Regjimi shtyp qytetarët, mbron mafio-oligarkët

  • 12 December 2017 - 07:58
Regjimi shtyp qytetarët, mbron mafio-oligarkët

Dy ditë më parë, të dielën, u shënua edhe në Kosovë, vetëm simbolikisht, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ku organizatat e shoqërisë civile u bënë bashkë për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, që t'i mundësohet secilit qytetar trajtim i dinjitetshëm. Analistët politikë theksojnë se në vendin tonë shumica e popullatës ka qasje, trajtesë diskriminuese nga organet shtetërore dhe shkelje të shpeshta të të drejtave të njeriut. Sipas raporteve të institucionit të Avokatit të Popullit, shkeljet më të shumta i bën sistemi gjyqësor, pastaj Qeveria dhe pushteti lokal përmes administratës së tejinkriminuar. Ndonëse Kushtetuta garanton barazi para ligjit, megjithatë, për fat të keq, "disa janë dukshëm më të barabartë se të tjerët". "Edhe pse Kushtetuta garanton barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, shumica e popullatës nuk e gëzojnë të drejtën e trajtimit të barabartë nga institucionet shtetërore. Bazuar në raportin e Avokatit të Popullit, shkeljet më flagrante ndaj qytetarëve bëhen nga sistemi gjyqësor, Qeveria dhe pushteti lokal përmes formave burokratike të një administrate sa të korruptuar, po aq edhe të inkriminuar", tha për "Kosova Sot" analisti politik Florim Zeqa. Sipas tij, në Republikën e Kosovës të privilegjuara janë familjet e pushtetarëve dhe mafio-oligarkëve politikë, të cilët, edhe pse abuzojnë në të gjitha format, prapëseprapë qëndrojnë mbi ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa qytetarët e rëndomtë janë të nënshtruarit e regjimit, të shndërruar në "jetimë" të shtetit, për të cilin pritën gjatë dhe dhanë gjithçka nga vetja e tyre.

Image

Ligjet të mira, zbatimi i dobët

Një gjykim të tillë ndan edhe analisti politik Arsim Haziri, i cili po ashtu thotë se, në fakt, ligjet, veçanërisht Kushtetuta, ofrojnë mjaftueshëm mundësi për respektim dhe avancim të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, por pushteti i ndërtuar nga politika e inkriminuar nuk i zbaton ato. "Të gjitha institucionet, si nivel lokal po ashtu edhe atë qendror, mjaftueshëm bëjnë deklarime rreth të drejtave të njeriut, por fatkeqësia e tyre është se minimalisht i zbatojnë. Të drejtat dhe liritë themelore janë edhe kategori kushtetuese, saktësisht flet neni 21. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës. Ky nen pothuaj në asnjë institucion nuk respektohet aq sa tekstualizohet me Kushtetutë, ajo kategori aq shumë shkelet dhe tejkalohet sa ka filluar edhe të shndërrohet edhe në rregull të përditshëm politik, gjë që edhe po na kushton edhe aq shumë", u shpreh ai. "Prej organeve sipërore e deri tek ato minore, nuk ka respektim dhe zbatim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ato shumë promovohen, por tejet pak mbrohen, sa mos me u definua plotësisht shoqëri nën sundim oligarkik", vijoi më tutje Haziri për "Kosova Sot". Ndërsa, njohësi i të drejtës, Blerim Burjani i tha gazetës "Kosova Sot" se Dita e të Drejtave të Njeriut e organizuar në vendin tonë ishte mjaft e varfër edhe për nga numri i pjesëmarrësve, por edhe për nga pesha e organizimit në ngritje të zërit për liritë dhe të drejtat e njeriut që shkelen çdo ditë. "Konsideroj se sidomos nga shoqëria civile realisht do të duhej të ishte shumë më masiv organizimi dhe më gjithëpërfshirës. Zëri i ngritur në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut në këtë ditë të shënuar ndërkombëtare ishte njëmend vetëm rastësi dhe simbolik si organizim. Kuptohet se në këtë mungesë të zbatimit të ligjit të kësaj fushe, as vetë Avokati i Popullit s'ka mundur të zgjidhet gati një vit nga institucionet e këtij shteti shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut , derisa u arrit marrëveshja politike për të votuar në Kuvend", theksoi Burjani për "Kosova Sot".

Image

Larg standardeve perëndimore

Ndërsa, analisti Ali Hertica konstaton se as që mund të flitet për respektim të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut në një shoqëri akoma të brishtë sikur që është shteti i Kosovës në tranzicion. "Realisht, duhet të themi se demokraci ideale dhe të përkryer nuk ka askund, ajo nuk është konstatuar se ekziston deri më tani në asnjë vend të rruzullit tokësor. Kjo ndërlidhet edhe me liritë dhe të drejtat e njeriut. Pra, nuk ka asnjë vend në botë që i plotëson 100 për qind ato kërkesa dhe nevoja, mirëpo në realitetin kosovar në këtë drejtim kemi ngecje shumë të mëdha, ndonëse në letër me ligj dhe Kushtetutë jemi ndër vendet më të avancuara në të gjitha sferat e përcaktimit të lirive dhe të drejtave të njeriut", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, kalimi nga një sistem në tjetrin dhe mentaliteti ku zakonet nuk janë lehtë- sisht të fshihen dhe të harrohen nga e kaluara paraqet pengesë serioze edhe në këtë fushë.

(Kosova Sot)