Agjencia e Inteligjencës në Maqedoni anashkalon shqipen me urdhër të Ivanov-it

  • 01 August 2015 - 19:13
Agjencia e Inteligjencës në Maqedoni anashkalon shqipen me urdhër të Ivanov-it

Webfaqja e re e Agjencisë së Inteligjencës, nuk është përpunuar në shqip, në mënyrë të qëllimshme dhe me urdhër të vetë presidentit të vendit Gjorge Ivanov. Kështu ka njoftuar televizioni Alsat në Maqedoni.

Sipas burimeve të këtij televizioni, vendimi i Ivanovit fsheh prapaskenën, e shenjës së revoltës për shkak të mos njohjes së figurës së tij nga BDI-ja. ALSAT, prej ditësh dërgoi zyrtarisht pyetje, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje.

Para tre ditësh, Agjencia e inteligjencës afishoi faqen e internetit, në të cilën njoftohet përfshirja e të gjitha informatave të rëndësishme për punën dhe kompetencat e Agjencisë.

Madje, qytetarët mund të dërgojnë informata lidhur me kërcënimet e sigurisë së shtetit.

Megjithatë faqja do të funksionojë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze. Agjencia ka anashkaluar gjuhën shqipe.

Kohë më parë ishte shkarkuar edhe zëvendësdrejtori shqiptar në këtë Agjenci, ndërkohë që gjatë kohës së tij, ueb faqja ishte edhe në gjuhën shqipe.