Devollët zgjasin kthetrat edhe në Terminalin e Durrësit

  • 12 December 2017 - 08:07
Devollët zgjasin kthetrat edhe në Terminalin e Durrësit

Ditë më parë ambasadori i Shqipërisë i akredituar në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar se autoritetet e Shqipërisë e kanë bërë gati hapësirën për dhënien në shfrytëzim autoriteteve dhe bizneseve të Kosovës një Terminali Doganor në Portin e Durrësit. Me këtë rast,diplomati shqiptar ka theksuar se janë të gatshëm dhe kanë ofruar gjithçka për palën kosovare për ta marrë në shërbim të tyre këtë Terminal. Por, ka dyshime serioze, se kjo mundësi mund të keqpërdoret nga oligarkët e biznesit në Kosovë, që janë të lidhur me pushtetin në Prishtinë dhe në Tiranë. Njohësit e kësaj fushe pyesin se a janë të vetëdijshëm Edi Rama dhe ambasadori Minxhozi se Terminalin Doganor po e dorëzojnë në duart e krimit e kontrabandës, të nëntokës kriminale që vepron si krim i organizuar. Gazeta përmes pyetjeve të dërguara në adresën elektronike dhe telefonatave të bëra dhe bisedës me zyrtarët e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë ka provuar që të marrë opinionin e tyre. Pyetja ishte se çka thotë ambasadori Minxhozi se e kujt ishte ideja për Terminalin Doganor në Durrës dhe a është përgatitur terreni që këtë Terminal t`ia dhurojnë Shkëlqim Devollit si "bosit në hije" më të inkriminuar, që në fakt dyshohet se udhëheq me Doganat dhe laurat e saj përmes nëntokës kriminale në Kosovë. Veç saj, gazeta ka pyetur se çka thotë ambasadori Minxhozi, se sa e ka influencuar këtë vendim pikërisht ishdrejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili nuk u rizgjodh drejtor, por tani punon si këshilltar i Edi Ramës, por edhe në Ministrinë e Financave në Prishtinë. Në përgjigjen telefonike të zyrtarit të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, që e ka dhënë për gazetën paradite, ai është arsyetuar se " ambasadori Minxhozi nuk është këtu dhe vështirë se do të merrni përgjigje të hënën". Përgjigje gazetës nuk i ka dhënë as Lulzim Rafuna, që është pyetur se cili ka qenë roli i tij për të hapur këtë Terminal Doganor në Durrës për Shkëlqim Devollin apo kompanitë e tij fiktive në parajsat fiskale nëpër botë. Nuk kanë dhënë përgjigje as Doganat, as nënkryetari i Kuvendit, e as përfaqësuesit e OEK-ut dhe AMCH-së si dhe as Shkëlqim Devolli.

Image

Berisha paralajmëron

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha tha se dhënia e Terminalit Doganor për Kosovën në Portin e Durrësit është rezultat i marrëveshjes ndërshtetërore dhe të dyja qeveritë janë dakorduar që të kemi një Doganë të përbashkët, ndaj Terminali do të shërbejë si Doganë për Kosovën në Durrës. "Përndryshe, nëse ai bëhet Terminal i individëve të caktuar, kjo nuk do të jetë mirë. Kjo, ngase ky Terminal duhet që të shërbejë dhe të menaxhohet nga organet shtetërore të Kosovë, sepse atje në Portin e Durrësit duhet që të dislokohet Dogana e Kosovës. Si dihet, kjo bëhet me qëllimin që të eliminohen pengesat e lëvizjes më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, në mënyrë që më pastaj në Morinë mos të ketë kontrolle", potencoi ai për "Kosova Sot". Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa tha se marrja nën menaxhim e këtij Terminali për Kosovën në Portin e Durrësit është shumë me rëndësi të madhe, mirëpo me synim që mos të ndodhë informalitet e kontrabandë. "Kjo, ngase nga ana e Doganave të Kosovës në Terminalin e Portit të Durrësit do të nevojitet një shkallë dukshëm më e lartë e organizimit, në mënyrë që të pengohen dukuritë negative të informalitetit e kontrabandës dhe shmangies së doganimit të mallrave". Sipas Mustafës, edhe nëse dikush u shmanget kontrolleve të Terminalit, Doganat tona kanë të drejtë që të kontrollojnë mallrat edhe në brendi të territorit të Kosovës. "Ndërkaq, me rëndësi të madhe për Kosovën dhe lëvizjen e lirë të mallrave e bizneseve është se ky Terminal do t'i ulë shpenzimet. Prandaj, Doganës së Kosovës i nevojitet një organizim shumë më i mirë se këtu në Kosovë, në mënyrë që të pengojnë keqpërdorimet eventuale", theksoi ai për "Kosova Sot".

Manipulimet nuk përjashtohen

Ndërsa, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për gazetën" Kosova Sot"se Terminalin në Portin e Durrësit gjithsesi duhet që ta menaxhojë shteti, ndërsa bizneset e kësaj fushe duhet të jenë vetëm nënkontraktorë të shtetit për menaxhimin me Terminalin me qëllim të evitimit të rënies në kundërshtim me ligjin. "Ka rrezik që me këtë Terminal edhe të manipulohet për keqpërdorime, ngase struktura të caktuara si në institucione, si në politikë në Kosovë e në Shqipëri janë në konflikte të rënda të interesit me biznese të caktuara, e madje në shumë raste janë edhe vetë pjesëmarrëse të biznesit", u shpreh ai. Kaçaniku porositi që Qeveria e Kosovës duhet pasur kujdes që ky Terminal edhe nëse vendosin t'i jepet për menaxhim dikujt, atëherë duhet të jetë një kompani e ndershme. Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë shqiptare që bizneset e Kosovës të bëhen me Terminal Doganor në Portin e Durrësit. Por, Maloku porositi se në mënyrë që mos të bëhen punë të pista, sikurse që është thënë kohëve të fundit se po fiken kamerat në Doganat e Kosovës, nevojitet që menaxhimin e këtij Terminali duhet që ta marrë shteti i Kosovës.

