë-ortakëri të fshehtë me mafio-oligarkët e bizneseve të pista , që është një krim perfid që u denoncua nga vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. Siç dihet, të enjten, në seancën plenare, Xhavit Haliti foli hapur për kontrabandën evidente që po bëhet "ashiqare" ndër vite dhe pandalshëm, duke kërkuar forcim serioz të kontrollit të Doganave, meqë, sipas tij, po bëhet kontrabanda më e madhe me mallra që kanë akcizë , si cigaret, naftë,alkooli, derivatet dhe të tjera. Së këndejmi, analistët shtrojnë pyetjen se përse po hesht kryeministri dhe Qeveria e tij, por për më keq pse po hesht edhe Prokuroria Speciale, e cila sigurisht që ka informata të bollshme se ky pretendim qëndron dhe se është i vërtetë, apo mos edhe ata janë pjesë të timonit dhe të tortës së përfitimit kriminal. Andaj, ata edhe e shtrojnë çështjen se a do të denjojë Prokuroria të hapë hetimet për të provuar këto deklarime se çka realisht po ndodh dhe nga kush në Dogana? Ata pyesin se deri kur do të heshtë Prokuroria Speciale e kryesuar nga Reshat Millaku, e cila nuk po vepron, edhe pse Doganat po lejojnë ashiqare kontrabandën më të madhe qindra-milionëshe, por edhe që janë përgjegjës edhe penalisht për krim të rëndë ekonomik, duke fikur kamerat që kontrollohen nga zyrtarë shteti, për të lejuar kamionët e autobotet të hyjnë ilegalisht edhe ditën me diell, edhe natën. Ata thonë se duhet të përballen me ligjin dhe me këto pretendime e fakte të gjithë ish-zyrtarët dhe zyrtarët aktualë të nivelit të lartë në Dogana, duke filluar që nga ish-drejtuesit Naim Huruglica e Lulzim Rafuna, sikur edhe drejtuesit aktualë në Dogana, që për shumë vjet po fikin kamerat e Doganave dhe ngritin trarin - laurën e Doganës në kufi për të kontrabanduar ilegalisht me dhjetëra maune e autobote brenda ditës, por edhe natës, bashkë me urdhërdhënësit dhe bizneset e inkriminuara që i kanë sjellë e mbajtur aty si zyrtarë të lartë të shtetit, por në funksion e me detyra që të punojnë për krimin e organizuar dhe kundër interesave të shtetit dhe sigurisë kombëtare e shtetërore. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e gazetës në adresë të Qeverisë së Kosovës, por edhe të Prokurorisë Speciale të Shtetit për çështjet e ngritura nga ana e gazetës, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as Dogana, e as ish-drejtorët e lartpërmendur.

Image

Shahini: Bëhet fjalë për mallra me akcizë të lartë

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se nuk dihet se sa janë dëmet në momente të caktuara që po i bëhen buxhetit të shtetit nëpër Dogana tona, por nga fakti se thuhet se po fiken kamerat me qëllim për të kaluar maunat me mallra që jashtë kontrollit të Doganave kjo lë të dyshosh se bëhet fjalë për mallra, dhe akcizë të lartë. "Nuk e dimë se sa janë dëmet, por vlerësimet janë se informaliteti në Kosovë nga viti në vit ka pasur rritje dhe mbetet me shifra të njëjta deri në 35 për qind e GDP-së", është shprehur ai për gazetën "Kosova Sot". Ai thotë se bashkëpunimi në mes të Doganës dhe Policisë, por edhe me bizneset, nuk ka munguar dhe madje në disa raste ka pasur të arrestuar edhe nga biznesi, Doganat, por edhe nga Policia. "Viteve të fundit, dhe veçanërisht me drejtorin e ri, Doganat e Kosovës janë në një gjendje shumë më të mirë, ngase është shtuar kontrolli dhe së këndejmi presim se kontrollet do të duhej që të jepnin rezultate. Ne nuk po e dimë se në cilat pika po futen këto mallra dhe është për keqardhje që tërë vijën kufitare të Kosovës nuk e kontrollon edhe FSKja, por këtë e bën vetëm Policia e Kosovës, që janë forma të shëtitjes. Andaj, Policia e Kosovës doemos duhet që të furnizohet shumë më tepër me pajisje të sofistikuara për të mbrojtur kufijtë e Kosovës ", është shprehur Shahini. I pyeti pse po hesht Prokuroria Speciale në ndriçimin e rasteve të kontrabandës dhe fikjes së kamerave, Shahini beson se Prokuroria ende ndodhet në fazën fillestare të hetimeve, por shton se të gjitha institucionet e drejtësisë duhet që ta bëjnë punën e vet. Ndërsa, njohësi i mirë i çështjeve të ekonomisë, Milazim Abazi theksoi për gazetën " Kosova Sot', se mund të ketë pasur përpara veprime të tilla në Doganat e Kosovës për ato që ka thënë Xhavit Haliti, por shprehet i bindur se veprime mund të jenë bërë në të kaluarën e jo me drejtuesit e tashëm të Doganave të Kosovës, të cilat e kanë nisur punën për së mbari. Abazi thotë se është krejt e natyrshme se të gjitha lëshimet e të kaluarës, që janë bërë në Doganat e Kosovës, nuk mund të evitohen për një kohë aq të shkurtër nga drejtuesit e rinj të Doganave. "Në Dogana ka shumë më pak kontrabandë, por jo në atë masë sa ka qenë më herët dhe ka shumë më pak telashe sesa përpara. Përnjëherë nuk zgjidhen problemet, por është duke u punuar në drejtim të duhur", theksoi ai për "Kosova Sot" .

