Barnat ilegale vazhdojnë të vijnë nga Serbia

  • 01 August 2015 - 11:21
Barnat ilegale vazhdojnë të vijnë nga Serbia

Kontrabandimi me barna vazhdon të bëhet më së shumti prej Serbisë. Vetëm në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës ka kapur 11 raste ku tentohej të futeshin barna ilegalisht në Kosovë, nga shtete të ndryshme, por më së shumti nga Serbia. Në këto raste bëjnë pjesë 10 mijë paketime të barnave të ndryshme e që kanë vlerë 50 mijë euro. Kurse, numri i farmacive që posedojnë barna ilegale në Kosovë vazhdon të jetë i madh.

Inspekoriati Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale vetëm nga janari deri në qershor ka ndëshkuar 23 subjekte për posedim të barnave ilegale dhe gjashtë subjekte të tjera për furnizim të subjekteve me barna ilegale.

Për Doganën e Kosovës, ka rënie të rasteve me kontrabandim të barnave. Zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se periudha janar-qershor 2015, shënon ulje të kontrabandës me barna. Sipas tij, ky përmirësim vjen edhe si rezultat i bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe licencimit të disa kompanive në pjesën veriore të Kosovës.

Por, rënie nuk po shënojnë edhe farmacitë të cilat posedojnë barna ilegale. Drejtoresha e Departamentit të Inspektoriatit Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Remzie Thaçi, përmes postës elektronike, ka treguar nga janari deri në qershor të këtij viti IFPPM ka marrë masa ndëshkuese ndaj 41 subjekteve farmaceutike. 29 prej tyre, për barna ilegale.

Anëtarë të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë se ky numër i inspektorëve nuk mjafton për të gjitha veprimtaritë farmaceutike në Kosovë. Sipas tyre, ky numër i vogël i stafit po ndikon në mos-përmirësimin e gjendjes në terren, transmeton KP.

Se me nëntë inspektorë nuk mund të punohet, mendon edhe anëtarja tjetër e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj.

E arsyetimi i Ministrisë së Shëndetësisë për këtë numër të vogël të inspektorëve shpesh herë ka qenë se buxheti është i limituar. Sipas MSh-së, pa-mundësia e pagesës së inspektorëve shtesë ka lënë IFPPM-në me vetëm nëntë inspektorë.