Zbulim i rrallë nga “miniera” Konica: Harta e trojeve shqiptare e vitit 1902 (Foto)

  • 02 August 2015 - 23:20
Zbulim i rrallë nga “miniera” Konica: Harta e trojeve shqiptare e vitit 1902 (Foto)

Në fushën e hartografisë, trojet shqiptare janë shfaqur për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin II të erës sonë, ku jepet jo vetëm territori ilir midis Durrësit e Tiranës, përcaktuar me termin “Albanopoli” si qytet i albanëve, por dëshmohet edhe për vendbanime të tjera iliro-dardane. Më pas, do të jetë Tabula Peutingeriana, shek. III (në segmentin e saj VIII, emërtuar “Iliricum” e “Iepirum”) që do të përcaktojë troje e territore iliro-shqiptare, si Scodra, Dyrratio, Apollonia, Aulona, dhe do të vijohet më tej me hartën e Al-Idrizit (1154), për të arritur në shekujt XIV-XV ku zënë e shfaqen territore arbërore e shqiptare nën emrin “Albania”, madje edhe qytetet kryesore të tyre, me kështjellat, lumenjtë, kufizimet, etj.

Nuk ka dyshim se në rrjedhë të shekujve, mbushullia e të tilla hartave me termin “Albania”, përpiluar nga hartografë të shquar evropianë përbën mrekullisht një pasuri dhe dëshmi të etnisë së lashtë shqiptare. Faik Konica, gjurmues i hershëm i gjithçkaje shqiptare nëpër bibliotekat e Evropës, është i pari rilindës që intrigohet dhe interesohet nga afër për hartat më të vjetra që pasqyrojnë Shqipërinë, duke arritur të zbulojë në British Museum tetë hartat e Camottit (Venedik, 1571) me emrin “Provincia di Albania”. Veçse, krahas entuziazmit të zbulimeve, ai edhe do thartohet njëfarësoj tek vëren, sidomos gjatë shekullit XIX, pasaktësi e shtrembërime në emërtime, si dhe kufizime të theksuara në përmbajtjen e hartave, të cilat e shfaqnin Shqipërinë në mënyrë të copëtuar e “të përciptë” (cilësimi është i vetë Konicës), në kuadër të Evropës juglindore, të gadishullit ballkanik apo të së ashtuquajturës “Turqi evropiane”. Për më tepër që asnjë hartë që i binte në dorë nuk ishte e përpiluar enkas për shqiptarët, ndonëse paraqitnin trevat e tyre. Ato ishin thjesht të destinuara për publikun e huaj.

E megjithatë, ai nuk i ndal hulumtimet, dhe veç kur e shohim, në fillim të shekullit XX, të vendosë kontakte të drejtpërdrejta pune me gjeografin e madh Elisée Reclus, figurë e shquar botërore, autor i veprës “Gjeografia e përbotshme”, vepër të cilën Konica e quan “monument”, tek ka pikasur në të që stërgjyshi i tij i lashtë Ali Pashë Tepelena shpallet “Rishëljëja i Shqipërisë”. Themi që Konica vendosi “kontakte pune”, sepse gjeniu i ri shqiptar do të kishte idenë e shkëlqyer për të botuar për herë të parë, falë Institutit gjeografik të Brukselit, një hartë të Shqipërisë, unikale në llojin e vet, hartë me emërtime toponimike shqipe, të cilën ai e shihte si një domosdoshmëri historike.

Harta e parë e Shqipërisë

Nga Faik Konica

Hartë gjeografike e Shqipërisë, në shkallën 1/500 000, format 1m,20 x 0m75, hartuar nga Instituti Gjeografik i Universitetit të Ri të Brukselit. (Çmimi 2 fr. për Shqipërinë, 5 fr gjetkë. Për ta marrë jo të palosur, por rrotullam në karton, shtoni 0,50 fr). 

Punimet e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës shërbyen si bazë për hartën tonë, por ja përmirësimet që janë realizuar:

1. Emrat e lokaliteteve e të tjera janë të shkruara në shqip me një saktësi të përpiktë.

2. Kurbat niveluese shfaqen me pesë ngjyra të ndryshme duke shkuar nga e kafejta më e çelët që vjen e forcohet, gjer te larushia më e errët, tek ndiqen lartësitë, dhe mjaft të hidhet një sy mbi hartë për të krijuar një ide të qartë rreth konfigurimit të tokës shqiptare. Kjo mënyrë i lejon nga ana tjetër profesorit të zgjuar t’u japë nxënësve të tij një seri mësimesh sugjestionuese dhe tërheqëse, që janë të pamundura me hartat ku lartësitë shfaqen me ndoca ravijëzime të turbullta, zgjatur ku këtu, ku atje.

