Iran, 23 të vdekur gjatë protestave - Lajme - Kosova Sot
Iran, 23 të vdekur gjatë protestave

Iran, 23 të vdekur gjatë protestave

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në protestat kundër regjimit në Iran që janë duke vazhduar nga dita e enjte

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe mbi 500 janë arrestuar në protestat kundër regjimit në Iran që janë duke vazhduar nga dita e enjte.

Sipas deklaratave të zyrtarëve dhe lajmeve në mediumet e vendit, katër persona kanë humbur jetën në Dorud të provincës Loristan, dy në Ize të provincës Huzistan, tre në Tujserkan të provincës Hemedan, tre në Shahin Shehr në provincën Isfahan, tre në qytetin Humejnishehr, një në qytetin Nexhef Abad dhe gjashtë në Gahderixhan. Ndërkaq, një pjesëtarë i sigurisë ka humbur jetën në Kehriz Seng në provincën Isfahan.

Sipas deklaratave të autoriteteve iraniane, të paktën 500 persona janë arrestuar gjatë protestave. Ndërkaq, burimet jozyrtare njoftojnë se numri i të arrestuarve është disa herë më i madh.

Ndërkohë, zëvendësguvernatori i Teheranit, Ali Asgar Nasirbaht, tha se, “450 persona janë arrestuar në Teheran, prej të cilëve 200 të shtunën, 150 të dielën dhe 100 të hënën”.

Ndryshe, protestat në Iran filluan më 28 dhjetor, pasi një grup u mblodh në qytetin Meshhed për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, papunësisë dhe korrupsionit.

Në kohë të shkurtër protestat u shndërruan në demonstrata kundër regjimit dhe u përhapën në shumë qytete të Iranit, si Teheran, Kermanshah, Senendeç, Zenxahn, Shiraz, Kum, Ahvaz, Zahidan, Erak dhe Hurrem Abad.

(Kosova Sot)

21 orë e 42 minuta më parë
23/04/18