Haradinaj mund ta paguajë faturën e Thaçit - Lajme - Kosova Sot
Haradinaj mund ta paguajë faturën e Thaçit

Haradinaj mund ta paguajë faturën e Thaçit

SHFUQIZIMI I SPECIALES DHE FTOHJA ME NDËRKOMBËTARËT

Të gjitha prapësitë i gatoi kreu aktual i shtetit, ish-lider i PDK-së

Analistë të politikës janë të mendimit se PDK-ja me Kadri Veselin në krye tashmë ka filluar që ta implementojë skenarin e mirënjohur përmes argatëve të tij, për vetërrëzimin e Qeverisë ku janë në bashkëqeverisje. Sipas analistëve, Veseli do ta përdorë si pretekst akuzën se kinse PDK-ja nuk po dëshirojnë që t'i prishin raportet me amerikanët. Ndërkohë, në radhët e deputetëve është shtuar shqetësimi për izolimin e Kosovës nga politika aktuale. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Milazim Zeka (Nisma për Kosovën), tha për gazetën "Kosova Sot" se shqetësimi i tij kryesor si deputet është tendenca e pakuptimtë për ta izoluar Kosovën në shkallën e Koresë Veriore, duke mbrojtur interesat e disa individëve në Kosovë. "Nuk kam shqetësim se a rrë- zohet apo nuk rrëzohet Qeveria apo a do të jem unë deputet. Shqetësimi im është se tek fëmijët tanë, sepse këta po duan që ta izolojnë Kosovën në përmasa të Koresë Veriore, duke u thirrur fatkeqësisht gjoja në mbrojtje të interesave të Kosovës ose në mbrojtjen e interesave të UÇK-së dhe që në fakt iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të kishte njëfarë kuptimi sikur Hashim Thaçi të jepte dorëheqje e t'u kërkonte falje qytetarëve se unë e solla Asociacionin e komunave serbe, që po shihet se është i dëmshëm, pastaj të kërkonte falje se e kam nënshkruar Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale. Sepse, nuk mundet ky njeri që t'i bëjë tri gjëra aq të mëdha dhe të dëmshme pa dhënë dorëheqje dhe pa kërkuar falje dhe të futë në qorrsokak deputetët.", potencoi ai. "Po druhem se faturën e Hashim Thaçit do ta paguajë Ramush Haradinaj", vijoi më tutje Zeka. 

Klanet kriminale dominojnë politikën shqiptare

Analisti politik, Enver Bytyqi tha për gazetën "Kosova Sot" se krerët kryesorë të PDK-së veprojnë me skenarë, por jo me skenarë të shtetformimit, por me skenarë të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. "Fatkeqësisht, në historinë e shtetit shqiptar eksperienca më e gjatë dhe më e hidhur është lufta për pushtet, jo sakrifica për shtetin dhe kombin. Prandaj, kemi kaluar diktatura, anarki, qeverisje autoritare, klanore e oligarkësh. Një qeverisje të tillë kanë sot edhe Shqipëria, edhe Kosova. Kosova kopjon modelin e Tiranës. Drejtuesit e PDK-së e kanë praktikë pune lidhjen dhe prishjen e koalicioneve. Ndërsa ata që lidhin marrëveshje me PDK-në e Thaçit e Veselit e me PSSH-në e Edi Ramës janë politikanë naivë, drejtuesit e këtyre partive mund të krahasohen me intrigën dhe hilenë", u shpreh ai. "E kam thënë në një koment të vitit të kaluar se PDK-ja do ta rrëzojë Ramush Haradinajn. Dhe, zoti Haradinaj ndjek politikat destruktive të Thaçit e Veselit për të shtyrë sa të jetë e mundur ditët në Kryeministri. Nuk besoj se kryeministri aktual i Kosovës do të ketë sukses në detyrën që kryen sa kohë ai kushtëzohet nga aleatë, të cilët e shohin me xhelozi të sëmurë punën e tij. Prandaj, shpresoj që vetë zoti Haradinaj t'i japë fund dilemës së një koalicioni të tillë", vijoi më tutje Bytyqi. "Është interesant sa urtë e të butë shfaqen deputetët serbë të Kosovës si dhe Beogradi për krizën e fundit të shfuqizimit të Ligjit për Gjykatës Speciale. A nuk bën kjo përshtypje?! Ata e njohin skenarin e zotit Veseli për prishjen e koalicionit. Por, për këtë ai kërkon një alibi. Një alibi, e cila do t'i shtonte kreditet elektorale të PDK-së. Deklarata e tij e sotme, me të cilën distancohet nga përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale është pjesë e skenarit. Ai arriti ta implikojë publikisht zotin Haradinaj në këtë skenar dhe tash lan duart si Pilati. Mos të zëntë sherri i sigurimit të shtetit! Se kurrë hair nuk sheh. Prandaj, zoti Haradinaj, edhe pse nuk qëndroi larg tij, duhej të ishte më i vëmendshëm", sugjeron ai. " Drejtuesit kryesorë të PDK-së, ashtu si ata të PSSH-së në Shqipëri, kanë hyrë thellë në bashkëpunimin e tyre me mafinë, me krimin, me bandat. Prandaj, ata nuk i përmbahen asnjë marrëveshjeje politike, nuk njohin asnjë moral politik që vjen në forcim të shtetit dhe institucioneve të tij. Edhe po të donin, tashmë është shumë vonë për ta të distancohen nga Devollët e Devollitët, nga Shullazët e politikanët e sojit të Sajmir Tahirit, apo të Azem Sylës! Aleanca me këta ua ndalon zbatimin e marrëveshjeve politike me partitë në koalicion. Nuk besoj se zoti Haradinaj nuk i ka njohur lidhjet e Thaçit e të Veselit. Nuk dua të besoj se ai është i implikuar në aferat e tyre", tha Bytyqi.

