Mësuesit: Të ndalohet celulari në shkolla

  • 02 January 2018 - 22:11
Mësuesit: Të ndalohet celulari në shkolla

Të kesh një celular do të thotë të komunikosh, të dërgosh mesazhe, të argëtohesh, t’u mburresh shokëve, të informohesh, të memorizosh momentet e bukura gjatë ditës, të mbash shënime, të bësh llogari e shumë e shumë gjëra të tjera.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Debatet në familje, për harxhimin e kohës së tepërt në rrjete sociale, rënia në mësime të nxënësve për shkak të shpërqendrimit përmes smartfonit po kthehen në një fenomen shqetësues.

Për të parë nga afër situatën, Ora News zgjodhi të vizitonte Shkollën e Kuqe” dhe gjimnazet “Petro Nini Luarasi” e “Qemal Stafa.

Mësueset  në Shkollën e Kuqe shprehen se përdorimi i celularit në shkollë është i panevojshëm, pasi janë ato që komunikojnë me prindërit në raste emergjente.

Terezina Vata, mësuese e Gjuhës Shqipe: Përdorimi i celularit në shkollë është i panevojshëm sepse nxënësit i tërheq vëmendjen.

E të njëjtit mendim ishte edhe edhe mësuesja e matematikës, Zana Qinami, e cila thotë se vetëm në ato klasa ku celularët mbahen në dollap, numri i tyre është pakësuar.

Zana Qinami, mësuese Matematike: Mendoj se nuk duhet të lejohet përdorimi i celularit. Jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm. Ne si shkollë, unë iu kam dhenë numrin tim të telefonit. Numri i shkollës është prezent. Prindi ka mundësi komunikimi me ne. Nuk e gjej të arsyeshme që nxënësit të përdorin celular. Ne kemi një dollap me çelës, i mbledhim në mëngjes, i vendosim aty dhe pas orë së 6 ua japim. Numri i celularëve vjen e pakësohet çdo ditë e më shumë. Kuptohet që nuk është vetëm për komunikim me prindërit.

Një zgjidhje e mirë që sipas mësuesëve do të shmangte celularët në klasa, është përdorimi i orëve me GPS.

Terezina Vata: Ka nxënës që kanë ato orat në dorë që janë të kontrolluara. Prindërit mund të komunikojnë në çdo kohë, pa prishur as qetësinë në klasë.

Drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” Teuta Bracaj e pranon faktin që celulari bëhet shpesh herë shkak për cënimin e procesit mësimor, ndonëse është i ndaluar.

Teuta Braçaj: Prindi ndihet i sigurt kur fëmija ka një celular me vete, por gjatë orës së mësimit, nuk përdoret për të folur me prindërit, më shumë përdoret për të bërë një fotokopje, për të bërë një foto shokut , shoqes, selfi, për të komunikuar me rrjetet sociale. Ne jemi munduar ta reduktojmë por e di që nuk e kemi arritur 100%. Kemi përdorur metodën e mbledhjes së celularit. Kishte raste që merrin dhe 2 celularë. Në momentin që e përdor në orë të mësimit, t'ia marrim dhe t'ia japim pas një muaji. Sot ka ardhur pas një muaji një nxënës. Këtu kam një kuti të veçantë ku shënoj emrin, celularin dhe datën. Mesuesja e dorëzon në drejtori dhe ai ka të drejtë ta marrë pas një muaji. Ka patur raste që ka ardhur edhe brenda një ore. 

E njëjta panoramë gjendet edhe në gjimnazin “Qemal Stafa”, ku drejtoresha Nina Guga shprehet se nxënësit nuk e kanë të nevojshme mbajtjen e celularit në shkollë, pasi mund t’i përdorin për qëllime që nuk kanë të bëjnë me procesin e të nxënit.

