Ahmeti ironizon me Ymerin pas dorëheqjes: E cilësoi si ditën më të keqën në jetë

  • 02 January 2018 - 16:52
Ahmeti ironizon me Ymerin pas dorëheqjes: E cilësoi si ditën më të keqën në jetë

Një ndër anëtarët me të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nga koha kur janë shfaqur dallimet në këtë subjekt politik, Valdrin Ahmeti, ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të VV-së Visar Ymeri.

Ai ka shfrytëzur një deklaratë të Ymerit, të cilën e dha në konferencën e dorëheqjes së tij nga të gjitha funksionet në VV, për të ironizuar me të.

“Ditën kur hoqi dorë nga pozitat e cilësoi si më të keqën në jetë!”, u shpreh Ahmeti përmes një postimi në rrjetin shoqëror në “Facebook”.

Ymeri, kryetari i deritashëm i Lëvizjes Vetëvendosje, vendimin për dorëheqje e ka konsideruar si një prej vendimeve më të vështira të tij.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të dorëhiqem parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje. Më duhet ta them se ky është një prej vendimeve më të vështira që i kam marrë në jetë dhe një prej ditëve më të vështira të jetës sime”, ka thënë Ymeri në konferencën për media.

“Kur Lëvizja nuk është e bashkuar, nuk është e fortë, e kur kjo nuk është e fortë humb Kosova”, tha Ymeri, duke thënë se dallimet brenda partisë e kanë bërë ta marrë këtë vendim.

Tutje Ymeri është shprehur se ka dhënë dorëheqje pas zhvillimeve të fundit në partinë që ai i takon.

“Jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime dhe pasi nuk ia dola që t’i zgjidhja këto zhvillime. Shpresoj që kjo dorëheqje do të kuptohet si alarm për gjendjen që kemi ardhur dhe nga ata njerëz që kanë bërë linçime”, tha më tej ai. 

(Kosova Sot)