Vënia e njerëzve në rend të parë duhet të jetë qëllimi i liderëve të Kosovës për vitin e ri

  • 01 January 2018 - 08:45
Vënia e njerëzve në rend të parë duhet të jetë qëllimi i liderëve të Kosovës për vitin e ri

EDITORIAL EKSKLUZIV PËR "KOSOVA SOT" NGA SHEFJA E ZYRËS SË BE-SË NË KOSOVË 

Njerëzit në Kosovë duhet të kërkojnë performancë më të mirë nga ana e liderëve të tyre

Shkruan: Nataliya Apostolova

Kur vitin e kaluar më është kërkuar të shkruaj një editorial për të përditshmen "Kosova Sot", nuk mund të thosha shumë. Kisha ardhur në Kosovë vetëm pak muaj më parë dhe realisht nuk mund të reflektoja për gjithçka që kishte ndodhur gjatë vitit këtu. Tani, një vit më pas, jam në një pozitë më të mirë të jap observimet dhe mendimet e mia për situatën këtu. Gjatë këtij viti, kam takuar shumë njerëz dhe kam pasur përvoja mahnitëse, por më duhet të pranoj se ka pasur edhe vështirësi. Gjërat nuk kanë lëvizur gjithmonë ashtu siç do të doja t'i shoh unë, si përfaqësuese e BE-së në Kosovë. Megjithatë, viti i ri, që po na troket në derë, do të doja të fillojë me një reflektim pozitiv. Zgjedhjet e përgjithshme dhe ato komunale, të cilat u mbajtën në një atmosferë të qetë dhe demokratike, janë gjëja e parë që më vjen në mend. Kështu është parë ky proces edhe nga shefi i Misionit Vëzhgues të BE-së, Alojz Peterle, nga ambasadorët dhe nga të tjerët të përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet e mbajtura në përputhje me standardet ndërkombëtare janë koncepti më thelbësor i demokracisë dhe ne jemi të lumtur të shohim se Kosova e ka arritur atë. 

Prindërit duan arsimim të mirë

Viti që po e lëmë pas ka sjellë më shumë medalje për sportin kosovar. E di se sa jeni krenarë më kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, dhe jam e lumtur të shoh se këtë vit xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova po i ndjekin hapat e saj, duke sjellë më shumë medalje të arta në Kosovë nga garat e ndryshme. Dhe, më shumë çmime për kinematografinë e Kosovës. Pas suksesit të madh të filmit "Shok", këtë vit kemi "Home" që mori çmimin BAFTA për filmin më të ri të shkurtër. Një film tjetër kosovar, "Martesa", pati së fundmi premierën botërore në Estoni. Të gjithë këta shembuj i japin ngjyra më të ndritshme dhe optimizëm realitetit shpeshherë të zymtë këtu. Dhe, tani vijmë tek vështirësitë. Këtu nuk mund t'i shmangem të pashmangshmes: liberalizimit të vizave. Kjo është diçka që shtrohet në çdo takim dhe me të gjithë njerëzit e moshave të ndryshme dhe unë plotësisht i kuptoj frustrimin dhe mosdurimin e tyre. Prandaj, do të them atë që e kam thënë shumë herë më parë. Zyrtarët e zgjedhur dhe liderët e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përmbushur kushtet për liberalizim të vizave. Ata nuk duhet t'i mbajnë peng njerëzit e tyre. Ata nuk duhet t'i ndërpresin ëndrrat e të rinjve për mundësi më të mira për arsim dhe për përvoja të reja. Ata duhet t'u japin atyre mundësinë për të eksploruar botën dhe për t'i sjellë këto përvoja këtu. Kur flasim për arsimin, kjo është gjithashtu diçka që liderët duhet të fokusohen. E di se njerëzit nuk janë të kënaqur me sistemin aktual arsimor. E kuptoj pse kolegët kosovarë në zyrën time janë aq të shqetësuar për cilësinë e teksteve shkollore të fëmijëve të tyre dhe për mënyrën e mësimdhënies. Ata shpesh më tregojnë shembuj, të cilët i hasin në tekste shkollore të ndryshme, që shpesh në vend se të promovojnë barazinë gjinore priren të jenë të njëanshëm në aspektin gjinor, madje edhe diskriminues ndaj grave. Ose, se si dukuri dhe çështje të tjera shoqërore u shpjegohen nxënësve, që si të tilla i kontribuojnë stigmatizimit dhe paragjykimit të grupeve jo të privilegjuara ose pjesëtarëve të shoqërisë. Prindërit duan arsimim të mirë, një sistem i cili inkurajon dijen dhe mendimin kritik, hulumtimin dhe jo vetëm studimin. Në vend se të mbajnë çanta të rënda, prindërit duan që fëmijët e tyre të mbajnë shkathtësi që do t'i përdorin në të ardhmen. 

Është koha që politikanët e Kosovës ta vënë popullin në rend të parë

Një sistem i mirë arsimi nënkupton një shoqëri më të fuqishme. Nënkupton më shumë punëtorë të kualifikuar dhe njerëz të talentuar në pozita kyçe. Përfundimisht nënkupton një sistem të përmirësuar social, për të cilin Kosova ka aq shumë nevojë. Ne si BE e kemi bërë arsimin prioritet përmes projekteve, granteve dhe programeve të ndryshme, me shpresë që të ndihmojmë transformimin e këtij sistemi dhe ndryshimin e Kosovës për të mirë. Kjo është diçka që politikanët kosovarë duhet ta bëjnë, gjithashtu. Jo gjithçka duhet të sillet rreth politikës, rreth demarkacionit, asociacionit, zgjedhjeve apo liberalizimit të vizave. Ajo çfarë do të doja të shihja vitin tjetër është fokusi në arsim, zhvillim ekonomik, vende të reja pune, shërbime më të mira shëndetësore dhe mundësi të reja për popullin e Kosovës. Njerëzit në Kosovë duhet të kërkojnë performancë më të mirë nga ana e liderëve të tyre dhe këta të fundit duhet të japin rezultate mbi nevojat e njerëzve. Është koha që politikanët e Kosovës ta vënë popullin në rend të parë. Ata duhet t'i lënë anash interesat e tyre të ngushta politike dhe të punojnë për mirëqenien e njerëzve. Ky, mendoj unë, duhet të jetë qëllimi i tyre për vitin e ri. Urime festat dhe një vit të qetë dhe prosperues për popullin e Kosovës!

(Kosova Sot)