Ferizaj fton mërgimtarët të investojnë në vendlindje

  • 01 August 2015 - 19:05
Ferizaj fton mërgimtarët të investojnë në vendlindje

Komuna e Ferizajt kishte ftuar sot një konferencë me mërgimtarë afaristë, për të promovuar para tyre koncept-bizneset e përgatitura më herët, si dhe për t’ua përsëritur ofertën e bërë kohë më parë që mërgata të investojnë në vendlindje.

Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, u tha mërgimtarëve të pranishëm se pushteti lokal është shumë i interesuar për t’i sjellë investimet e tyre në Ferizaj, jo si mbështetje, as si lëmoshë, por si interes të dyanshëm Ai u foli afaristëve nga diaspora për kushtet që ofron Komuna, si toka falas dhe procedurat e thjeshta administrative.

Ndërsa drejtori i zhvillimit ekonomik, Enver Haliti, ua numëroi afaristëve mërgimtarë, por edhe atyre vendeve rreth 30 koncept – biznese që janë përgatitur kohë më parë nga komuna, në bashkëpunim me një institucione arsimor, të cilat presin investitorët. Haliti tha se koncept-bizneset janë hartuar mbi bazën e ekspertizës profesionale dhe nevojave të tregut.

Për kushte dhe mbështetje të afaristëve, foli edhe Valbona Tahiri nga Agjencia e Zhvillimit Rajonal-Lindje.

Afaristët nga ana e tyre shfaqën interesim për plan-bizneset e Komunës dhe th eksuan disa herë se mërgimtarëve u duhen ekspertiza profesionale nga specialistë vendës, në mënyrë që investimet e tyre eventuale, të jenë të paraprira nga studime të fizibilitetit, analizës ekonomike, pasqyrës së tregut etj. Edhe me këtë rast u përmendën vështirësitë që i përcjellin investitorët eventualë, siç janë energjia jostabile, infrastruktura ende e pamjaftueshme etj. Sidoqoftë, u konstatua se Komuna e Ferizajt po tregon më shumë se kurrë interes për të ndërtuar bashkëpunim me mërgatën, në të mirë të dyanshme.