Beqiri: Shtet i zhytur në borxhe - Lajme - Kosova Sot
Beqiri: Shtet i zhytur në borxhe

Beqiri: Shtet i zhytur në borxhe

Analisti Lulzim Beqiri për gazetën "Kosova Sot" tha se viti 2017 ka qenë vit i dështimeve ekonomike në Republikën e Kosovës, fillimisht falja e borxhit ambalazhuesve të ujit, që ishin rreth 60 milionë euro, rritja e pagës vetes dhe vartësve të tij, pastaj rritja e pagës me automatizëm presidentit të vendit, kriza me energji elektrike, monopolet, 71 zëvendësministra. Sipas tij, pothuajse një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit do të shkojë në paga e mëditje, një buxhet i orientuar në asfalt, që nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm edhe në vitin 2018.

Sipas Beqirit, nuk duhet të harrojmë se 1/3 e buxhetit të shtetit është borxh, ose çdo qytetari i bie t'i ketë borxh rreth 500 euro. "Kjo qeveri do të duhej të kishte një orientim tjetër të zhvillimit ekonomik, zaten edhe për ndryshime e ka marrë besimin e popullit, mirëpo kjo u dëshmua se është Qeveria më jostabile e të gjitha kohërave, me një koalicion me më shumë se 20 parti politike, kjo qeveri është shndërruar në qendër punësimi, ose qendër të akomodimit të grupeve të ndryshme", potencoi ai. Analisti Beqiri thotë se rritja e pagës me automatizëm për presidentin e vendit është kulmi i hipokrizisë së tyre."A e dinë këta sundimtarë se në Kosovë paga minimale është 130 euro, një pensionistë merr 70 euro, papunësia është mbi 45 për qind, mendoj që duhet një lëvizje mbarëkombëtare dhe një bojkot total, protesta të qeta dhe të vazhdueshme", shprehet Beqiri. "Personalisht nuk pres zhvillime të reja ekonomike në vitin 2018 për shumë arsye, nëse marrim për bazë orientimin e buxhetit, ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik, ekonomia e Kosovës ka nevojë për dorën e shtetit, bizneset kosovare ballafaqohen me shumë sfida, andaj kjo Qeveri duhet të ndërrojë formën e operimit të saj, duhet t'i luftojë monopolet, siç dihet janë në kundërshtim me ekonominë e tregut, por çuditërisht po mbështetet nga qeveritë e Kosovës", vijoi më tutje ai. Sipas Beqirit, Republika e Kosovës edhe 18 vjet të përfundimit të luftës është e varur nga importet e vendeve të BE-së, CEFTA-s dhe vendeve të tjera. "Ende Serbia dominon importin e Kosovës. 14.2 për qind e importit total nga vendet e CEFTA-s vjen nga Republika e Serbisë, më pas vjen Maqedonia me 5.5 për qind, Shqipëria radhitet e treta si partner importi me Kosovën me 5.3 për qind", ka thënë ai.
 

(Kosova Sot)

21 orë e 30 minuta më parë
23/09/18