Mbi 12 mijë emigrantë kosovarë të kthyer që nga janari

  • 02 August 2015 - 09:55
 Mbi 12 mijë emigrantë kosovarë të kthyer që nga janari

Mbi 12 mijë kosovarë janë kthyer në Kosovë që nga janari i këtij viti deri më tash ndërsa pjesa më e madhe e të kthyerve janë në mënyrë vullnetare.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaLive drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme, Valon Krasniqi.

“Që nga 1 janari e deri më tash janë 12 mijë qytetarë që janë riatdhesuar shumica nga ta i takojnë valës së fundit të migrimit. Ndërkohë vetëm gjatë këtij muaji janë diku rreth 2 mijë qytetarë që janë kthyer, ne tash jemi duke e përpunuar raportin me shifra të sakta të të kthyerve”, ka thënë ai.

Sipas tij, po thuajse çdo ditë ka kthim nga shtetet perëndimore dhe për këtë prin shteti gjerman.

“Më së shumti ka nga Gjermania ndërsa nga shtetet tjera më pak. Vazhdon të dominojë Gjermania sa i përket kthimit të emigrantëve, mirëpo ka edhe nga Suedia, Zvicra, Austria, Belgjika, Franca, Hungaria. Ndërkohë këtë vit dominon edhe kthimi vullnetarë pra 58% kurse vitin e kaluar ka qenë shumë më i vogël numri i të kthyerve në mënyrë vullnetare”, ka thënë ai, shkruan kosovalive.

KosovaLive mëson se është një numër i madh i atyre që janë duke pritur që të kthehen me vetëdëshirë për shkak të kushteve të rënda në kampet e azilkërkuesve të Gjermanisë dhe gjasave të vogla që të përfitojnë azil.

Në një raport të publikuar së fundi nga Instituti për Politika Zhvillimore INDEP “Një vështrim mbi migrimin e kosovarëve në BE:imigrimi si dukuri shumëdimensionale thuhet se standardet e jetesës në Kosovë janë dukshëm më të pafavorshme krahasuar me standardet e shteteve anëtarë të BE-së. Kosova konsiderohet si një prej shteteve më të varfra në Evropë me një bruto prodhimi vendor (BPV) për kokë banori prej 2.894 që është 11% e mesatares së BE-së.

Ndër rekomandimet tjera që dalin nga ky raport janë që Kosova duhet të rris shkallën e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të informatave në fushën e migrimit me Serbinë dhe Hungarinë, të hartojë një plan të kontigjencës, i cili do t’u bënte thirrje vendeve potenciale nikoqire të BE-së që t’i pajisin një numër kosovarësh me leje pune për 3-6 muaj, Qeveria e Kosovës duhet të punojë pandërprerë në trajtimin e problemit të papunësisë së lartë.

Shtetet evropiane që nga fillimi kanë bërë të ditur se asnjë kërkesë e emigrantëve kosovarë të cilët kanë ikur nga vendi ilegalisht nuk do të pranohet.

Rikujtojmë se nga fundi i vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti mijëra qytetarë kosovarë zgjodhën rrugën e migrimit për në vendet e Bashkimit Evropian (BE). Ata ia mësynë rrugëve ilegale për të kaluar në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, për të kërkuar një jetë më të mirë.