Nina Guga: Shkolla i bën të gjitha përpjekjet për ta minimizuar por nuk ëhstë vetëm përgjegjësi e shkollës, por është dhe përgjegjësi e familjes sepse po ti shikosh janë nga më të shtrenjtët dhe të sofistikuar.Është përgjegjësi e familjes sepse ata në mëngjes kur i nisin për në shkollë e shohin që ata e kanë me vete. Në shkollë nuk kanë pse të vijnë me celular sepse komunikimin e prindit nuk e bëjmë me celularin e tyre. Ne kemi adresat dhe nr e prindërve për çdo problematike, ne komunikojmë direkt, qoftë dhe për raste urgjence. I shpërqëndron mbajtja e celularit. Ne insistojmë që celularët të jenë të mbyllur. Ka edhe pasoja të tjera që ata gjejnë mënyra nga më të ndryshmet që ata ta përdorin jo në të mirë të punës. Fotokopjojnë, postojnë gjëra dhe ne jemi shumë vigjilent, por mësuesi ka orën e mësimit përpara, ka 35 nxënës. Mos t'ia lëmë të gjithë përgjegjësinë shkollës. Prindi ka 1 fëmijë që e nis në shkollë, ne kemi shumë problematika të tjera.

Guga shprehet se ky problem do të mund të zgjidhej nëse shkolla do të ketë edhe mbështetje ligjore.

Nina Guga:Që duhet të ndalet në këtë pikë dhe me ligj të përcaktohet diçka duhet sepse problematika ka të përdorimit. Nëse do të kemi një mbështetje ligjore, do jetë akoma dhe më mirë.

Mësuesja e fizikës në gjimnazin "Qemal Stafa", thotë se nxënësit lejohet të përdorin celularin, vetëm në rast se është në dobi të orës mësimore. Sipas saj e mira do të ishte që nxënësit të mos i marrin celularët në shkollë.

Mësuesja: E mira do ishte që të mos jenë fare nëpër shkolla celular3t, por pridnërit e kanë vazhdimisht merakun për fëmijët dhe shpresojmë që të parashikohet diçka në lidhje me këtë, që të mos përdoren fare. 

Drejtoresha e DAR Tiranë, Arjola Byzyka, shprehet se përdorimi i smartfonëve nuk sjell vetëm shpërqendrim nga mësimet, por dhe pasoja në sjelljet në shoqërinë mes fëmijëve.

 Arjola Byzyka: Për këtë arsye shkollat kanë riformluluar rregulloret në mënyrë që ky fenomen të disiplinohet që të mos cënohet procesi mësimor, që të shmangen të gjitha ato efekte negative që sjell përodrimi i celularit. Efekte që i shohim në përditshmëri, flasim për bullizmin, ngacmime, varësi, keqedukim sepse jo të gjitha rrjetet sociale janë të kontrolluara. Të gjitha këto rrëzojnë gjithçka që shkolla apo familja ndërton tek një fëmijë që është në procesin e rritjes. Mundohemi të marrim masa nga më të ndryshmet. Kjo është betejë që nuk fitohet vetëm nga institucioni pa pasur aleatë siç janë prindërit. Ata janë aleatët tanë më të fortë për të fituar këtë lloj beteje. Efektet janë jashtëzakonisht negative kur telefoni bëhet i përdorshëm në orën e mësimit.

Byzyka thotë se ka patur raste kur nxënësit janë përjashtuar nga shkolla për shkak të celularit.

Arjola Byzyka:Përdorimi është rreptësisht i ndaluar, dhe kjo është e reflektuar tek rregullorja e shkollës. Nxënësit kalojnë në komision disipline nëse cënojnë procesin mësimor. Nëse jemi në gjimnaz masat janë shumë të rrepta, ai mund të përjashtohet automatikisht nga shkolla. Ka patur raste të tilla, dhe sigursht që ne nuk duam që të përsëriten. Këto raste kanë qenë të përsëritura dhe me kokëfortësi dhe jo bashkëpunim nga familja. Institucioni nuk ka tolerancë nëse 45 minutëshi cënohet për kokëfortësi, rebelizëm adoleshent apo dhe për moskuptim nga familje të caktuara.

