Ekzekutimi i Ndokës, hapet dosja e vrasjes me armë në vitin 2007

  • 11 December 2017 - 19:18
Ekzekutimi i Ndokës, hapet dosja e vrasjes me armë në vitin 2007

Vrasja e Aleksandër Ndokës në Lezhë, ka detyruar Policinë të hap dosjet e vjetra të përplasjeve në këtë qytet.

Burime për Report TV bëjnë me dije se mes pistave që po hetohen për vrasjen e vëllait të ish-deputetit Arben Ndoka është edhe një ngjarje e vitit 2007, mes fisit Ndoka dhe disa personave të tjerë.

Në 29 dhjetor 2007 Gjergj Ndoka është përballur me një makinë tjetër ku udhëtonin Sokol Nikolli dhe Hektor Kola. Makinat sapo janë afruar, personat që ndodheshin në to kanë filluar të qëllojnë njëri-tjetrin me pistoletë. Shkak i këtij sherri në atë kohë mendohet se ishte një femër, thanë burime të Report TV nga Policia e Shtetit.

Nga përplasja mes dy fiseve ka mbetur i vrarë Hektor Kola. Në atë kohë Policia arrestoi Gjergji Ndokën dhe Xhevahir Ndokën, vëllain e Aleksandër Ndokës, i cili u vra 3 ditë më parë. Xhevair Ndoka pavarësisht se u arrestua në atë kohë si autor i plagosjes, i shpëtoi drejtësisë. Grupi hetimor, i cili ka në dorë vrasjen e Aleksandër Ndokës po heton edhe këtë pistë, hakmarrjen e fisit tjetër.

Për këtë arsye do merren në pyetje të afërm të Sokol Nikollit dhe Hektor Kolës, të cilët në vitin 2007 u përplasën me fisin Ndoka. Aktualisht Policia e Lezhës ka shoqëruar më shumë se 30 persona për tu marrë në pyetje, por asnjëri prej tyre nuk është i ndaluar dhe pjesa më e madhe e të shoqëruarve janë lënë të lirë.

Gjithashtu është sekuestruar një kamera sigurie në zonë, por nga kontrolli i saj, ka rezultuar se autorët nuk kanë kaluar në atë rrugë. Policia ka në administrim vetëm një provë për vrasjen e Aleksandër Ndokës, gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, çka e bën të vështirë zbulimin e personave që vranë vëllain e ish-deputetit Arben Ndoka. Edhe familjarët e Aleksandër Ndokës janë marrë në pyetje nga Policia, por janë shprehur se nuk e din se kush mund ta ketë kryer vrasjen.

Përveç konflikteve që ka pasur fisi Ndoka, grupi i ekspertëve po heton edhe pistën e hakmarrjes, pikërisht për ngjarjen e 2007-së mes fisit Ndoka dhe një familje tjetër. Burimet sqarojnë se në sitë po kalojnë të gjitha dosjet e vjetra të përplasjeve që fisi Ndoka ka pasur.

(Kosova Sot)