Qeveria "Haradinaj" mbyll sytë para skandalit me naftën ruse

  • 02 January 2018 - 10:00
Qeveria

Qeveria "Haradinaj" mbyll sytë para skandalit me naftën ruse

Dyshohet se me dokumente të "falsifikuara" bizneset po importojnë derivate nga Rusia

"Pyetja që shtrohet është se përse po hesht Qeveria 'Haradinaj' dhe deri kur kosovarëve do t`u shitet nafta dhe derivatet e naftës ruse, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me vendim të Qeverisë. Përse dhe deri kur Dogana do t'i mbyllë sytë para naftës ruse, që po hyn me letra të 'falsifikuara' dhe e njëjta po zhdoganohet përmes terminaleve doganore të lidhura me nëntokën", thekson për "Kosova Sot" analistit Ardian Nokaj

Askush nuk e di se përse Doganat e Kosovës edhe gjatë tërë vitit 2017 e kanë lejuar importimin e naftës ruse, e cila sipas Shoqatës së Naftëtarëve dhe ekspertëve të kësaj fushe po importohet nga shumë kompani të naftës, duke falsifikuar "letrat" se gjoja derivatet e naftës po vijnë nga Serbia apo Bullgaria. Analistët, ndërkaq, thonë se arsyeja se përse po ndodh kjo qëndron në faktin se pikërisht prapa këtyre kompanive qëndrojnë figura të larta politike dhe të nëntokës, kurse Doganat realisht këto importe të naftës nga Rusia as që denjojnë t'i kontrollojnë, bile për më tepër të tilla importe më së shumti për nga sasia zhdoganohen në terminalet doganore të të inkriminuarve me nëntokën kriminale,siç janë vëllezërit Devolli. Sipas statistikave, në Kosovë brenda një viti importohen rreth 650 milionë litra të derivateve te naftës. Një pjesë e madhe e derivateve të naftës kontrabandohet. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të kompanisë "Devolli", të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci tha për "Kosova Sot", se nuk ka ndalesë në importin e produkteve ruse, por ka ndalesë në eksport të produkteve drejt Rusisë, pa folur për kontrabandën me naftën ruse.

Ankohen bizneset dhe shoqata

Afaristi i derivateve të naftës Ramadan Maloku, pronar i kompanisë "Racional- Komerc",tha për "Kosova Sot', se nga kontrabanda e madhe, ku bën pjesë edhe nafta ruse, po prishet cilësia e derivateve të naftës. "Ndërsa, kjo dihet se po bëhet nga pjesa e Veriut të Kosovës dhe kjo është e dijshme botërisht, e tëra kjo po bëhet nga një pjesë e vogël e bizneseve, që e kanë njollosur sektorin e derivateve të naftës", u shpreh ai. "Kualitetin e derivateve të naftës në Kosovë po e prishin sasia e kontrabanduar në Veriun e Kosovës, por për fatin e mirë të qytetarëve tanë edhe sasi e naftës ruse po zvogëlohet nga dita në ditë. Në saje të bashkëveprimit të Policisë së Kosovës dhe Doganave të Kosovës, sasia është zvogëluar dukshëm", vlerësoi Maloku. Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën"Kosova Sot" ka thënë se, si Shoqatë e Naftëtarëve janë të habitur se përse Doganat e Kosovës po vazhdojnë që edhe më tutje të lejojnë importimin e derivateve të naftës ruse. "Embargoja ndaj importimit të mallrave ruse duhet që të respektohet me përpikëri nga institucionet tona, sepse bëhet fjalë për një embargo të vendosur nga aleatët tanë, BE-ja dhe SHBA-ja", potencoi ai. Sipas Berjanit, urgjentisht Qeveria jonë duhet që të ndërmarrë masa ndaj këtyre kompanive bandisteske që nuk po irespektojnë vendimet për embargo ndaj mallrave ruse që e kanë vendosur BE-ja dhe SHBA-ja.

Dogana po i mbyll sytë para kontrabandës

Eksperti i Integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, analisti Ardian Nokaj thotë për "Kosova Sot', se tregu i derivateve të naftës kontrollohet nga mafia oligarkike dhe kjo tashmë edhe nuk përbën ndonjë lajm. "Por, ajo që nevojitet tash është kërkesa se duhet të përgjigjen kush po e lejon që nafta jocilësore nga Rusia po përfundon në Kosovë, ndaj para ligjit duhet nxjerrë figurat politike që janë të involvuara në këtë krim ekonomik, dhe kundër interesave shtetërore e kombëtare", u shpreh ai. "Pyetja që shtrohet është se përse po hesht Qeveria 'Haradinaj' dhe deri kur kosovarëve do t`u shitet nafta dhe derivatet e naftës ruse,edhe pse një gjë e tille është e ndaluar me vendim të Qeverisë. Përse dhe deri kur Dogana do t'i mbyllë sytë para naftës ruse që po hyn me letra të 'falsifikuara' dhe e njëjta po zhdoganohet përmes terminaleve doganore të lidhura me nëntokën", thekson analistit Nokaj. Ndërsa analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot", se së pari duhet të përgjigjen kush po e lejon rreth një miliard euro naftë jocilësore nga Rusia që po përfundon në Kosovë. "E ftoj Ambasadën amerikane që të nxjerrë para opinionit figurat e involvuara politike në këtë krim ekonomik", tha ai. "Aspak nuk duhet që të çuditemi se përse Doganat e Kosovës ende po vazhdojnë të lejojnë importimin e naftës ruse, e cila po importohet nga pothuajse të gjitha kompanitë e naftës duke falsifikuar 'letrat' se gjoja derivatet e naftës po vijnë nga Serbia apo Bullgaria", vijoi më tutje Rudhani. Ai është i mendimit se e tëra kjo punë e pistë dhe kontrabandë me derivate po bëhet, ngase pikërisht prapa këtyre kompanive qëndrojnë figura të larta politike dhe të nëntokës. "Dogana realisht këto importe të naftës nga Rusia as që ka guxim që t'i denjojë dhe t'i kontrollojë, bile për më tepër të tilla importe më së shumti për nga sasia zhdoganohen në terminalet doganore të të inkriminuarve që janë të lidhur me nëntokën kriminale,siç janë vëllezërit Devolli", theksoi ai. 

Pas krimit, njerëzit e fuqishëm të pushtetit

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për Kosova Sot" se kosovarët janë dëshmitarë që nga pas lufta e këndej që ballafaqohen me problemin e naftës së keqe, dhe kontrabandës. "Nuk kam pikën e dyshimit se mbrapa kësaj kontrabande qëndrojnë disa njerëz të fortë që në Kosovë janë duke bërë namin në planin ekonomik. Është shqetësuese puna e kontrabandës së derivateve të naftës, është dashur Dogana që të jetë me efikase sa i përket ndalimit të kontrabandës, por akuzat nga shumë qarqe gishtin e drejtojnë drejt Doganës dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar në Dogana, Polici, Ministri e qe besa edhe në Qeveri", u shpreh ai. Analisti Beqiri vlerëson se kryeministri Haradinaj duhet reaguar urgjentisht lidhur me kthimin e rregullit në Dogana, sepse duhet të ketë më shumë inspektime, të ndalohet një gjë e tillë, sepse ka vërejtje serioze në cilësinë e derivateve të naftës.

(Kosova Sot)