Maloku: Kamerat ndalen për qëllime të përfitimit

 Afaristi Ramadan Maloku për gazetën " Kosova Sot" theksoi se nuk ka asnjë fije dyshimi se me fikjen e kamerave në kufijtë e Doganave të Kosovës buxhetit të vendit po i shkaktohen dëme milionëshe. "Kjo, ngase në të gjitha këto raste bëhet fjalë për artikujt që e kanë akcizën më të lartë, derivate,cigare, alkool, kafja etj., që janë artikujt më të mëdhenj që i sjellin buxhetit mjete më së tepërmi. E tërë kjo kontrabandë bëhet qëllimshëm, ngase kamerat ndalen për qëllime të përfitimit të atyre që e bëjnë këtë kontrabandë të organizuar", është shprehur Maloku. Ndërsa, për heshtjen e Prokurorisë së Shtetit, Maloku theksoi se kjo po bëhet, ngase Prokuroria nuk është aq aktive, sepse po të ishte aktive nuk do të guxonin njerëzit as të ofrohen te kamerat. Deputeti aktuali i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), në prononcimin për gazetën,"Kosova Sot', theksoi se ka dëgjuar pohimin Xhavit Halit që e dha në seancën e Kuvendit dhe shtoi se gjithçka që i shmanget pagesave të taksave ndaj Doganës, e dëmton së tepërmi dhe shumë rëndë buxhetin e Kosovës. "Dhe, nëse vërtet po ndodh diç e tillë kjo është për keqardhje ajo çfarë po thuhet. Andaj, unë personalisht e përkrah idenë dhe kërkesën që e ka dhënë Xhavit Haliti, që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të luftohet informaliteti dhe krimi i organizuar", është shprehur ai. "Vërtet dëmet që po i bëhen buxhetit nga kjo dukuri e pashembullt janë shumë të mëdha dhe Qeveria e z. Haradinaj duhet që këto vërejtje t'i marrë shumë seriozisht ato që ka thënë Xhavit Haliti". Sipas Hotit, vetë fakti që këto akuza në adresë të drejtuesve të Doganës i ka thënë dhe i ka bërë një njeri, siç është Haliti, në atë pozitë, kjo nënkupton se të gjitha vërejtjet e bëra nga ana e tij është më se e nevojshme që Qeveria duhet që të merret seriozisht me këtë problem. "Këto veprime të shuarjes së kamerave nëpër Doganat e Kosovës po bëhen në mënyrë shumë të orkestruar nga të gjithë individët dhe aktorët që janë të involvuar dhe pjesëmarrës në këto punë të kontrabandë", është shprehur ai. Shton se këto veprime nuk janë të rastësishme dhe se këto punë po bëhen në mënyrë shumë të sinkronizuar.

Image

Neziraj: Për kontrabandë ka njohuri çdo qytetar, e lëre më udhëheqësit e vendit

 Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj theksoi për "Kosova Sot" se buxhetit të Republikës së Kosovës po i kushton miliona humbje nga kontrabanda që po bëhen në pikat doganore dhe jashtë pikave, e sidomos në produktet që kanë akcizë të lartë si cigaret, barnat, pijet alkoolike, po edhe derivatet e karburanteve, si nafta ,gazi dhe derivate të tjera të naftës. "Për këtë ka njohuri secili qytetar i vendit, e lëre më udhëheqësit e vendit dhe menaxherët e institucioneve përgjegjëse për këtë, si janë, Doganat, ATK-ja, por edhe Policia e krimeve ekonomike si dhe Prokuroria e vendit", është shprehur ai. "Na kujtohet që në kohën e Administrimit së UNMIK-ut, nga Mali i Zi është bartur nafta nëpërmes tubave, bile edhe para syve të organeve përgjegjëse, si vendore edhe ndërkombëtare, dhe për këtë askush nuk ka dhënë përgjegjësi dhe për këtë kanë shkruar gati të gjitha mediet e shkruara të vendit. Ndaj kjo tregon se deri më tani asnjëra nga qeveritë nuk kanë qenë të interesuara që të luftojnë këtë dukuri negative që është duke i kushtuar shumë buxhetit të vendit dhe po i forcon mafio-oligarkët e vendit që interesin e parë e kanë pasurimin personal të tyre". Sipas Nezirajt, është për t'u çuditur se si deri më tani asnjë nga prokurorët nuk kanë shfaqur interes që të luftojnë këtë dukuri, kurse në deklaratat para medieve të gjithë thonë se detyrë e tyre është lufta kundër kësaj dukurie. "Ndaj, Qeveria e Ramush Haradinajt duhet që urgjentisht të merret me këtë dukuri, nëse dëshirojnë që në vitet në vijim të kenë buxhet mbi 2 miliardësh dhe ketë rritje buxhetore për çdo vit, ashtu siç po deklaron ministri i Financave", është shprehur Neziraj. Analisti Florim Rudhani thotë për "Kosova Sot", se ajo se çfarë tha nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Xhavit Haliti është shumë shqetësuese me kontrabandën ilegale që është duke e lejuar dikush, e këta, sipas tij, janë mafia-oligarike që paguan për këtë kriminalitet që ndodh në akcizë, siç janë, cigaret, nafta,alkooli.

(Kosova Sot)