Vulë 2700-vjeçare e guvernatorit të Jerusalemit?

  • 02 January 2018 - 23:55
Vulë 2700-vjeçare e guvernatorit të Jerusalemit?

Arkeologët në Izrael thanë se kanë zbuluar gjurmën e një vule 2700-vjeçare që sipas tyre konfirmon ekzistencën e guvernatorëve biblikë të Jerusalemit.

Objekti i vogël prej balte, i gjendur mes gërmimeve arkeologjike në sheshin e Murit Perëndimor, mbart mbishkrimin me alfabetin e lashtë hebraik: “Pronë e guvernatorit të qytetit”.

Arkeologët izraelitë thonë se objekti i vogël prej balte i ngjason një etikete që mund të ngjitej mbi objekte të rëndësishme që transportoheshin.

Por, për historianët, ky zbulim nga periudha e tempullit të parë të Jerusalemit, shërben si provë se qyteti i Jerusalemit kishte guvernatorin e tij që të paktën 2700 vjet më parë.

Një guvernator i Jerusalemit përmendet dy herë në Bibël, por nuk ka pasur prova historike për këtë.

“Është hera e parë që gjatë gërmimit arkeologjik të një godine të shekullit të 7-të para erës së re, gjetëm një stampë të guvernatorit të Jerusalemit”, thotë Shlomit Weksler-Bdolah, e Autoritetit Izraelit të Antikiteteve.

(Kosova Sot)