Rreziku nga monopolizimi

 Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për " Kosova Sot" se Terminali Doganor është i mirëseardhur për Kosovën. Por, ai shfaqi brengën se kur lexojmë në medie se ky Terminal ka mundësi që t'i dorëzohet një kompanie monopoliste, kjo nuk do të jepte imazh pozitiv për tregtinë e lirë dhe do të dëmtohen edhe më shumë bizneset nga kjo kompani monopoliste."Kosova dhe Shqipëria duhet bashkuar ekonomikisht, së pari me bashkimin e Odave Ekonomike, Agjencive të bizneseve, dhe krijimin e kompanive të përbashkëta ekonomike, pra pa e futur politikën në mes, një arritje e tillë do të forconte shtetet tona edhe politikisht, edhe ushtarakisht, po edhe ekonomikisht, thjesht Kosova është Shqipëri e Shqipëria Kosovë sa i përket ambientit të të bërit biznes", potencoi ai. Sipas Beqirit, edhe pse nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti akuzoi rëndë Doganën, nuk u ndërmor asnjë veprim. Ndërsa eksperti i Integrimeve evropiane për ekonomi, Ardian Nokaj tha për "Kosova Sot", se Terminali Doganor për Kosovën do të ishte shumë i mirëseardhur sikur këtë Terminal ta kontrollonin institucionet shtetërore, por jo edhe kompanitë kriminale, si kompania "Devolli". Sipas analistit Nokaj, çfarëdolloj përzierjeje e Lulzim Rafunës do ta vërë në pikëpyetje vetë qëllimin e tërë kësaj nisme.

Image

Të përfitojnë bizneset dhe qytetarët

Analisti,Florim Rudhani tha për "Kosova Sot " se duhet të përshëndetet Shqipëria për gatishmërinë për hapësirën e krijuar për Terminalin Doganor të Kosovës në Durrës, por, sipas tij, Terminali ka rënë në duart e klanit " Pronto". "Kosova është në duart e Rusisë-Serbisë, dhe këto veprime doganore do ta lehtë- sojnë edhe më shumë tregun e tyre në trojet shqiptare, ngase "bosët" e klani "Pronto" janë duke vepruar kundër interesave shtetërore, kombëtare, kurse Prokuroria është duke heshtur", u shpreh ai. Ndërsa, ish-deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se edhe ky Terminal duhet të shfrytëzohet edhe për çështje ekonomike dhe nga kjo infrastrukturë të përfitojnë qytetarët e dy vendeve në të gjitha poret e jetës, e sidomos me rëndësi është shkëmbimi tregtar në mes të dy vendeve."Terminali Doganor në Portin e Durrësit duhet të jetë në shërbim të të gjitha bizneseve tona, e jo vetëm të njerëzve të caktuar që të bëjnë përpjekje të monopolizojnë edhe këtë Terminal për përfitime të një grupi të caktuar të njerëzve si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, por ky Terminal dhe ky Port detar me interes strategjik të jetë në shërbim të të gjitha bizneseve dhe qytetarëve të vendit, me qëllim që të përfitojnë në radhë të parë qytetarët e Kosovës, e jo të jetë në funksion vetëm të disa oligarkëve dhe bizneseve monopoliste, që për çdo ditë janë duke e ngulfatur ekonominë e vendit tonë për interesa personale", theksoi Neziraj.

BADALLAJ: SHTETI, NË DUART E MAFISË

 Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se shteti i Kosovës ka kohë që është shitur dhe është në duart e mafio-oligarkëve të kanaleve të nëntokës kriminale. "Ky rrjet i krimit të organizuar është aq mirë i organizuar, saqë është vështirë t'u këputen rrënjët kësaj bande mafioze, sepse është rrjet i organizuar dhe i mbështetur që nga majat e larta të shtetit deri te bandat e Doganave", theksoi ai. "Terminali në Portin e Durrësit po ashtu është i organizuar mirë, sepse edhe ky kanal është në shërbim të bandave dhe të mafio-oligarkëve shtetërorë, por është organizuar ky rrjet i kësaj nëntoke kriminale nga ai vetë dhe do lëshohet në dorën e bandës Devolli, sepse atyre nuk u interesojnë këto gjëra kombëtare apo shtetërore, por u intereson vetëm leku", vlerësoi Badallaj-Zhuriani. "Ky grup kriminal për të plaçkitur vendin është në shërbim të bandës Devolli, por kapot e këtij rrjet janë pashai i madh i Kosovës Hashim Thaçi dhe Edvin Kristaq Rama dhe argati i tyre i Doganave, Lulzim Rafuna", tha ai. Sipas tij, janë të vetëdijshëm kryeministri Edvin Kristaq Rama dhe ambasadori Minxhozi, që ky Terminal është në duart e bandës Devolli.

(Kosova Sot)