Tetë anëtarë mbijetojnë ME 100 EURO NË MUAJ

  • 03 January 2018 - 18:07
Tetë anëtarë mbijetojnë ME 100 EURO NË MUAJ

Qendra kolektive, siç njihet "Te Internati", është bërë një vendstrehim i shumë familjeve me gjendje të rëndë ekonomike. Njëra nga këto familje 8-anëtarëshe, ajo e Shemsedin Kajdomçajt, me prejardhje nga Lugishta e Hasit, tani e 12 vjet banon në kushte ekstreme të varfërisë. Shemsedin Kajdomçaj është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se është i sëmurë nga unazat dhe nuk arrin të gjejë punë, qoftë edhe punë krahu. Kurse edhe bijtë e tij, edhe pse kërkojnë punë, nuk po gjejnë, sepse punë nuk ka. Ai ankohet se deri më tani Komuna nuk u ka ndarë banesë edhe pse jetojnë në kushte të rënda. Tregon se në këtë dimër ndodhet si mos më keq. Një OJQ ua ka sjellë nja 2 metra dru. "Këto do të jenë ndoshta të vetmet që më duhet t'i shpenzojmë, sepse jemi tetë anëtarë dhe mezi mbijetojmë vetëm me 100 euro, aq sa po arrij të përfitoj nga puna e krahut për një muaj", është shprehur ai.

Image

Streha pikon

 Kajdomçaj tregon se këtu ka edhe banorë që jetojnë e kanë shtëpi. "Prandaj, mendoj se Komuna duhet të rishikojë statusin e të gjithëve që jetojmë këtu. Dhe, pastaj së paku në ndarjen e banesave të jetë më korrekt", është shprehur ai. Familjet e kësaj Qendre kolektive jetojnë me kushte të rënda dhe ata njëzëri ankohen se jeta në këtë vend është mjaft e vështirë. Këtu streha pikon. Familja Kajdomçaj e di më së miri se çka do të thotë të jesh i varfër, çka do të thotë të mbetesh me barkun bosh e të mos flasim për veshmbathje. Varfëria absolute ka të bëjë me mungesën e kërkesave bazë për ruajtjen e ekzistencës fizike e të shëndetshme, ushqim e strehim (mungesa e ujit të pijshëm, e kulmit mbi kokë). Shemsedini tregon se këtu në këto kushte nuk jetohet, por nuk kanë si t'ia bëjnë. "Shumica e familjeve këtu nuk kemi zgjidhje tjetër pos të dalim në rrugë", shprehet ai.

Image

Varfëria do të vazhdojë

Sociologia Almira Gashi është shprehur për "Kosova Sot" se varfëria është fati i hidhur që shoqërinë njerëzore. "Kosova për fat të keq është njëra nga këto shoqëri që po përballet me varfërinë", shprehet ajo. "Për shkak të koncepteve të gabuara, vizioneve të paqarta, korrupsionit dhe shkaqeve tjera, shtresat e varfra janë revoltuar shpesh çka për pasojë kanë pasur dëme të mëdha për shoqërinë. Kosova dhe populli i saj varfërinë e patën fat të pandarë, gjeneratë pas gjenerate. Kosova në të kaluarën, për shkak të politikave hegjemoniste të pushtetit të atëhershëm jugosllav, siç konstaton edhe Banka Botërore, ishte vendi më i pazhvilluar . Edhe pas luftës së fundit (1998-1999), Kosova ishte në gjendje të mjerueshme, madje llogaritej si vendi më i varfër në Evropë. Shikuar në rrethanat që ndodhej, pra ishe një shtet që sapo kishte dalë nga lufta dhe se sfidat ishin jo vetëm të rimëkëmbjes ekonomike, nëse mund të thuhet kështu, ngase ne nuk kishim ekonomi të zhvilluar, mund të thuhet se ishte normale, por të vazhdohet edhe për një dekadë të tërë në atë gjendje kjo është e papranuar", shprehet Gashi.

(Kosova Sot)