Prokurorët e kapur amnistojnë "peshqit e mëdhenj"

  • 03 January 2018 - 08:11
Prokurorët e kapur amnistojnë

LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT

Kryeprokurori i Shtetit e ka pranuar të vërtetën e hidhur

"Si është e mundur që prokurorët tanë nuk kanë guxim të hetojnë Shpend Ahmetin për takimin në jahtin e Devollëve apo për blerjen e autobusëve me lidhjet e tij gjatë kohës sa ishte në një shoqatë? Nuk mjafton vetëm të ftohen në prokurori, por hetimet të thellohen e të ndëshkohen nëse kanë kryer vepra ilegale duke e shfrytëzuar postin zyrtar", tha analisti Reshat Sahitaj për "Kosova Sot"
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë të Këshillit Prokurorial, në fund të vitit 2017, ka kritikuar prokuroritë për mosefikasitet në punë, sa u takon lëndëve të korrupsionit. Ai ka pohuar se në secilën prokurori ka ngecje. Madje, Lumezi ka shtuar se në Prokurorinë Themelore të Prishtinës janë kryer vetëm 15 lëndë, më pak sesa që janë pranuar, duke shtuar se asnjë prokurori nuk mund të dallohet sa i takon kësaj periudhe raportuese. Sipas Lumezit, lufta kundër korrupsionit ekskluzivisht duhet të zhvillohet shumë më ashpër, të hetohen edhe të ndiqen veprat penale të korrupsionit të nivelit të lartë, por nuk duhet të lihen anash edhe veprat penale të korrupsionit të mesëm dhe të imët. Analistët politikë, duke u bazuar në këtë konstatim të Lumezit, theksojnë se kjo e fundit është pikërisht arsyeja se pse politikanët kosovarë preferojnë që, nëse kanë punë me drejtësinë, të gjykohen nga prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, që i kanë tërësisht në grusht, dhe jo nga ndërkombëtarët e Gjykatës Speciale. Sipas analistëve politikë, me këta prokurorë aktualë, të kontrolluar nga politika dhe mafio-oligarkia e nëntokës, nuk ka shanse që të luftohen krimi i organizuar e as korrupsioni në Kosovë, sepse këta prokurorë nuk mund ta marrin me mend që të sjellin në bankën e të akuzuarve politikanë të kalibrit të lartë, qofshin ata kryeministra, kryetarë komunash, kryetarë kuvendi, presidentë apo mafio-oligarkë të inkriminuar.

"Të gjitha faktet e deritanishme konfirmojnë se me prokurorët aktualë, të emëruar dhe të kontrolluar nga politika e mafio-oligarkia e nëntokës, nuk ka shanse që të luftohet krimi i organizuar e as të mundet korrupsioni marramendës në Kosovë", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"

"Sistemi prokurorial dhe krejt ai i drejtësisë ka dështime të mëdha dhe vetëm me masa të rrepta, mbi bazën e një VETTING-u mund të fillojë shërimi. Këtë duhet filluar në këtë vit që po hyjmë edhe shteti ynë", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

"Nuk do të zhduket korrupsioni nëse dikush vetëm dënohet, por edhe t'i ndalohet përjetësisht ushtrimi i detyrës në zyrë të institucioneve. Nuk mjafton vetëm dënimi, por duhet t'u konfiskohet edhe pasuria e fituar ilegalisht", tha Reshat Sahitaj për "Kosova Sot"  
 

