Si e krijoi pasurinë miliarderja kineze?

  • 01 August 2015 - 20:34
Si e krijoi pasurinë miliarderja kineze?

Zhou Qunfei është gruaja më e pasur në botë, e cila e ka fituar vetë pasurinë e saj. Zhou, themeluesja e ‘Lens Technology’, ka një shtëpi që vlen 24.4 milionë euro në Hong Kong. Ajo shkon shpesh në SHBA dhe Kore Jugore për të biseduar me shefat e kompanive ‘Apple’ dhe ‘Samsung’, klientët më të mëdhenj të saj. Ajo ka qenë nikoqire e presidentit kinez Xi Jinping, kur ai e vizitoi zyrën qendrore të kompanisë së saj. Por, ajo duket se e ndjen veten më së mirë kur është e pranishme në fabrikën e saj moderne. Ajo i zhyt duart në një govatë me ujë, për të përcaktuar nëse temperatura është ajo e duhura, transmeton Kosova Sot.

Image

U rrit në një fshat të varfër në Kinën Qendrore

Zhou i di të gjitha punët. Për vite të tëra, ajo ka punuar në një fabrikë, punë kjo më e mira që ka mundur ta gjejë derisa po rritej në një fshat të varfër në Kinën qendrore. “Ajo nganjëherë ulet dhe punon si një operuese për të parë nëse diçka nuk është në rregull me procesin”, ka thënë James Zhao, menaxher i përgjithshëm në ‘Lens Technology’. “Kjo gjë bën që të ndjehem mjaft keq. Nëse ekziston ndonjë problem ajo më pyet mua pse nuk e kam vërejtur atë”, ka shtuar ai. Zhou tani ka dituri të një operacioni të klasës botërore prej shumë miliardave. ‘Lens Technology’ është një ndër furnizuesit më të mëdhenj të të ashtuquajturit qelq mbulues që përdoret në kompjuterë, tablet-ë dhe pajisje mobile, duke përfshirë edhe telefonat ‘iPhone’ të kompanisë ‘Apple’ dhe ata ‘Galaxy’ të kompanisë ‘Samsung’. Këtë vit, fabrikat e saj pritet të prodhojnë më se një miliardë ekrane nga qelqi, të gjithë të rafinuar në fraksion të një milimetri. “Kjo është një industri që kërkon teknologji shumë të sofistikuar”, thotë Stone Wu, analist në firmën hulumtuese ‘IHS Technology’. “Nëse ke një vizore, kontrollo se sa i hollë është gjysmë milimetri, dhe do të kuptosh se sa vështirë është që të prodhohet një gjë aq e hollë”, ka shtuar ai.

Nuk është e njohur si miliarderi Jack Ma

Në krijimin e furnizuesit global, 44-vjeçarja Zhou ka përcaktuar një klasë të re në mesin e ndërmarrëseve në Kinë të cilat e kanë fituar pasurinë e tyre, duke filluar nga zeroja, një gjë e rrallë kjo në botën e biznesit. Në Japoni, nuk ekziston asnjë miliardere që ka bërë vetë pasurinë e saj, sipas ‘Forbes’-it. Në SHBA dhe Evropë, shumica e femrave që janë miliardere pasurinë e tyre e kanë siguruar nga trashëgimitë. Asnjë shtet nuk ka më shumë miliardere të bëra vetë sesa Kina. Partia komuniste, nën Mao Cedunin, ka promovuar barazinë gjinore, gjë që u ka ndihmuar femrave pas paraqitjes së kapitalizmit, sipas Huang Yasheng-ut, ekspertit kinez të klasës së ndërmarrësve i cili është profesor i menaxhimit ndërkombëtar në institutin e teknologjisë në Miçigan. Në një shtet me pak ndërmarrës, ndërmarrësit si Zhou ishin në gjendje që ta arrijnë suksesin në biznes në vitet 1990 derisa po ngrohej motori i ekonomisë kineze. Aksionet e saj në kompaninë ‘Lens Technology’, që u bë publike këtë vit, janë të vlefshme 6.5 miliardë euro. Kjo e bën pasurinë e saj të barabartë me atë të magnatit të medieve John C. Malone dhe me atë të Pierre Omidyar-it, themeluesit të ‘eBay’. Zhou nuk është një e pasur e njohur, siç është Jack Ma, miliarderi që ka themeluar kompaninë tregtuese elektronike ‘Alibaba’. Pak njerëz në Kinë e kishin dëgjuar emrin e saj pas daljes në bursë të kompanisë këtë vit.

 

Image

 

Rrallë paraqitet në publik

Ajo shumë rrallë jep intervista dhe shumë rrallë bën paraqitje publike. Gruaja elegante me fytyrë të pafajshme, me syze dhe preferencë për kostumet nga ‘Christian Dior’, është e rafinuar dhe kërkuese. Ajo kërkon nga menaxheri i përgjithshëm që të ulet drejtë gjatë mbledhjeve. Megjithatë, ajo rrezaton simpati dhe përulësi, pranim i heshtur ky që gjërat shumë lehtë do të mund të kishin përfunduar ndryshe. “Në fshatin ku jam rritur, shumë vajza nuk kanë mundur të zgjedhin a të shkojnë apo jo në shkollë të mesme. Ato janë fejuar ose martuar dhe kanë kaluar tërë jetën në atë fshat”, ka thënë ajo në një intervistë në zyrën e saj ku e kishte një statujë të Mao-s dhe një kompjuter ‘Mac’. “Unë zgjodha që të merrem me biznes, dhe nuk jam penduar”, ka shtuar ajo. Përkundër përqendrimit të saj në shkollim, ajo u largua nga shkolla e mesme në moshën 16-vjeçare dhe shkoi për të jetuar me dajën e saj dhe të kërkojë punë më të mirë. Derisa po ëndërronte që të bëhet kreatore e modës, ajo përfundoi duke punuar në një fabrikë në qytetin Shenzhen, ku prodhonte qelq për orë dore për rreth 1 euro në ditë. Pas tre muajsh e la punën duke i shkruar një letër pronarit. Në vitin 1993, në moshën 22-vjeçare, ajo vendosi që të bëhet pavarur. Me rreth tre mijë euro të kursyera, ajo dhe disa familjarë të saj hapën një punishte në afërsi të fabrikës. Ata joshnin konsumatorët me premtimin e qelqeve të kualitetit më të lartë. Ishte telefoni mobil ai që e bëri atë miliardere. Në vitin 2003, ajo ende po prodhonte qelqe për orë dore kur e pranoi një telefonatë të papritur nga drejtuesit e kompanisë ‘Motorola’. Ata e pyetën nëse është e interesuar që t’u ndihmojë në zhvillimin e ekranit të qelqtë për pajisjen e tyre të re, atë ‘Razr V3’. 

(Kosova Sot)