GURAZIU: VËLLEZËRIT DEVOLLI MONOPOLET PO I MBAJNË PËRMES KORRUPTIMIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE

  • 01 January 2018 - 13:54
GURAZIU: VËLLEZËRIT  DEVOLLI MONOPOLET PO I MBAJNË PËRMES KORRUPTIMIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" tha se ekonomia kosovare do të vuajë derisa në vendin tonë do të kemi monopole të hapura, antikushtetuese dhe antiligjore si është rasti i homologimit të veturave, por edhe në shumë sektorë të tjerë, sepse pas këtyre monopoleve fshihen mafio-oligarkët e pushtetit dhe mafio-politikanët e ndryshëm, që janë pasuruar si sheikët, dhe të njëjtët duhet që sa më parë të shkojnë prapa grilave të burgut. "Do ta kemi një situatë të tillë përderisa kemi një prokurori të kapur të shtetit dhe përderisa e kemi një prokurori të heshtur, andaj edhe është krejt normale që po hesht edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që nuk bëzajnë fare për shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve që po bëhen nga vëllezërit Shkëlqim dhe Blerim Devolli me monopolet që kanë dhe po i mbajnë përmes korruptimit të Administratës publike, por edhe gjykatave e gjyqtarëve të korruptuar dhe të prokurorëve të inkriminuar", potencoi ai. "Tërë kjo situatë lë të kuptojmë se ky është dështimi i politikës kosovare totalisht dhe shtetit tonë që ekonominë e Kosovës e kanë shtrirë përtokë, sektorin më të ndjeshëm që është shtylla kryesore ekonomike për shtetin", vijoi më tutje ai. "Brengos heshtja e Prokurorisë për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve dhe që madje nuk po merr as edhe një veprim të vetëm "ex officio" që prej vitit 2009, kur edhe është nënshkruar kontrata për homologim, si ekskluzivitet për Devollët, kur si duket kësaj prokurorie po i mbushet ''gusha'', plot me euro nga Devollët që po mendojnë se janë më të fortë se ligji dhe mbi ligjin", u shpreh Guraziu.

(Kosova Sot)