Rifillon seanca, deputetët po debatojnë për Specialen

  • 03 August 2015 - 15:25
Rifillon seanca, deputetët po debatojnë për Specialen

Kuvendi i Kosovës ka rifilluar seancën ku po vazhdon debati për themelimin e Gjykatës Speciale.

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka kërkuar nga deputetët të mos e votojnë Specialen. Ai tha se duhet t'i themi jo një padrejtësie. "Mos ta përsërisim edhe një gabim", tha ai.

Kurse, deputeti i partisë NISMA për Kosovën, Haxhi Shala tha se shumica prej deputetëve që do t'i votojnë ndryshimet kushtetuese nuk e dinë se çfarë do të votojnë. Ai ka kërkuar nga kolegët deputetë të mos e votojnë Specialen.

Deputetët ende në pauzë, për pak çaste pritet të rifillojë seanca

Edhe pse ishte paraparë që seanca plenare të rifillojë në ora 14:30 pas pauzës së dhënë nga kryetari i Kuvendit Kadri Veselim një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Në këtë seancë pritet deputetët të votojnë amandamentet kushtetuese që do t'i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, transmeton "Kosova Sot ONLINE".
Ndryshe, deputetët kanë debatuar për më tepër se 3 orë e gjysmë pro dhe kundër themelimit të Speciales.

Kuvendi në pauzë deri në ora 14:30, a i ka votat pozita për Specialen?

Kuvendi i Kosovës pas më shumë se tre orë e gjysmë debat për Gjykatën Speciale ka shkuar në pushim deri në ora 14:30.

Kryeministri dhe partitë opozitare bën thirrje që kjo Gjykatë të votohet, derisa opozita e kundërshtoi fuqishëm duke e quajtur selektive.

Pas fjalës së deputetit të PDK-së Nait Hasani i cili u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë Specialen, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri thirrje që të shkohet në pause deri në ora 14:30.
Nuk dihet nëse ky pushim ka të bëjë me mungesën e votave për ta votuar të pozitës për t'i thënë PO, Speciales, por do të mësohet pasi deputetët të kthehen në sallë.

Ndryshe, zëvendës/kryeministri në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës janë gati që të votojnë pro kësaj gjykate, por nuk mund të garantoj se do të ketë vota të mjaftueshme për kalimin e amendamenteve.

(Kosova Sot)