Homologimi, monopoli skandaloz QË ZHVAT MILIONA EURO TË QYTETARËVE - Lajme - Kosova Sot
Homologimi, monopoli skandaloz QË ZHVAT MILIONA EURO TË QYTETARËVE

Homologimi, monopoli skandaloz QË ZHVAT MILIONA EURO TË QYTETARËVE

GODITJA E EKONOMISË SË TREGUT

Askush nuk e di se deri kur do të vuajë ekonomia kosovare nga monopolet antikushtetuese dhe antiligjore, siç është rasti i homologimit të veturave, por edhe në shumë sektorë të tjerë, pas të cilëve fshihen mafio-oligarkët e pushtetit dhe mafiopolitikanët e ndryshëm, që janë pasuruar si sheikët. Analistët pyesin se përse po hesht Komisioni i Konkurrencës për shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve që po bëhen nga vëllezërit Shkëlqim dhe Blerim Devolli me monopolet që mbajnë përmes korruptimit të administratës publike dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe të prokurorëve të inkriminuar. E njëjta pyetje shtrohet edhe për heshtjen e Prokurorisë së Shtetit, e cila nuk vepron për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve dhe nuk po merr as edhe një veprim të vetëm , "ex- officio", prej vitit 2009, kur edhe është nënshkruar kontrata për homologim, si ekskluzivitet për Devollët. Analistët e kanë shtruar në diskutim edhe çështjen se a do të përgjigjen penalisht zyrtarët që e kanë nënshkruar këtë kontratë si dhe vetë Devollët për këtë zhvatje tanimë mbi 9-vjeçare. Ata gjithashtu pyesin se përse po heshtin, si pozita ashtu edhe opozita, për këtë shkelje të Kushtetutës nga ana e Shkëlqim Devollit dhe klanit "Pronto" dhe a do ta dërgojë dikush nga deputetët këtë shkelje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese. Analistët vlerë- sojnë se me tërë këtë heshtje po vërtetohet se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është plotësisht politik e klientelist, i korruptuar plotësisht dhe që nuk ka guximin as të deklarohet fare për monopolet e ndyra e kriminale të Devollëve të inkriminuar. Ata thonë se kjo është edhe një dëshmi shtesë se shteti është i kapur pikërisht nga klani "Pronto" me Devollët në krye, në klanin e të cilëve tanimë e kanë përqafuar edhe VV-në me Shpend Ahmetin dhe klikën e tij. 

QAK-u nuk i nënshtrohet konkurrencës së lirë

Lidhur me monopolin në homologim të makinave, për gazetën "Kosova Sot" ka folur Ahmet Krasniqi, nënkryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Ai tha se si dihet vendi ynë që nga paslufta është përcaktuar për ekonomi të lirë të tregut dhe treg liberal që janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. "Andaj, si agjenci e Autoritetit të Konkurrencës, së shpejti presim të dalim me të gjitha këto raste, ku ka dyshime se ato e kanë ngulfatur ekonominë e lirë dhe veç saj për të gjitha këto rast edhe do ta njoftojmë Qeverinë dhe ministritë përkatëse me rekomandimet tona që të krijohen kushtet të barabarta për të gjitha bizneset", u shpreh ai. "I mbetet Qeverisë apo ministrive përkatëse që të vendosin dhe të reagojmë se a ka pasur në vërejtjet tona biznese që e kanë ngulfatur ekonominë e lirë të tregut", potencoi Krasniqi. 