Krerët të japin llogari

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, i jep të drejtë kryeprokurorit Lumezi për kritikat e hapura dhe denoncimin publik që i bën kësaj mospune të prokurorëve të të gjitha niveleve. Për më tepër, Kelmendi i tha gazetës "Kosova Sot" që për këtë nivel të vlerësimit negativ nevojiten edhe masa penale kundër atyre që nuk i kanë kryer obligimet sipas ligjit. "Me të drejtë kritikohet, madje edhe duhet të merren në përgjegjësi, penale para së gjithash, e tërë Prokuroria e Kosovës. Natyrisht se ka dështuar Prokuroria e Shtetit, prokurorët e prokurorive themelore dhe të Prokurorisë Speciale. Dështimet janë trashanike. Por, vetëm kritika nuk mjafton nga kryeprokurori! Përgjegjësinë e tërë sistemit prokuroria të dështuar të Kosovës e mban Këshilli Prokurorial i Kosovës, sidomos kryeprokurori Aleksandër Lumezi, sepse këtu qëndron përgjegjësia për dështimet e bëra në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Këshilli Prokurorial dhe kryeprokurori nuk mund të arsyetohen në mënyra të paqarta dhe tejet jo të kapshme, sepse ata ishin dhe janë përgjegjës për dështim", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, janë dy rrugë që duhet të zgjedhin këto dy kupola kontrolluese të punës së prokurorëve: Dhënia e dorëheqjes nga pozitat e tilla për dështimet e sistemit prokurorial ose të tregojnë se kush i ka ndaluar dhe në shërbim të kujt ishin nga politika. Pse nuk e kryen detyrën në bazë të ligjit? "Kush e ndali Aleksandër Lumezin në punë? Pse Prokuroria Speciale nuk kreu detyrën në bazë të ligjit dhe cilat janë pengesat? Në këto çështje nuk u dha asnjë përgjigje! Dhe kuptohet kjo nuk ndodh sepse janë të korruptuar dhe në shërbim të sistemit politik. Kjo u pa nga gjendja që kaloi Aleksandër Lumezi pas akuzave ndaj tij", potencoi Kelmendi.

Kokat e krimit nuk hetohen

Analisti Reshat Sahitaj vlerëson se korrupsioni është një çështje delikate dhe shumë komplekse në Kosovë. "Si mund të zhduket korrupsioni kur nuk mundesh ta regjistrosh fëmijën në universitet pa dhënë ryshfet? Si mund të zhduket korrupsioni pa i dhënë para mjekut për t'u shtrirë në spital? Si mund të zhduket korrupsioni kur fëmija ynë nuk mund të punësohet pa dhënë ryshfet, edhe pse i ka të gjitha kualifikimet? Si mund të zhduket korrupsioni kur disa gjyqtarë ose prokurorë tinëzisht marrin ryshfet për t'i mbuluar gjurmët e krimit të palës së kundërt? Si mund të zhduket korrupsioni kur asnjë tender nuk merret me aftësi për të kryer punët, por merret kush me shumë jep ryshfet? Pra, korrupsioni është një fenomen i futur në çdo pore të jetës sonë që mund të zhduket vetëm atëherë kur askush nuk qëndron mbi ligjin", theksoi Sahitaj për "Kosova Sot". Sipas tij, tash për tash mungon edhe vullneti politik për ta inkurajuar drejtësinë që të punon e pandikuar, por njëkohë- sisht mungon edhe guximi nga prokurorët. Sahitaj këtu sjell pyetjen e tij me shembuj konkretë: "Pse askush nuk i hetoi rastin e Shpend Ahmetit dhe relacionet me Devollin? Pse? Ngase politika e ka kapur ligjin. Prokurorët dhe pjesa dërmuese e gjyqtarëve janë në poste duke iu falënderuar lidhjeve politike dhe familjare. Cili prokuror ka guxim të hetojë rastin e një politikani të kalibrit të Shpend Ahmetit apo të tjerëve? Personalitetet tona politike po arsyetohen se edhe në Perëndim ekziston korrupsioni, mirëpo këta po harrojnë se në Perëndim po burgosen ministra, deputetë e prokurorë", vijoi më tutje ai. "Në perëndim ekziston korrupsioni, por atje ekzistojnë edhe ndëshkimet ndaj tyre, pavarësisht a është deputet, ministër apo kryetar i shtetit. Rasti më i mirë është dërgimi në gjykatë i kryetarit të Francës, Zhak Shirak, i cili akuzohej vetëm për një biletë të aeroplanit që ia kishte paguar vajzës së tij. Rasti tjetër është i ish-kandidatit të Francës, François Fillon, i cili akuzohet për pagën e gruas së tij pa qenë në punë. Raste të tilla ku askush nuk është mbi ligjin kemi shumë, si ai i ish-kryetarit të Francës që akuzohej pse kishte drekuar në jahtin e milionerit Bernard Tapis", u shpreh Sahitaj.

