Për tetë vjet, Clinton-ët fituan 140 milionë dollarë

  • 02 August 2015 - 21:07
Për tetë vjet, Clinton-ët fituan 140 milionë dollarë

Hillary Clinton, që është në rrugë të mirë për t’u bërë e nomionuar e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale, dhe bashkëshorti i saj, Bill-i, kanë raportuar që të ardhurat e tyre në periudhën 2007-2014 kanë qenë më të larta se 139 milionë dollarë (126.5 milionë euro). Figurat, që janë publikuar në ueb-faqen e Hillary-s, tregojnë që të ardhurat e çiftit në vitin 2007 kanë qenë 21 milionë dollarë (19.1 milionë euro), për të rënë në 5 milionë dollarë (4.6 milionë euro) në vitin pasardhës, rënie kjo që kishte kërkuar kohë për t’u rikuperuar, transmeton Kosova Sot.

Fjalimet në korporata

Shumica e pasurisë së Clinton-ëve kishte ardhur nga fjalimet fitimprurëse që Bill Clinton, e pas dorëheqjes nga pozita e sekretares së shtetit në fillim të vitit 2013, edhe Hillary Clinton, i kishin mbajtur në korporata e grupe të ndryshme të interesit. Në vitin 2013, çifti kishte fituar 20.9 milionë euro, përfshirë këtu edhe 8.8 milionë eurot e fituara nga fjalimet e Hillary-t dhe 12.1 milionë eurot nga fjalimet e Bill-it.

Në bazë të sqarimeve të dhëna, çmimi për një fjalim, nga ana e Hillary-s, ka qenë të paktën 225.000 dollarë (205.000 euro) ndërsa çmimi për fjalimet e Bill-it ka ndryshuar, nga 125.000 – 750.000 dollarë (113.500 – 681.200 euro).

HIllary, që është konkurrentja kryesore për ta marrë nominimin nga Partia Demokratike për zgjedhjet presidenciale, ka thënë që i ka publikuar të hyrat dhe rrjedhimisht edhe taksat e paguara në periudhën 2007-2014, për të qenë sa më transparente.

Publikimi i të hyrave ka ardhur në një periudhë kur ajo po akuzohet shumë për çështjet e privatësisë, temë në të cilën ka dominuar përdorimi i email-it privat për kryerjen e punëve zyrtare.

Fondacioni ‘Bill, Hillary & Chelsea Clinton’

Sipas një sondazhi të bërë së fundmi, nga Universiteti ‘Quinnipiac’ ka treguar që 57 për qind e votuesve mendojnë që Clinton nuk është një person, të cilit duhet t’i besohet. Për 139.1 milionë dollarët e fituar, familja Clinton ka paguar 31.6 për qind apo 43.9 milionë dollarë (39.9 milionë euro) taksa, shumë kjo që është tepër e lartë për taksapaguesit amerikanë.

Çifti ka dhënë 13.6 milionë euro kontribute në fushën e bamirësisë, para të cilat, pothuajse të gjitha, janë dhënë nëpërmjet fondacionit familjar, që ndryshe njihet si Fondacioni ‘Bill, Hillary & Chelsea Clinton’. Fondacioni në fjalë jep ndihma për një numër të madh organizatash.

 “Ne kemi kaluar nëpër një rrugë të gjatë, duke filluar nga ditët kur unë kam shkuar derë më derë për të mbledhur para për Fondin e Mbrojtjes së Fëmijëve, kur pata arritur të mbledh 16.450 dollarë (14.940 euro) si një profesoreshë e re e juridikut. Pasurinë që e kemi sot ua kemi borxh mundësive që t’i ofron Amerika”, ka thënë mes të tjerash Hillary Clinton.

(Kosova Sot)