Moszbatimi i ligjit favorizon monopolet

Eksperti fushës së financave i shkolluar në Angli, Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot" tha se krijimi i monopoleve, kapja e shtetit, dhe puna e tillë e institucioneve për zbatim të ligjit çfarë e kemi në Kosovë, nuk janë rastësi, janë pjesë e tërësisë së sistemeve të instaluara nga Serbia në Kosovën e pasluftës së fundit përmes rrjetit të spiunëve. "Përderisa Serbia mban në funksion platformën e moszbatueshmërisë së ligjit, cilido sistem që tentohet të instalohet dhe që ka për bazë platformën e zbatueshmërisë së ligjit nuk funksionon. Ndarjet buxhetore për institucionet përgjegjëse për zbatueshmëri të ligjit në Projektligjin buxhetor për vitin 2018, të miratuar në lexim të parë, kanë një rritje, mirëpo kjo rritje nuk është e mjaftueshme", potencoi ai. "Rritja e shpenzimeve buxhetore për këto institucione nuk siguron ndërrimin e platformës së moszbatueshmërisë së ligjit me platformën e zbatueshmërisë së ligjit, maksimumi që mund të sigurojë është që platforma e moszbatueshmërisë së ligjit të marrë disa goditje dhe atë vetëm nëse përcillet edhe me veprime shtesë që rrisnin përgjegjësinë dhe llogaridhënien e të punësuarve në këto institucione", u shpreh Meha. Ndërsa analisti Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" tha se pasi Kushtetuta dhe ligjet e vendit japin garanci për një treg të lirë dhe pa monopole, shumë më mirë dhe më e ndershme do të ishte sikur ministria përkatëse të jepte licenca edhe për kompani të tjera për homologim të makinave."Në këtë mënyrë do të liberalizohej tregu i homologimit dhe në çdo komunë të Kosovës të kishte së paku nga 2 kompani të licencuara për homologim të makinave, e jo të gjitha paratë e qytetarëve, që janë me miliona euro, të përfundojnë vetëm në xhepat e një kompanie, sikurse që janë Devollët", theksoi ai. Eksperti Grapci ka shpresa se Qeveria nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të ketë monopole në asnjë fushë të ekonomisë, duke garantuar tregun e lirë e të barabartë për të gjitha bizneset. 

GURAZIU: VËLLEZËRIT SHKËLQIM DHE BLERIM DEVOLLI MONOPOLET PO I MBAJNË PËRMES KORRUPTIMIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE, POR EDHE GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE TË INKRIMINUAR Analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" tha se ekonomia kosovare do të vuajë derisa në vendin tonë do të kemi monopole të hapura, antikushtetuese dhe antiligjore si është rasti i homologimit të veturave, por edhe në shumë sektorë të tjerë, sepse pas këtyre monopoleve fshihen mafio-oligarkët e pushtetit dhe mafio-politikanët e ndryshëm, që janë pasuruar si sheikët, dhe të njëjtët duhet që sa më parë të shkojnë prapa grilave të burgut. "Do ta kemi një situatë të tillë përderisa kemi një prokurori të kapur të shtetit dhe përderisa e kemi një prokurori të heshtur, andaj edhe është krejt normale që po hesht edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që nuk bëzajnë fare për shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve që po bëhen nga vëllezërit Shkëlqim dhe Blerim Devolli me monopolet që kanë dhe po i mbajnë përmes korruptimit të Administratës publike, por edhe gjykatave e gjyqtarëve të korruptuar dhe të prokurorëve të inkriminuar", potencoi ai. "Tërë kjo situatë lë të kuptojmë se ky është dështimi i politikës kosovare totalisht dhe shtetit tonë që ekonominë e Kosovës e kanë shtrirë përtokë, sektorin më të ndjeshëm që është shtylla kryesore ekonomike për shtetin", vijoi më tutje ai. "Brengos heshtja e Prokurorisë për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve dhe që madje nuk po merr as edhe një veprim të vetëm "ex officio" që prej vitit 2009, kur edhe është nënshkruar kontrata për homologim, si ekskluzivitet për Devollët, kur si duket kësaj prokurorie po i mbushet ''gusha'', plot me euro nga Devollët që po mendojnë se janë më të fortë se ligji dhe mbi ligjin", u shpreh Guraziu.

EJUPI: RASTI I QAK-UT PARAQET NJË MONOPOL TË PASTËR

Ish-kryetari i parë i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Osman Ejupi, për gazetën"Kosova Sot" tha se problemi i homologimit të automjeteve është një problem real, definimin dhe zgjidhjen e së cilit që sa vite më parë është dashur ta japë Qeveria përmes dikasterit përkatës (me marrëveshje ekskluzive) si dhe rregullatori përkatës Autoriteti i Konkurrencës me konstatimin e pozitës dominuese."Nga aspekti ligjor, ligji për mbrojtjen e konkurrencës, rasti i QAK-ut, paraqet një monopol të pastër, pra ka një pozitë të pastër dominuese në tregun e Kosovës, pasi i njëjti është i vetmi institucion i autorizuar për kryerjen e homologimit të automjeteve, dhe që i njëjti institucion, pra QAK-u, nuk i nënshtrohet konkurrencës së lirë në treg, ka fuqi të rëndësishme në treg pa konkurrentë ekzistues ose potenciale të tjera të ngjashme, dhe po ashtu i njëjti ka një pjesëmarrje të gjerë dhe pozitë të plotë dominuese në gjithë tregun relevant të Kosovës", potencoi ai. Eksperti Ejupi tha se situata në treg nuk mundet të quhet ndryshe përveçse monopol i pastër. "Autoriteti i Konkurrencës duhet që të konstatojë abuzimin e QAK-ut, me pozitën dominuese-monopolin. Se sa QAK-u abuzon me pozitën dominuese, monopolin në treg, është një proces pune ku duhet matur faktorët e tregut dhe duke analizuar mirë dhe thellë, ngase i njëjti në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë a ka vendosur çmim real apo joreal të homologimit, ose kushte të tjera që kufizojnë marrësin e shërbimit, prodhimin, tregun ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve. Fusha tjetër e abuzimit të mundshëm që duhet të investigohet është se si QAK-u po vepron në zbatimin e kushteve të ndryshme të transaksioneve për punët e njëjta me ndërmarrjet e tjera homologuese në regjion, në vendet fqinje, duke mos i sjellë konsumatorët kosovarë në një pozitë të pafavorshme në raport me konkurrencën e tregut homologues regjional. Ligji është mbi çdo marrëveshje, qoftë edhe për çfarëdo shërbimi, edhe nëse ai përmban ekskluzivitetin për homologimin e automjeteve", vlerësoi ai për "Kosova Sot".