Epilogu i paralajmëruar

Analisti Jeton Kelmendi tha për gazetën "Kosova Sot" se tentativat e PDK-së për rrëzimin e Qeverisë "Haradinaj" nuk janë të reja, sepse tanimë është e njohur kjo shkollë e PDK-së për t'i rrëzuar qeveritë dhe tanimë e ka përdorur për t'i vetërrëzuar në të shkuarën e kaluar kur e rrëzoi ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe këtë do ta përdorë edhe kundër z Haradinaj. "Normalisht se kjo është taktika e PDK-së dhe e Kadri Veselit. Por, kësaj radhe e ka edhe një taktikë të kartës politike të Hashim Thaçit, duke i ditur aftësitë e tij prej një njeriu shumë të aftë dhe lojën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, topin ia hedh kryeministrit Haradinaj. Dhe, si rezultat i tërë kësaj loje e kemi epilogun kur kryeministrit Haradinaj i refuzohet viza për në SHBA", u shpreh ai. Analisti Kelmendi beson se kjo do ta dëmtojë sërish Kosovën, sepse Gjykata Speciale duhet që së pari ta bëjë punën e saj, që është të arrestojë ata që i ka në plan, sepse e vetmja mundësi për t'u çliruar Kosova është arrestimi i kokave të krimit, duke filluar nga presidenti e teposhtë, deri tek vartësit të tij e më pastaj të shkohet në zgjedhje e të bëhet shkapja e shtetit, pasi shteti është kapur në të gjitha aspektet.

Në prapaskenë qëndron presidenti

Analisti Ali Hertica tha për "Kosova Sot" se lideri i PDK-së, Kadri Veseli, tani kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, është duke luajtur lojën e skenarit, që përmes argatëve të tij politikë të jetë një shtytës për ta rrëzuar Qeverinë "Haradinaj", edhe pse janë bashkëqeverisës. " Qeverisja Haradinaj thuajse e ka humbur drejtimin e politikës dhe fare nuk është në rrugëtim të mbarë politik. PDK-ja, ku si pretekst do të marrë marrëdhëniet jo të mira nga politika e Haradinajt me SHBA-në dhe aleatët e tjerë të Kosovës. E gjithë kjo lojë e skenarit vërehet se tendencat për t'i shtyrë këto implementime i ka bërë vetë Hashim Thaçi, që duket se ia ka futur frikën z.Haradinaj dhe ia ka vendosur dy këmbët në një këpucë, kur dihet se të dy protagonistët i ka miq të mirë", theksoi ai. Analisti Hertica tha se e gjithë ajo që sot po ngjan në skenën politike, vjen sepse në çdo subjekt politik janë të instaluara bandat e kriminalizuara dhe oligarkët e klaneve politike dhe ato ekonomike. 

(Kosova Sot)

22 orë e 51 minuta më parë
17/08/18