Trump: Është koha për ndryshime në Iran

  • 01 January 2018 - 17:47
Trump: Është koha për ndryshime në Iran

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, tha se në Iran janë duke u plaçkitur të drejtat e njeriut dhe pasuria e vendit, duke shtuar se ka ardhur koha që në këtë vend të ndodhin ndryshime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump, i cili ndërrimin e motmoteve e priti në shtëpinë e tij në Florida bashkë me familjen e tij, në rrjetin social Twitter deklaroi se Irani ka qenë i pasuksesshëm në të gjitha nivelet, edhe përkundër marrëveshjes së tmerrshme të nënshkruar me qeverinë e paraardhësit të tij, Barack Obama.

“Populli i madh i Iranit me vite është nën shtypje. Është i uritur për ushqim dhe liri. Bashkë me të drejtat e njeriut, në Iran është duke u plaçkitur edhe pasuria e vendit. Është koha për ndryshim”, ka thënë Trump.

Komentet e presidentit amerikan vijnë pas shpërthimit të protestave në Iran, të cilat filluan të enjten pasi një grup u mblodh në qytetin Meshhed pa thirrje të asnjë partie politike për të protestuar kundër kushteve ekonomike në vend.

Protestat u shndërruan në protesta antiqeveritare dhe u përhapën në shumë qytete.

Sipas deklaratave të zyrtarëve shtetërorë, nga e enjtja, kur filluan protestat, në vend kanë humbur jetën dhjetë persona.

Në një postim të djeshëm në Twitter, Trump i bëri thirrje qeverisë iraniane të respektojë të drejtat e popullit, përfshirë edhe të drejtën e shprehjes.

(Kosova Sot)