BADALLAJ: KLANI "PRONTO" PO E SHKATËRRON KOSOVËN

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot" tha se ekonomia e Kosovës do të vuajë derisa ky vend është i shitur dhe në duart e bandave mafioze që nga majat e shtetit, banditët dhe bandat politike të kanaleve të nëntokës kriminale. "Ajo është goditur për vdekje nga mafio-oligarkët, sidomos të bandës Devolli, dhe mbështetet fuqishëm nga krerët më të lartë shtetërorë, ndryshe këta nuk do të kishin mundësi dhe të vepronin aq lirshëm", u shpreh ai. "Menjëherë pas luftës, e sidomos kur u lidhën me bandat mafio-oligarkësh kaluan me pasuri edhe sheikët më me zë në botë. Kjo bandë mafioze është shtrirë për të zezën e vendit në të gjitha dikasteret. Autoriteti i Konkurrencës për shkeljet flagrante dhe ligjeve nuk dëgjuam ndonjëherë që të ndërmarrë masa, por vetëm fjalë. Sistemi i kalbur gjyqësor është i korruptuar fund e krye. Prokurori as që guxon t'i përmendë këto fjalë", potencoi ai. "Prokuroria hesht karshi bandave mafio-oligarkësh që ka emër Devolli. Mendoni se nuk i dinë dhe nuk i shohin këta. I kanë para hundëve po nuk guxojnë se janë në të njëjtën valle me ta gisht për gisht, por i pari e udhëheq vallen banda Devolli. Dhe në anën tjetër prokuroria hesht për krimet, hajnitë e bandës Devolli që shkatërroi deri në palcë ekonominë e vendit dhe rriti papunësinë më të madhe në Evrope, ku të gjitha mjetet e homologimit po shkojnë në xhepat e bandës Devolli dhe ne xhepat e majave të shtetit dhe bandës "Pronto". Andaj, për t'u përgjigjur penalisht këto banda mafioze që nga kokat e 'peshqve të mëdhenj' e deri tek gardiani që rri në derë të sistemit gjyqësor do të duhej Vetting-u dhe njësitë speciale amerikane, ndryshe ne vetëm e mashtrojmë veten. Sepse banda Devolli dhe majat e larta të shtetit e goditën për vdekje edhe Prishtinën në zemër, që bënë hata dhe do të shihen. Nuk njohin ligje, nuk njohin shtet, nuk njohin Kushtetutë të vendit, ata janë gjithçka. Këta nuk kanë dhënë betimin për të mbrojtur Kushtetutën e vendit dhe interesat e qytetarëve, por interesat e mafio-oligarkëve", ka vlerësuar Badallaj-Zhuriani.

Monopol - oligopol i klasës politiko-institucionale

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), për gazetën"Kosova Sot" tha se në Kosovë nuk është problem vetëm homologimi. "Shikoni Ligjin mbi standardizimet, fakultativ, vullnetar, sepse zbatueshmëria e ligjeve është nën 40 për qind, manipulimet me Ligjin dhe me Agjencinë e Konkurrencës, shkallën "industriale" të korrupsionit, tenderomanisë, keqprivatizimi", vlerësoi ai. Sipas tij, kjo trajtë e monopolit - oligopolit që po e kultivojnë disa në Kosovë është monopol - oligopol i klasës politiko-institucionale, e cila është bashkëpronare dhe bashkë-aksionare dhe përdor mbase edhe bizneset fiktive për të menaxhuar asetet e tyre. 

(Kosova Sot)

16 orë e 11 minuta më parë
21/04/18