Pas 500 ditësh misteri, a po po vijnë përgjigjet për fluturimin MH370 të Malaysia Airlines?

  • 01 August 2015 - 19:34
Pas 500 ditësh misteri, a po po vijnë përgjigjet për fluturimin MH370 të Malaysia Airlines?

Një pjesë e mbeturinave, që ekspertët besojnë se i përkasin aeroplanit të linjës Malaysia Airlines, ka mbërritur në Paris nga ishulli francez, ku u gjet të mërkurën e kësaj jave.

Objekti, që besohet të jetë pjesë e njërit krah të MH370, u dërgua nga ishulli Reunion në Oqeanin Indian.

Nga aty mbetjet do të transportohen në një laborator të Ministrisë së Mbrojtjes në Tuluz, për t’iu nënshtruar analizës.

Boeing 777 i Malaysia Airlines që udhëtonte nga Kuala Lumpur drejt Pekinit u zhduk më 8 mars të 2014 me 239 pasagjerët dhe ekuipazhin në bord.

Që atëherë, ekipet australiane të kërkimit janë përqendruar në një sipërfaqe të gjerë në pjesën jugore të oqeanit Indian, katërmijë kilometra në lindje të Reunion, në lindje të Madagaskarit.

Sipas ekspertëve, objekti i gjetur në plazh, rreth dy metra, mund të jetë një pjesë e lëvizshme e krahut të një Boeing 777.

Një ekip nga Malaysia Airlines ka mbërritur tashmë në Tuluz dhe zyrtarët francezë thonë se analiza e pjesës duhet të fillojë të mërkurën e ardhshme.

Martin Dolan, kryesues i operacioneve të kërkimit shprehet i bindur se objekti i gjetur i përket avionit të zhdukur nga radarët 8 marsin e vitit të kaluar, transmeton OraNews.

Ende sot, pas 1 vit e gjysmë, nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, duke shënuar misterin me të madh në historinë e transportit ajror.