Sepse kjo hartë destinohet kryesisht për shkollat. Andaj pra dhe kemi përdorur një format aq të madh dhe, me qëllim që t’i japim emrat me germa të mëdha, të lehta për t’u lexuar, u kufizuam në një nomenklaturë prej rreth 400 lokalitetesh, lumenjsh, liqenesh, etj.

Nuk kishim për qëllim të bënim një hartë për një fushë të ngushtë, dhe ndjenja e lartë shkencore e Z. Elisée Reclus do t’i priste me gëzim këto kërkesa tonat të paanshme. Nuk gjendet në të një vijë ndarjeje midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje, po ashtu turke [nën suazën turke], por të banuara nga kombësi të tjera. Nuk deshëm të përcaktonim kufij të kontestuar. Është një hartë shkencore dhe asgjë më tepër, ose më mirë, asgjë më pak. Nëse kemi përfshirë pjesë territori dukshëm joshqiptare, si për shembull në Veri-Lindje, kuptohet - veç në mos qofshin mendjengushtë për keqardhjen tonë - se është e pamundur në një hartë të priten kufij të skajshëm, e vetëm të përdornim atëherë viza të drejta. Pra, nuk shkaktojmë kurrfarë ambicie, kurrfarë iluzioni, makar i vogël qoftë. Ata që jetojnë me fjalë dhe përkunden me ninulla fjalish s’kanë pse vinë e ankohen dhe të na lëshojnë britmat e tyre të zakonta prej palloi.

Po ashtu, nuk janë shënuar me vizë kufijtë e vendeve fqinje, por kjo, kuptohet, për arsye krejt të tjera. Duke pasur parasysh shkallën e hartë sonë dhe pasaktësinë e mundshme të dokumenteve që disponoheshin, iu trembëm pasaktësive. Andaj dhe emrat e vendeve fqinje u shkruan sipas një lakoreje, në përputhje me vijën e përgjithshme të kufijve. Mendoj se ideja ishte e arritur dhe nuk mund të bëhej më mirë.

Vendi nuk është ndarë në vilajete, duke qenë se kjo ndarje nuk paraqet asnjë interes nga pikëpamja gjeografike. Në të kundërt, poshtë emrit të lokaliteteve kryesore historike janë dhënë disa data. Është për të ardhur keq që nuk arritëm të shfrytëzonim sa më mirë në këtë drejtim studimin tonë botuar te Albania me titullin Topografia e fushatave të Skënderbeut.

Nga ana tjetër, për të shtuar interesimin për këtë hartë të admirueshme, shtuam dy suazime, një për gjeologjinë, tjetra për klimën e Shqipërisë.

E ndjej si detyrë të falënderoj me zemër, në emër të popullit shqiptar Z. Elisée Reclus, që nuk është vetëm një gjeograf i madh, por edhe një zemër e madhe dhe që, si këtu, si në gjithçka, u tregua me zemër të lartë fisnike. Falënderoj gjithashtu Z. Bertrand dhe Z. Pattesson, dy hartografët e shquar të Institutit që u morën me aq mjeshtri e shkathtësi për ta çuar gjer në fund tërë këtë ndërmarrje.

A ka gabime materiale në këtë hartë? Nuk besoj; por është e mundur dhe, në këtë rast, kërkoj të falur, sepse gjithçka që ka të bëjë me nomenklaturën, kuptohet, vetiu, që është dhënë nga unë. Vura në veprim kujtesën time dhe tërë librat që munda, konkretisht gjeografinë e shkëlqyer të Shqipërisë botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës. E megjithatë, kam frikë se mund të jenë bërë edhe gabime, sidomos për sa i përket Veriut të Shqipërisë.

Mirëpresim gjithë mirënjohje tërë vërejtjet që mund të na bëhen, do t’i klasifikojmë ato dhe, po qe se ky botim i parë, sikurse shpresojmë, arrin të shitet shpejt, ne do t’i përdorim ato për një botim të ardhshëm. Ndërkohë, pa dyshim, Instituti gjeografik ushtarak i Vjenës do ketë botuar hartën e tij të re të Shqipërisë jugore, gjë që do lejojë, ka të ngjarë, në botimin tonë të dytë, disa ndryshime në lakoret niveluese.

Do të ishte mungesë nga ana ime po të mos realizoja detyrimin më kryesor për të falënderuar Z. De Aladro, i cili hoqi shpenzimet e këtij botimi. Me natyrshmërinë më dashamirëse mori përsipër të gjitha shpenzimet, një ditë kur po i flisja për një projekt harte të Shqipërisë. Ja një veprim më se i dobishëm, dhe tërë shqiptarët i janë atij mirënjohës.

Albania, Viti 6, prill-maj 1902, nr. 4-5.

/Tirana Observer/