Por jo vetëm mësuesit, edhe psikologët japin alarmin për efektet e celularit te fëmijët dhe të rinjtë, duke i shndërruar ata në personalitete të tensionuar, agresivë por dhe duke i bërë më të ngathët në reagim.

Madje, pavarësisht se komunikimi virtual e bën më të shpejtë shpërndarjen e informacionit, në botën reale të rinjtë po bëhen gjithnjë e më shumë asocial.

Olta Jaçellari, psikologe shkollore: Përdorimi i celularëvë është problematikë e kohëve të fundit. Të rinjtë e quajnë domosdoshmëri.Vjen si fenomen gjithnjë e në shtim. Ata e ndjejnë si domosdoshmëri. Ata nuk e kuptojnë dot jetën më pa smartfonët, tabletat. Përvec efekteve fizike, edhe pasojat psikologjike janë shumë të dëmshme nga përdorimi afatgjatë. Pasojat janë nga më të ndryshmet. Tek te rinjtë sot të shkaktohet një tension i vazhdueshëm, rënia e vëmendjes është një tjetër pasojë, ngadalësimi i reagimit, ankth, lodhje, mërzi, ndjejë jo rehatie. Fenomeni i varësisë së përdorimit. Kur përdoren në një kohë të gjatë shkaktohet një varësi, të rinjtë nuk mund të jetojnë më pa celularin. Bëhet e pashmangshme. Ajo çfarë bën tjetër, krijon një lloj izolimi, shpërfillin personat që kanë përreth, krijon një lloj mos komunikimi. Përdorimi i telefonit sjell atë që është shumë e rrëzikshme, varësia psikologjike. E ndjen të pamundur që të mos ketë akses dhe të mos e përdor. Efekt tjetër negativ është izolimi social. Në momentin që janë të përqëndruar tek celulari, ata shpërfillin çdo person që i rrethon në aspektin e komunikimit dhe ndërveprimit. Vihet re një trend që të rinjtë rendin pas markave më të shtrenjta, teknologjive më të fundit. Gjithësesi duke pasur një celular më të mirë e ndjen veten me të afirmuar, më interesant. Secili prej tyre thelle e ndjen këtë dhe bën të pamundurën për të qenë në koherencë me të tjerët. Është një presion social . Ata janë në luftë me veten, me teknologjinë dhe shoqërinë. 

Por ndoshta ka ardhur momenti që të shkohet më tej duke iu bashkëngjitur nismës së Parisit

Arjola Byzyka: Nëse do të më pyesnit si mësuese unë do të isha e para që do ta duartrokisja. Jo vetëm për procesin mësimor, por sidomos për bullizmin. Është një problem që krijohet nga rrjetet, Fb , aplikacione të ndryshme.Kjo është urgjenca më e madhe dhe minimumi i përdorimit të tij do të minimizonte dhe këto efekte. Shohim fëmijë që janë bërë asocial. Marrëdhënia është bërë shumë e ngushtë me telefonin. Shkëmbimi emocional është shkëputur. Po ashtu marrëdhëia me librin që është urgjencë. Nëse kjo nismë do të krijojë efekte poizitive do duhet që edhe ne si shoqëri ta mendojmë një mundësi të tillë për të shpëtuar rininë tonë nga një fenomen asocializimi dhe për ti dhënë mundësi që të arsimohen dhe jo të shkëputen duke u bërë të varësuar nga teknologjia. Ky është një diskutim që duhet bërë në një rrafsh më të gjerë me grupe interesi me psikologe, sociologe, prinder që mund të japin propozime shumë të mira. Ne duhet të diskutojmë më gjerë për një nismë të tillë.

(Kosova Sot)