Tjetër viktimë nga aksidenti në trafik në Vushtrri

  • 01 August 2015 - 14:55
Tjetër viktimë nga aksidenti në trafik në Vushtrri

Ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm i aksidentuari i datës 23 korrik nga Vushtrria, i cili kishte qenë viktimë e një aksidenti të komunikacionit.

“Një automjet kishte goditur një biçiklist me ç’rast e kishte hedhur disa metra larg”, ishte raportuar.

Si pasojë e aksidentit, viktima ishte dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në emergjencën e QKUK-së, ndërkaq sot ka ndërruar jetë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar vdekjen e viktimës. “Me datë 23 korrik në ora 19:50 në Vushtrri ishte shkaktuar një aksident komunikacioni me lëndime, ku ishin të përfshira një automjet dhe një biçiklist. Viktima (biçiklisti) I.M., prej asaj dite ishte në QKUK, si pasojë e lëndimeve. Ndërkaq, sot rreth orës 01:10 pas mesnate ka ndërruar jetë, ku tash ky aksident cilësohet me fatalitet”, ka thënë Zahiti për Veriu.info.

Ai ka treguar se viktima me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion, ndërsa të dyshuarit më parë i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

I ndjeri është 21 vjeçari Ilir Menxhiqi.

Ndryshe, më 20 korrik, si pasojë e një aksident ka ndërruar jetë Krenar Neziri, i cili në momentin e aksidentit ishte këmbësor.