2018-ta, një vit i monopoleve dhe zhvatjes qeveritare - Lajme - Kosova Sot
2018-ta, një vit i monopoleve dhe zhvatjes qeveritare

2018-ta, një vit i monopoleve dhe zhvatjes qeveritare

Nuk ka vizion zhvillimor për ekonominë

"Personalisht nuk pres zhvillime të reja ekonomike në vitin 2018, për shumë arsye. Nëse marrim për bazë orientimin e buxhetit, ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik, ekonomia e Kosovës ka nevojë për dorën e shtetit, bizneset kosovare ballafaqohen me shumë sfida, andaj kjo qeveri duhet të ndërrojë formën e operimit të saj, duhet t'i luftojë monopolet, pasi siç dihet janë në kundërshtim me ekonominë e tregut, por çuditërisht po mbështetet nga qeveritë e Kosovës", theksoi analisti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" 

S fida të vështira i presin Kosovën dhe qeverinë e saj në aspektin ekonomik edhe gjatë vitit që sapo ka nisur. Por, analistët e ekonomisë janë pesimistë në kapacitetin e këtij ekzekutivi, edhe pse numerikisht nuk është i vogël, por mban rekord për numrin e zyrtarëve të lartë. Ata druajnë se edhe Qeveria 'Haradinaj' do të jetë zhvatëse e buxhetit të vendit me numrin aq të madh të zëvendësministrave, që e kalon shifrën e 70 sish, dhe me një rritje pagash 100 për qind për kabinetin qeveritar dhe të tjerët që do ta ngarkojnë buxhetin. Sipas ekspertëve, as kjo qeveri nuk ka dhënë asnjë shenjë se më në fund do të zhduken monopolet e kundërligjshme dhe kriminale të mafiooligarkëve, apo do të luftohen kontrabanda dhe evazioni fiskal dhe as që do të zvogëlohet deficiti tregtar i vendit. Analisti Lulzim Beqiri për gazetën "Kosova Sot" tha se viti 2017 ka qenë vit i dështimeve ekonomike në Republikën e Kosovës, fillimisht falja e borxhit ambalazhuesve të ujit, që ishin rreth 60 milionë euro, rritja e pagës vetes dhe vartësve të tij, pastaj rritja e pagës me automatizëm presidentit të vendit, kriza me energji elektrike, monopolet, 71 zëvendësministra. Sipas tij, pothuajse një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit do të shkojë në paga e mëditje, një buxhet i orientuar në asfalt, që nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm edhe në vitin 2018.

Shtet i zhytur në borxhe

Sipas Beqirit, nuk duhet të harrojmë se 1/3 e buxhetit të shtetit është borxh, ose çdo qytetari i bie t'i ketë borxh rreth 500 euro. "Kjo qeveri do të duhej të kishte një orientim tjetër të zhvillimit ekonomik, zaten edhe për ndryshime e ka marrë besimin e popullit, mirëpo kjo u dëshmua se është Qeveria më jostabile e të gjitha kohërave, me një koalicion me më shumë se 20 parti politike, kjo qeveri është shndërruar në qendër punësimi, ose qendër të akomodimit të grupeve të ndryshme", potencoi ai. Analisti Beqiri thotë se rritja e pagës me automatizëm për presidentin e vendit është kulmi i hipokrizisë së tyre."A e dinë këta sundimtarë se në Kosovë paga minimale është 130 euro, një pensionistë merr 70 euro, papunësia është mbi 45 për qind, mendoj që duhet një lëvizje mbarëkombëtare dhe një bojkot total, protesta të qeta dhe të vazhdueshme", shprehet Beqiri. "Personalisht nuk pres zhvillime të reja ekonomike në vitin 2018 për shumë arsye, nëse marrim për bazë orientimin e buxhetit, ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik, ekonomia e Kosovës ka nevojë për dorën e shtetit, bizneset kosovare ballafaqohen me shumë sfida, andaj kjo Qeveri duhet të ndërrojë formën e operimit të saj, duhet t'i luftojë monopolet, siç dihet janë në kundërshtim me ekonominë e tregut, por çuditërisht po mbështetet nga qeveritë e Kosovës", vijoi më tutje ai. Sipas Beqirit, Republika e Kosovës edhe 18 vjet të përfundimit të luftës është e varur nga importet e vendeve të BE-së, CEFTA-s dhe vendeve të tjera. "Ende Serbia dominon importin e Kosovës. 14.2 për qind e importit total nga vendet e CEFTA-s vjen nga Republika e Serbisë, më pas vjen Maqedonia me 5.5 për qind, Shqipëria radhitet e treta si partner importi me Kosovën me 5.3 për qind", ka thënë ai.

