Pablo Escobar fshihte pasurinë, njerëzit i kishte vrarë  - Lajme - Kosova Sot
Pablo Escobar fshihte pasurinė, njerėzit i kishte vrarė 

Pablo Escobar fshihte pasurinė, njerėzit i kishte vrarė 

Lordi famëkeq i drogës, Pablo Escobar, ka fshehur miliona, ndoshta edhe miliarda dollarë, në tërë Kolumbinë, para se të vritej në një konflikt me ushtarët, në dhjetor të vitit 1993. Por, për dallim nga sekretet e fshehura të piratëve të librave dhe filmave, për thesarin e fshehur të Escobarit nuk ka asnjë hartë, që do ta tregonte vendndodhjen e tij. 

Escobar nuk kishte hezituar t’i vriste të gjithë ata që i kishin ndihmuar në fshehjen e pasurisë, në mënyrë që askush të mos e dinte vendin e ndodhjes. 

Pjesa më e madhe e parave nuk janë gjetur kurrë. Tani, dy ish- agjentë të CIA-s janë në mision të gjetjes së milionave ende të pagjetur të Escobarit. 

Ky kërkim ka çuar Doug Laux dhe Ben Smith në lagjet më të frikshme të Kolumbisë dhe ka bërë që ata të gjendeshin ballë për ballë me disa prej gangsterëve dhe vrasësve më të rrezikshëm të klanit të Escobarit. 

Derisa gjendej në kulmin e ‘suksesit’ të tij, Escobar fitonte 45 milionë funte në ditë, gjë që ia kishte mundësuar të blinte patundshmëri, avionë, si dhe fosile tepër të shtrenjta dinozaurësh, që fëmijët e tij të luanin me to. Por, përkundër këtyre shpenzimeve marramendëse, fitimet ishin më të mëdha. Bankat e Kolumbisë refuzonin të merrnin paratë e tij të pista, prandaj një pjesë të parave ai i vendosi në bankat e Zvicrës. 

Këto para tani janë të humbura përgjithmonë, meqë vetëm Escobar dinte numrin e llogarisë. Ai ka fshehur shumë më shumë para duke i futur ato në thasë dhe duke i futur nën dhe, bashkë me kuti të shumta të mbushura me ar, kudo që ia kishte marrë mendja se ato do të ishin të sigurta. 

Një e pesta e të gjitha monedhave me vlerë 100 dollarë, ishin ‘varrosur’ në Kolumbi. 

 Iu vu nofka Robin Hood

Vëllai i Escobar-it, Roberto, 71 vjeç, kishte shërbyer si kontabilist i bandës dhe u dënua me 12 vjet burg, para se të lirohej në vitin 2004.

Escobar qëndronte prapa 80% të tërë kokainës së trafikuar në SHBA gjatë viteve 1980.

Atij i ishte dashur që ta blinte një avion më të madh, në mënyrë që të mund t’i bartte të gjitha paratë që fitonte, bile ishte frymëzuar nga James Bond, për ta formuar një flotë të nëndetëseve, për ta kontrabanduar drogën. 

Para se të vdiste, në moshën 44 vjeçe, revista “Forbes” e kishte shpallur atë njeriun e shtatë në botë për nga pasuria. 

Roberto tregon: “Kishim aq shumë para, sa që shpenzonim 2,000 funte për blerjen e lidhëseve elastike, për mbajtjen e parave në grupe. Pushonim në Las Vegas dhe drekonim me Frank Sinatran me para ‘të imta’”. 

Escobar ndërtoi një lagje të re, “Barrio Escobar”, në qytetin Medellin të Kolumbisë, me 1.000 shtëpi dedikuar familjeve të cilat më parë jetonin në mjerim, në lagjen e mbeturinave. 

Kjo bëri që atij t’i vihej nofka Robin Hood, meqë e ndante pasurinë me të varfrit. Por, kjo ia siguroi edhe një kështjellë në mes të qytetit, ku mund të fshihte drogë, armë dhe para, meqë banorët që ai i bëri me shtëpi, i ishin atij aq falënderues, sa që u bënë ushtarë dhe spiunë të tij. 

Ai po ashtu ndërtoi tri kopshte private zoologjike, me elefantë, gjirafa dhe hipopotame. 

I biri i Escobar’it, Juan Pablo, 40 vjeç, thotë: “Më dukej sikur jetonim në ‘Disneyland’. Gjirafa, elefantë, motoçikleta, shumë gjëra për të bërë dhe shumë para për t’i shpenzuar”. 

Thuhet se Escobar ka fshehur një sasi të madhe të parave të tij afër shtëpive të shumta të tij në Kolumbi, Meksikë dhe Florida.

Një ekip i kërkuesve të thesarit udhëhiqej nga John Miller, i cili kishte bërë plaçkitjen e njohur të trenit në Rio de Zhaneiro, në vitin 1981.

Edhe pse skeptikët thonë se rrëfimet për pasurinë e fshehur të Escobarit janë vetëm gojëdhëna, Steve Murphy, njëri prej agjentëve të DEA-s, që kishte ndihmuar gjetjen e Escobarit nga qeveria e SHBA-së, para se ai të vritej në kulmin e shtëpisë në Medellin, thotë se kjo nuk është legjendë. 

“Me siguri e dimë që Escobar dhe shokët e tij kanë fshehur para në shpella. Më pas, ai i vriste të gjithë ata që e dinin se ku gjendeshin paratë. Donte që vetëm ai ta dinte atë gjë”. 

Gazeta kolumbiane “El Espectator” ka botuar foto të një pjese të thesarit të gjetur të Escobarit, rreth 4 milionë funte, të cilat janë gjetur të mbuluara me dhe, në tri kuti të plastikës, në nëntor të vitit 1989. Një vit më vonë u gjetën 25 milionë funte bashkë me 150 kg shkopinj të arit. 

Deri më tani, qeveria e Kolumbisë ka arritur që të gjejë vetëm 75 milionë funte nga paratë e zhdukura. Një shumë sa dhjetëfishi i kësaj, mund të gjenden përsëri të groposura diku, duke pritur që të gjenden. 

(Kosova Sot)

15 orë e 12 minuta më parë
23/01/18
aaaaaaaa