Analistët serbë: Kosova, sfida më e madhe e Serbisë në vitin 2018

  • 03 January 2018 - 22:34
Analistët serbë: Kosova, sfida më e madhe e Serbisë në vitin 2018

Analistët serbë kanë vlerësuar se Kosova do të jetë sfida më e madhe, me të cilën do të përballet politika e jashtme e Serbisë në vitin 2018.

Analistët Aleksandra Joksimoviq dhe Dragomir Angjelkoviq, duke folur në TV Studio B, janë fokusuar në temat dhe sfidat më të mëdha në agjendën politike të Serbisë në vitin 2018 dhe nëse integrimi evropian do të marrë një vrull të ri, apo do të ketë presion në rritje nga faktori ndërkombëtar, për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Joksimoviq pret normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila do t’i japë një shtysë të re integrimit evropian të Serbisë.

Ajo pret se në vazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë temë kryesore do të jetë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndërsa, Angjelkoviq e sheh Kosovën si një burim të përhershëm të presionit nga fuqitë perëndimore për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, përveç nëse na ofrohet ndonjë modalitet për zgjidhjen e çështjes serbe. Kështu që ne të pranojmë pavarësinë e një pjese të Kosovës, kurse si kompensim për këtë Republika Srpska të fitojë pavarësinë dhe të drejtën për t’iu bashkangjitur Serbisë”.

Sfida të tjera me të cilat do të ballafaqohet Serbia, sipas analistëve janë Republika Srpska, situata në rajon dhe marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë.

(Kosova Sot)