Dëshmia e frikshme pas grabitjes: Na thoshin ‘i keni fëmijët në Greqi e Itali, tregoni me të mirë…’

  • 11 December 2017 - 19:24
Dëshmia e frikshme pas grabitjes: Na thoshin ‘i keni fëmijët në Greqi e Itali, tregoni me të mirë…’

Dy dite me pare, nje cift i moshuar ne Shkallnur te Durresit u grabiten dhe u dhunuan nga hajdutet qe jane ende te paidentifikuar nga Policia.

“Ishte ora 12-12:30 e natës kur dëgjuam zhurmë. Dola bashkë me bashkëshortin të shikonim se çfarë po ndodhte, kur pamë tre grabitësit e maskuar. Njëri ishte jashtë, ndërsa dy të tjerët ishin futur brenda në shtëpi. Na kapën për fyti mua dhe burrin. Tim shoq e shtrinë përtokë. Ata qëlluan bashkëshortin, ndërsa mua më thanë t’u tregoja se ku i kishim paratë. Ua tregova vendin ku ndodheshin lekët (1 milion lekë të vjetra), por ata donin më shumë. Ne më shumë nuk kishim. Na bënë copash”.

Kështu ka deklaruar dje për “Gazeta Shqiptare” 69-vjeçarja Shahe Elezi, e cila tha se kanë përjetuar ferrin gjatë përballjes me tre agresorët e armatosur, të cilët i dhunuan barbarisht dhe i bënë për spital.

Një ditë pas ngjarjes që shokoi familjarët dhe banorët e zonës, 77-vjeçari Maliq Elezi ndodhet në Spitalin e Tramës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.

DËSHMIA E TË MOSHUARËS

Shahe Elezi dje ka treguar me detaje se si i masakruan maskat. “Ata na lidhën me skoç dhe plastmase, ndërsa e goditën burrin me grushte, leva hekuri dhe mjete të forta, ndërsa i thoshin nxirr paratë. Unë u tmerrova, ndaj iu përgjërova që ta linin të qetë burrin. Por, grabitësit vazhdonin ta godisnin tim shoq, ndaj unë u detyrova t’u tregoja vendin ku ishin paratë. U jam lutur duke u thënë: ‘Mos e qëlloni bashkëshortin se është plak dhe do iu ngelë ndër duar’, por nuk më dëgjonin. Më kanë goditur edhe mua. Shtëpinë e kthyen përmbys. Njëri më kërcënonte mua, tjetri godiste bashkëshortin, ndërsa i treti e ktheu shtëpinë përmbys për paratë. Na thoshin: ‘I keni fëmijët në Greqi e në Itali, tregoni ku i keni paratë. Na i jepmi me të mirë se në të kundërt do t’ju vrasim të dyve’.

Grabitësit e lanë burrin tim në gjak. E godisnin nga koka dhe e ai i shkreti humbi ndjenjat”, tha 69-vjeçarja. Ajo pohoi se janë torturuar për afro dy orë dhe në orën 5 të mëngjesit shkoi polica në shtëpi dhe i dërgoi në urgjencën e spitalit të Durrësit. E moshuara nuk iu nda për asnjë moment bashkëshortit, i cili qëndroi deri në orës 19:00 të mbrëmjes së të hënës në repartin e kirurgjisë. Nga skaneri rezultoi se 77-vjeçari Maliq Elezi kishte hemorragji në tru, ndaj dhe u dërgua për mjekim më të specializuar në Tiranë.

(Kosova Sot)