Ngecjet dhe dështimet

Prof. Riza Smaka, ekspert i së drejtës, konsideron se nëse nuk ndërmerren edhe masa veprimi në përmirësimin e gjendjes, konstatimet nuk ia vlejnë. "Vlerësimet e tilla të kryeprokurorit Lumezi janë të konstatuara sipas të dhënave zyrtare, pra janë të sakta. Edhe zotimet e kryeprokurorit Lumezi janë me vend, për aq sa do t'i referoheshin ndërmarrjeve të masave adekuate në planin funksional, material e moral. Por jo, kurrsesi, po qe se do të mbetej vetëm me konstatime të tilla e të ngjashme. Tek e fundit kryeprokurori Lumezi nuk do të duhej të ankohej për dështime në punën e prokurorëve të caktuar, por, përkundrazi, do të duhej të ndërmerrte masa stimulative për prokurorët e suksesshëm, ndërsa të ndërmerrte masa destimluative për prokurorë joefikas, eventualisht edhe të papërgjegjshëm. Aq me parë kur prokurori Lumezi konform me nenin 109 të Kushtetutës është i autorizuar dhe ka instrumente dhe mekanizma legale për ndërmarrje të të gjitha masave në të mirë të funksionimit efikas dhe efiçient të atij institucioni të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë në vendin tonë", tha Smaka për "Kosova Sot". Edhe sipas analistit Mustafë Kadriaj, ky konstatim i Lumezit flet më së miri se Prokuroria në Kosovë ka dështuar vazhdimisht."Pra, kemi ngecje dhe neglizhencë, punët mbesin në pafundësi e po ashtu edhe me ato lëndë që merren janë kryesisht qytetarë që nuk kanë njerëz të fortë në politikë", tha Kadriaj për "Kosova Sot"."Si rezultat i moskryerjes së detyrave nga institucionet e drejtësisë qytetarët po detyrohen të marrin edhe hapa të gabueshëm, duke i qëruar hesapet me kanun, që është diçka e papranueshme si një vend që aspiron në familjen e madhe evropiane", potencoi ai. Ndërsa, analisti Gani Qarri po ashtu pohon se kjo situatë flet qartë se në secilën prokurori ka ngecje, e si shembull konkret mund të përmendet Prokuroria Themelore e Prishtinës, në të cilën sa u takon lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjatë gjithë vitit të kaluar, janë përfunduar vetëm 15 lëndë më pak se që janë pranuar. "Prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me politikën brenda sistemit prokurorial dhe atij të gjyqësisë vendore, jo vetëm se nuk zhvillojnë luftë të mjaftueshme e të sinqertë dhe nuk ndjekin as hetojnë ekskluzivisht veprat penale të korrupsionit dhe krimit të nivelit të lartë, por sabotojnë edhe punën e Prokurorisë, duke lënë anash qëllimisht, veprat penale të krimit e korrupsionit të shkallës së mesme dhe atyre më të ulëta", u shpreh ai. Sipas tij, kryeprokurori i Shtetit duhet të ndihmojë me të gjitha kompetencat dhe mundësitë që ka, bërjen e një VETTING-u të një- mendtë e të domosdoshëm për vendin dhe futjen e reformave të thella e të gjithanshme në prokurori dhe drejtësi. 

(Kosova Sot)