I plagosuri gjatë natës së mbrëmshme është liruar për në shtëpi

  • 01 January 2018 - 14:25
I plagosuri gjatë natës së mbrëmshme është liruar për në shtëpi

Në natën e ndërrimit të mot moteve një person është goditur me plumb qorr në pjesën e përparme të gjoksit, por që pas trajtimit mjekësor është liruar për në shtëpi, pasi që plumbi i ka shkaktuar vetëm një plagë nën lëkurore.

Në po të njëjtën ditë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga lëndimi me mjete piroteknike 20 persona.

Këto për KosovaPress i ka bërë të ditur, Agron Çitaku, specialist i emergjencës në QKUK, i cili tha se të lënduar gjatë festimit të Vitit të Ri, janë më të pakët sesa vitet e kaluara.

“Çka është më me rëndësi se të lënduar nga mjetet shpërthyese, eksplozive kanë qenë shumë më të pakta se viteve të tjera. Kemi të bëjmë me një numër përafërsisht 20 raste të lëndimeve me petardë dhe një të plagosur nga një plumb qorr. Gjendja e personit është mirë, është trajtuar këtu dhe ka shkuar në shtëpi. Më shumë ka qenë një plagë nën lëkurore që ka depërtuar plumbi dhe ka shkuar në shtëpi. Ka qenë i plagosur në pjesën e përparme të gjoksit. Edhe ata pas trajtimit duke Iu falënderuar ekipeve mjekësore që kanë qenë këtu janë trajtuar kanë marrë terapinë adekuate dhe mund të vijnë përsëri nëse ka nevojë”, bëri të ditur ai.

E në emergjencë kanë kërkuar ndihmë edhe 12 persona si pasojë e lëndimeve të marra në aksidente komunikacioni.

Çitaku bëri të ditur se këta persona kanë qenë me lëndime të lehta dhe se pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

“Fatkeqësisht nuk kemi mbetur pa ta edhe këtë ndërrim, por nuk ka qenë edhe numër i madh, kryesisht kanë qenë lëndime të lehta. Numër të saktë sipas evidencave që i morëm na diku janë 12-13 të lënduar nëpër aksidente, por nuk janë me lëndime të rënda fatmirësisht”, tha ai.

Vitin e kaluar në ndërrimin e mot moteve në Emergjencën e QKUK-së, një person kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni, ndërsa 22 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore nga lëndimet me mjete piroteknike.

(Kosova Sot)