Më 2018 nuk ka më kode të huaja - Lajme - Kosova Sot
Mė 2018 nuk ka mė kode tė huaja

Mė 2018 nuk ka mė kode tė huaja

Viti 2018 do t’i jap përfundimisht fund operimit të kodeve të huaja telefonike dhe do të përdoret vetëm kodi +383 i Kosovës, bëjnë të ditur përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (ARKEP).

Kodet e huaja telefonike ndërkombëtare, siç është kodi i Monakos (+377), kodi e Sllovenisë (+386), dhe kodi i Serbisë (+381) që operatorët e telefonisë fikse dhe mobile në Kosovë kanë shfrytëzuar, do të shuhen deri në qershor të këtij viti.

Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri më tani, zbatimi i kodit +383 është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë në planin e migrimeve të kodeve aktuale në kodin +383.

“Aktualisht në kodin e telefonisë fikse 381 mund të bëhen të gjitha thirrjet me 383, do të thotë operatori kryesor Telekomi i Kosovës edhe në thirrjet dalës edhe në thirrjet hyrëse përdorë kodin 383, ndërsa në telefoninë mobile, kodi 383 përdoret në thirrjet hyrëse nga vendet tjera në drejtim të Kosovës”.

“Faza tjetër është faza kur do të fillojë largimi i kodit 381, si dhe përdorimi edhe në thirrjet dalëse i kodit 383 të telefonisë mobile, dhe përfundimisht në qershor pritet të gjitha kodet e huaj të largohen dhe të funksionojë vetëm kodi 383”, thotë Gashi.

Ndërkohë, Gashi thotë se njëra nga fazat që do të duhet në ndodh në këtë vit është ndërrimi i sim kartelave i mbi dy milionë përdoruesve të telefonisë mobile.

“Ndërrimi i sim kartelave do të fillojë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, por në bazë të informatave që kemi nga operatori Vala, nuk do të thotë se kjo fazë do të fillojë më 1 janar, por se gjithsesi do të kryhet brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2018”, thotë Gashi.

Kosovës iu kishte ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit të viti 2016. Kjo ishte arritur pas një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo marrëveshje, përveç dhënies së kodit telefonik për Kosovën, pati paraparë edhe shuarjen e të gjithë operatorëve, të vlerësuar ilegalë në territorin e Kosovës.

Më 1 maj të vitit të kaluar, dy operatorët serbë pushuan së funksionuari, posaçërisht në veri të vendit, derisa, operatori i tretë i cili po ashtu kishte operuara ilegalisht, ju dha licencë e përkohshme dhe e kufizuar.

Megjithëkëtë, qytetarët serbë të Kosovës shuarjen e dy operatorëve serbë e patën konsideruar si të padrejtë pasi, sipas tyre, “tani kanë një operator që vetë nuk e kanë zgjedhur”.

Ivana Markoviq një qytetare pati thënë se kjo e pengon pse është e detyruar të shfrytëzojë një rrjet, dhe ka mbetur pa numrin të cilin e ka shfrytëzuar për vite me radhë.

 “Nëse nuk mund ta shfrytëzojmë Telenorin dhe VIP, e njëri prej këtyre dy rrjeteve ka qenë imi, pse më duhet pikërisht të zgjedh MTS. Ndoshta nuk më pëlqen. Më nevrikos më shumë kushtëzimi në krejt këtë rrëfim. Më shumë më irriton që për marrëveshjet askush nuk flet hapur, të gjithë ne e marrim vesh në mënyrën më të rëndë, kur na prek, para së gjithash në xhep. Për të gjithë këta operatorë duhet të japim euro, dhe mua kjo aspak nuk më përshtatet”, pati thënë ajo.

Thirrja e parë telefonike me kodin +383, ishte realizuar në shkurt të vitit të kaluar.

Në atë kohë drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati vlerësuar këtë si hapin e parë drejt zbatimit të marrëveshjes për telekomunikacionin.

Agron Mustafa pati theksuar se zbatimi i Marrëveshjes së kodit shtetëror, bën identifikimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

“Të gjithë e dimë që kemi tre kode në shfrytëzim, 377, 381 dhe 386. Me zbatimin e kodit të ri, gradualisht do të vjen deri tek eliminimi i kodeve tjera”, pati thënë Mustafa.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës marrjen e kodit e kishin konsideruar të rëndësishme për sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit dhe njohje ndërkombëtare të pavarësisë në fushën e telekomit.

Në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që shfrytëzon linjën +377, ka paguar për shfrytëzim të kodit 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro.

Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në mbi 200 milionë euro.

(Kosova Sot)

10 orë e 24 minuta më parë
18/01/18
aaaaaaaa