Kosovarja lëndohet rëndë nga përplasja e makinës me trenin

  • 01 August 2015 - 12:51
Kosovarja lëndohet rëndë nga përplasja e makinës me trenin

Një aksident i rëndë ka ndodhur në mëngjesin e të premtes në Unterkulm të kantonit Soloturn. Një kosovare e re 23 vjeçe, ngasëse e automjetit, ka pësuar lëndime të rënda pas përplasjes së makinës së saj me një tren udhëtarësh.

Pas një tejkalimi të bërë, dhe një fërkimi me një veturë tjetër, ngasësja e veturës Peugeot e ka humbur drejtimin dhe nga rruga ka kaluar në binarët e hekurudhës që ishte afër. Pikërisht në ato momente në hekurudhë po kalonte një tren lokal udhëtarësh në drejtimin Unterkulm kështu që përplasja e fuqishme ishte e pashmangshme.

Policia, ambulanca, zjarrfikësit dhe shpëtimtarët tjerë kanë ardhur me shpejtësi nga Wynental-i. Zjarrfikësit e kanë çliruar kosovaren me lëndime të rënda nga makina e dëmtuar po ashtu rëndë dhe e kanë transportuar për në spital, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur në orën 6.45 ndërsa trafiku hekurudhor në këtë segment është ndërprerë deri në orën 9.30.