Rritja mund të bjerë

Lidhur me luftën që pritet të bëhet në këtë vit ndaj monopoleve në shumë fusha të ekonomisë ku ato ekzistojnë që nga paslufta dhe kanë zënë rrënjë në vend është prononcuar eksperti i kësaj fushe, Ahmet Krasniqi, nënkryetar aktual i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Me këtë rast nënkryetari Krasniqi për gazetën "Kosova Sot" tha se në vitin 2018 do të ketë një luftë shumë më të madhe ndaj monopoleve që janë shfaqur në shumë fusha të ekonomisë. "Është më se e sigurt se lufta ndaj monopoleve do të jetë si asnjëherë më parë deri më tani, sepse përbërja e tashme e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës me punën që e kemi bërë gjatë vitit të kaluar tashmë i kemi identifikuar se cilat janë ato fusha ku ka pasur monopole, kurse këtë vit neve si autoritet na mbetet vetëm që të punojmë dhe t'i përfundojmë këto raste të monopoleve ku ato janë evidentuar se ekzistojnë dhe presim që të bëhet çrrënjosja e tyre duke krijuar një treg të lirë e të barabartë për të gjitha bizneset vendore dhe të huaja", potencoi ai. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, për gazetën "Kosova Sot" tha se në pikë- pamje ekonomike e tërë sfida mbetet e natyrës politike, sepse shumë gjëra ekonomike ndërlidhen me politikën. "Problemi më i madh është se si do të fokusohet qeverisja në tri-katër çështje. Primare ndërkaq siç dihet do të jetë stabiliteti politik, sidomos me këto masa që janë ndërmarrë në sferën e politikave fiskale dhe vazhdimin e kësaj rritje ekonomike", u shpreh ai."Në këtë drejtim edhe mund të ketë probleme, sepse mund të bjerë rritja ekonomike dhe e tëra kjo mund të vjen si rezultat i problemeve politike, por edhe si rezultat i prishjes së një rendi të qetësisë sociale", potencoi Mustafa. Ai është i bindur se kur pagat rritën tej mase, sidomos atë që e bëri Qeveria 'Haradinaj' me pagat e tyre dhe në disa segmente në Administratën Publike, kjo do të reflektohet doemos edhe me pakënaqësi, sepse lëvizja e pagave dhe rritja e tyre doemos se duhet të jetë e bazuar në kritere. Mustafa foli edhe për luftën që duhet bërë kundër monopoleve në ekonominë e brishtë kosovare, por edhe kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se nuk ka veprime konkrete deri më tani.

Konkurrenca e padrejtë

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe eksperti i ekonomisë, Nazmi Mustafa, për gazetën "Kosova Sot" tha se sfidat janë të mëdha dhe ato që kanë qenë premtime të Qeverisë duhet që të shndërrohen në veprime konkrete."Nevojitet krijimi i kushteve të barabarta për kapital të jashtëm dhe ajo që të ne kërkon analiza duhet që të jemi konkurrentë edhe me shtetet e regjionit për joshje të kapitalit të huaj me kushte më të mira dhe më atraktive në të gjitha këto pasuri që disponon Kosova", u shpreh ai. Sipas Mustafës, deri tash, fare pak ka realizim të premtimeve nga kjo qeveri."Të rinjtë tanë në vend se të shkojnë në Evropë ata së pari duhet t'i angazhojmë këtu, në vendin tonë, sepse një pjesë e tyre mund edhe munden ta gjejnë veten e tyre edhe këtu në Kosovë. Kjo duhet të bëhet, sepse Gjermania po kërkon forcë pune nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku shumica e të rinjve janë kosovarë dhe për këtë qëllim qeveria 'Haradinaj' duhet që ta ketë një program të veçantë që të punësohen të rinjtë tanë", potencoi Mustafa. "Lufta ndaj monopoleve, kontrabandës dhe evazionit fiskal janë shumë sfida të mëdha dhe si të tilla këto duhet që të jenë detyra permanente të institucioneve dhe nuk është aspak e lehtë që këto çrregullime të luftohen në mënyrë që të krijohet një realitet i barabartë dhe konkurrues në treg për të gjitha bizneset", tha më tutje ai. Afaristi Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot", tha se garanci e zhvillimit ekonomik të Kosovës për vitin 2018, që edhe është sfida kryesore e saj, mbetet reforma rrënjësore në fushën e drejtësisë. "Vetëm zbatimi dhe forcimi i ligjit në masën 100 për qind sesa që ka qenë deri më tani mund të jetë një garanci dhe një udhërrëfyes për zhvillim ekonomik", u shpreh ai. "Zbatimi i ligjit është çelësi i suksesit dhe njëherësh edhe i garanton rregullat e bërjes së biznesit dhe mund të jetë një garanci se më në fund kjo qeveri do të zhdukë monopolet e kundërligjshme dhe kriminale të mafio-oligarkëve", shtoi më tej Maloku.

Ekonomia informale, pengesë e madhe

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se qytetarët e Kosovës e përfunduan vitin 2017 me një zhvillim ekonomik pa perspektivë, me papunësinë më të madhe në rajon dhe me investimet më të vogla në Evropë. "Vendin tonë e presin shumë sfida, por sfida kryesore për vitin 2018 është zhvillimi ekonomik i vendit, sepse qeverisë 'Haradinaj' i nevojitet të ketë strategji të qartë të zhvillimit ekonomik, me qëllim që të shihet një dritë në fund të tunelit në aspektin zhvillimor", potencoi Neziraj. "Kosova është shndërruar në një vend importi të çdo gjëje, bile edhe gjërave më elementare, andaj kësaj qeverie i mbetet të bëjë veprime të mëdha në luftën kundër monopoleve, evazionit fiskal, ekonomisë informale dhe ndalja e krimit të organizuar në ekonomi, sidomos lufta kundër mafio-oligarkëve që e kanë shkatërruar deri më tani ekonominë e vendit për përfitime personale", u shpreh ai. Neziraj vlerëson se rreziku më i madh janë monopoli, evazioni fiskal, krimi dhe kontrabanda që po bëhet në vendin tonë me artikuj që ishte dashur ta mbushin buxhetin e vendit, kurse një problem tjetër shumë i madh është edhe krijimi i kushteve dhe një situate për thithjen e investimeve të huaja, në ndërrimin e strukturës së ekonomisë së vendit, sidomos në prodhim, me qëllim që të ndryshojë bilanci negativ tregtar . Sipas tij, qeverisja duhet të orientohet në luftë të rreptë kundër ekonomisë informale dhe sundimin e ligjit në të gjitha fushat, e sidomos në ekonomi.

(Kosova Sot)  

14 orë e 1 minuta më parë
20/06/18