Zbardhet misteri, pse u masakrua Daniel Xhafa në Greqi

  • 02 August 2015 - 11:23
Zbardhet misteri, pse u masakrua Daniel Xhafa në Greqi

Daniel Xhafa, 21-vjeçari shqiptar, i cili u vra pak ditë më parë në Greqi në rrethana misterioze, u gjet i masakruar në një pyll të Larisës. “Topnews. gr” ka shkruar se raporti mjeko-ligjor konfirmon se i riu u torturua për vdekje, çka i solli shumë thyerje kockash, në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit të tij. Brutaliteti i agresorit vazhdoi edhe pas vdekjes së 21-vjeçarit, i cili u zvarrit i vdekur pranë një lumi, ku trupi i tij u lye me lëndë djegëse dhe iu vu flaka. Ai është goditur me sende të forta, është mbajtur në gjunjë dhe është goditur disa herë në kokë. Pasi e ka rrahur për vdekje, autori (dyshohet se mund të ketë patur edhe bashkëpunëtorë) i ka vënë flakën trupit të pajetë në organet gjenitale.

Trupi i viktimës u gjet gjysmë i djegur, pasi u zbulua nga një bari i zonës, edhe ai shqiptar. Qëllimi i autorit ishte fshehja e çdo gjurme, jo vetëm të tij, por edhe viktima të mos arrihej të identifikohej dot pas krimit. Shkak i ngjarjes dyshohet xhelozia për një lidhje dashurie mes viktimës dhe bashkëshortes së autorit të krimit. Kjo lidhje kishte gati 2 vjet, sipas familjarëve të Daniel Xhafës. Ndonëse ky i fundit donte që të shkëputej, ishte 25-vjeçarja nga Korça, e cila nuk e linte. Ajo është nënë e 3 fëmijëve dhe megjithëse jetonte në Greqi me burrin dhe fëmijët, kishte pranuar që të lidhej me 21- vjeçarin nga Fieri, transmeton shekulli.

Në një intervistë të dhënë pas ngjarjes nga kushëriri i parë i viktimës, Danieli kishte tentuar disa herë që të mos e takonte më të dashurën e martuar, por ajo nuk e linte. Madje, disa herë kishte sajuar arsye të ndryshme që të mund ta takonte. Vetëm 4 ditë para se të zhdukej, viktima kishte marrë një telefonatë nga numri i të dashurës, por që në fakt ishte i shoqi. Ai i kishte kërkuar llogari se kush ishte, por 21-vjeçari e kishte shmangur, duke i thënë se nuk kishte njohje dhe kishte gabuar numër. Në fakt, kjo ishte vetëm parathënia e krimit që ngjau më vonë. Mendohet se një mesazh i shkruar nga numri i të dashurës të ishte kurthi për të nxjerrë në mesnatë në pritë Daniel Xhafën. Familjarët nuk kanë dyshime: ai është vrarë nga bashkëshorti i gruas me të cilën ai kishte lidhje intime. Por policia greke nuk ka mundur ta identifikojë atë dhe nuk ka asnjë të ndaluar.