Trysnia e Thaçit mund t’i sigurojë votat e nevojshme për Specialen

  • 02 August 2015 - 19:33
Trysnia e Thaçit mund t’i sigurojë votat e nevojshme për Specialen

Një ditë para seancës së Kuvendit, në të cilën do të vihen në rivotim amendamentet kushtetuese për krijimin Gjykatës Speciale, Qeveria pret që ato të përkrahen nga shumica parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur besimin e tij se koalicioni tashmë i ka votat e mjaftueshme për nesër në Kuvend, raporton KTV.

E i pyetur nga KTV-ja, nëse vërtet themelimi i Speciales është determinues për marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në, Mustafa ka deklaruar se kjo çështje është përcaktuese për këto marrëdhënie.

Gjithsesi, meqë të gjithë deputetët e LDK-së patën votuar pro Speciales më 26 qershor, nga atëherë e deri tashti punën më të madhe për t’i rritur votat e ka bërë zëvendësi i parë i Mustafës, Hashim Thaçi.

Si rezultat i trysnisë së Thaçit, të paktën një deputet i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka ndryshuar qëndrim dhe do të votojë pro Speciales; gjashtë deputetë të tjerë të PDK-së kanë deklaruar se ende nuk kanë vendosur, ndërkohë që sërish kundër do të votojnë: Nait Hasani, Ganimete Musliu, Fadil Demaku dhe Raif Çela.