Bytyçi: Klanet kriminale dominojnë politikën shqiptare

  • 09 January 2018 - 13:10
Bytyçi: Klanet kriminale dominojnë politikën shqiptare

Analisti politik, Enver Bytyçi tha për gazetën "Kosova Sot" se krerët kryesorë të PDK-së veprojnë me skenarë, por jo me skenarë të shtetformimit, por me skenarë të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. "Fatkeqësisht, në historinë e shtetit shqiptar eksperienca më e gjatë dhe më e hidhur është lufta për pushtet, jo sakrifica për shtetin dhe kombin. Prandaj, kemi kaluar diktatura, anarki, qeverisje autoritare, klanore e oligarkësh. Një qeverisje të tillë kanë sot edhe Shqipëria, edhe Kosova. Kosova kopjon modelin e Tiranës. Drejtuesit e PDK-së e kanë praktikë pune lidhjen dhe prishjen e koalicioneve. Ndërsa ata që lidhin marrëveshje me PDK-në e Thaçit e Veselit e me PSSH-në e Edi Ramës janë politikanë naivë, drejtuesit e këtyre partive mund të krahasohen me intrigën dhe hilenë", u shpreh ai. "E kam thënë në një koment të vitit të kaluar se PDK-ja do ta rrëzojë Ramush Haradinajn. Dhe, zoti Haradinaj ndjek politikat destruktive të Thaçit e Veselit për të shtyrë sa të jetë e mundur ditët në Kryeministri. Nuk besoj se kryeministri aktual i Kosovës do të ketë sukses në detyrën që kryen sa kohë ai kushtëzohet nga aleatë, të cilët e shohin me xhelozi të sëmurë punën e tij. Prandaj, shpresoj që vetë zoti Haradinaj t'i japë fund dilemës së një koalicioni të tillë", vijoi më tutje Bytyçi. "Është interesant sa urtë e të butë shfaqen deputetët serbë të Kosovës si dhe Beogradi për krizën e fundit të shfuqizimit të Ligjit për Gjykatës Speciale. A nuk bën kjo përshtypje?! Ata e njohin skenarin e zotit Veseli për prishjen e koalicionit. Por, për këtë ai kërkon një alibi. Një alibi, e cila do t'i shtonte kreditet elektorale të PDK-së. Deklarata e tij e sotme, me të cilën distancohet nga përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale është pjesë e skenarit. Ai arriti ta implikojë publikisht zotin Haradinaj në këtë skenar dhe tash lan duart si Pilati. Mos të zëntë sherri i sigurimit të shtetit! Se kurrë hair nuk sheh. Prandaj, zoti Haradinaj, edhe pse nuk qëndroi larg tij, duhej të ishte më i vëmendshëm", sugjeron ai. " Drejtuesit kryesorë të PDK-së, ashtu si ata të PSSH-së në Shqipëri, kanë hyrë thellë në bashkëpunimin e tyre me mafinë, me krimin, me bandat. Prandaj, ata nuk i përmbahen asnjë marrëveshjeje politike, nuk njohin asnjë moral politik që vjen në forcim të shtetit dhe institucioneve të tij. Edhe po të donin, tashmë është shumë vonë për ta të distancohen nga Devollët e Devollitët, nga Shullazët e politikanët e sojit të Sajmir Tahirit, apo të Azem Sylës! Aleanca me këta ua ndalon zbatimin e marrëveshjeve politike me partitë në koalicion. Nuk besoj se zoti Haradinaj nuk i ka njohur lidhjet e Thaçit e të Veselit. Nuk dua të besoj se ai është i implikuar në aferat e tyre", tha Bytyçi.

(Kosova Sot)